Zgjedhjet: Gjykata Kushtetuese rrëzon pragun kombëtar 1% pas padisë së kandidatit të pavarur Elton Debreshi

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pragun kombëtar prej 1% të sistemit zgjedhor. Sipas këtij pragu kandidatët e pavarur në ndryshim nga ata të propozuar nga partitë apo koalicionet partiake, për të marrë një mandat kishin nevojë për më shumë vota.

Kërkesa për shfuqizimin e pragut kombëtar prej 1% pranë Gjykatës Kushtetuese u dërgua në prill nga kandidati i pavarur për Qarkun e Dibrës, Elton Debreshi duke argumentuar se çështja e pragut kombëtar është diskriminuese ndaj kandidatëve të pavarur.

Referuar Kodit Zgjedhor, një subjekt që merr pjesë në zgjedhje duhet të merrte 1% të votave në të gjithë vendin, me qëllim që të fitojë më pas të drejtën për tu përfshirë në llogaritjen e mandateve.

Gjykata vendosi të shfuqizojë fjalinë e dytë të pikës 1 të nenit 162 të Kodit Zgjedhor që thotë se:

“Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë marrë më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi”.

Në njoftimin e faqes zyrtare Gjykata Kushtetuese shprehet se:

“Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se pjesa e fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, që vendos për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit kufizim të njëjtë me atë të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit”.

Gentjan Serjani, përfaqësuesi ligjor i Elton Debreshit, u shpreh për Citizens Channel se vendimi në favor të tyre do ndikonte pozitivisht në pikëpamjen e shoqërisë për politikën.

“Unë në bashkëpunim me Eltonin e ngritëm këtë padi me shpresën se vendimi do të ishte po aq i drejte sa padia, dhe me vetëdijen që një vendim pozitiv do të afektonte pozitivisht perspektiven politike të shoqërisë në tërësi.”

Shpresëplotë ai vijon se “Mund ta gjykoni si entuziazëm të tepruar, por rasti në fjale ku u bënë bashkë një përfaqësues i punëtorëve dhe një avokat përfaqësues i një minoriteti (egjiptian) tregon se edhe ne batakun ku duket se kemi rënë ka akoma shpresë për të luftuar për demokracinë e të drejtat e njeriut”.

Si ndryshoi pragu zgjedhor për zgjedhjet e vitit 2021?

Ulja e pragut rajonal u shoqërua edhe me ndryshimin e rregullave. Sot një kandidat i pavarur apo parti jo parlamentare duhet të marrë jo më 3% të votave të një zone zgjedhore, por 1% të totalit të votave në të gjithë Shqipërinë. Çka për qytetet e vogla me pak votues mund ta bëjë të pamundur kalimin e pragut, pavarësisht se një kandidat merr votat që nevojiten për një mandat.

Sipas nenit 162, pika 1 të Kodit Zgjedhor, kandidatët apo subjektet zgjedhore të cilët kanë marrë në zgjedhje më pak se 1% të votave të vlefshme në shkallë vendi nuk kanë mundësinë për të hyrë në Kuvendin e Shqipërisë.

Pragu elektoral është ndryshuar ndër vite në Shqipëri. Fillimisht zgjedhje pa prag elektoral në vitin 1991, ndjekur më pas nga zgjedhje me prag minimal prej 2%, 2.5%, 4%, rajonal 3% dhe tanimë në zgjedhjet e vitit 2021 me pragun kombëtar prej 1%.

Shqipëria ka 12 zona zgjedhore prej te cilave dalin 140 deputetë. Numri i mandateve të dala për qark përcaktohet nga numri i votuesve. Si e tillë, qarku i Kukësit është qarku që prodhon më pak deputetë, përkatësisht 3, ndërsa qarku I Tiranës  është qarku më i madh, i cili zgjedhjet e vitit 2021 nxjerr 36 deputetë, për shkak të shtimit të popullsisë.

Nëse një parti apo subjekt politik qoftë ai edhe i pavarur nuk merr 1% të votave në rang kombëtar ai nuk ka mundësi të shkojë në kuvend. Në zgjedhjet e vitit 2017, në qarkun e Tiranës, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet arriti të marrë 2.99% të votave, mirëpo nuk I dhanë mundësi të përfaqësohej me deputet në Kuvend. Kjo pasi pragu elektoral ishte mbi 3% të votave të qarkut. Të gjitha votat e marra nga kjo parti politike, praktikisht ishin të shkuara dëm.