- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Zëra nga lumenjtë” – Podkast nga Citizens Channel
“Zëra nga lumenjtë” – Podkast nga Citizens Channel
Seria e parë e podcastit “Zëra” nga Citizens Channel i dedikohet rezistencës disa vjeçare të banorëve të Zall-Gjoçaj në Mat për të shpëtuar lumenjtë Flim dhe Urakë nga fati mjeran; futja në tuba.
Rezistenca e këtij komuniteti, nisur thuajse katër vite më parë, përfaqësohet nga tre zotërinj të moshuar të quajtur Abdi Toçi, Adem Xhokola dhe Hasan Pasha. Ata qëndrojnë në ballë të protestës dhe nuk kanë munguar në asnjë manifestim kundër digave që po ndërtohen në Zall-Gjoçaj të Matit, zonë që mban edhe statusin “Park Kombëtar”.
Zërat e tyre simbolizojnë ato të qindra apo mijëra qytetarëve të tjerë që thërrasin vazhdimisht kundër hidrocentraleve, duke argumentuar dëmin e madh që u sjell në bujqësi dhe blegtori, në aspektin social e emocional.
“Unë jam nis për protestë bashkë me Abdiu dhe Ademin. Për çfarë arsyeje? Se po shoh që këtu thahet mjedisi. Po iku ujt, iku ekologjia, iku parku kombëtar, ikën bletët, iku peshku, trofta”, – thotë përballë mikrofonit, teksa ngrys vetullat Hasan Pasha, 72-vjeçari nga fshati Gjoçaj, Mat.
Ndonëse komuniteti nuk është dakord me hidrocentralet e miratuara dhe vetë ligji 81/2017 e ndalon ndërtimin e HEC-eve në Parqet Kombëtare, qeveria shqiptare nuk ka bërë një hap pas për të rishikuar lejen. As tre padi në gjykatë nuk kanë dhënë urdhëresë për ndalimin e punimeve në Zall-Gjoçaj, veçse kanë zvarritur procesin.
Diga në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj
Ujëvarë që tashmë rrjedh përmes digës në Parkun Kombëtare Zall-Gjoçaj
Kjo i ka zhgënjyer tej mase tre të moshuarit nga Zall-Gjoçaj, që nuk reshtin së kërkuari drejtësi.
“E kam shkru edhe te dera e shpisë, edhe te Gjykata Administrative, që: ‘Më kaloi jeta me të padrejta’”, – thotë në “Zëra” Adbi Toçi, i moshuari që sjell nga fshati Urxallë një parullë të ndryshme sa herë zhvillohet protestë në mbrojtje të lumenjve.
Këto parulla më pas ai i çon sërish në shtëpinë e tij në fshat, shtëpi e cila është kthyer në një instalacion politik kundër marrjes së ujit.
“Në Shqipëri nuk ka drejtësi fare, të rrojë thesi me pare”, ishte parulla që ai mbajti me vete ditën e regjistrimit të pokastin tonë të parë.
Dëmet e madha që u sjellin këto projekte hidrike dëshmohen edhe nga Besjana Guri, nga EcoAlbania, organizatë e angazhuar prej vitesh në organizimin dhe fuqizimin e komuniteteve në mbrojtje të lumenjve dhe mjedisit.
Ajo informon se 712 hidrocentrale janë miratuar të ndërpresin rrjedhat e lumenjve, ku 80% e tyre rezultojnë të jenë hidrocentrale të vegjël.
“Këto HEC-e i lënë banorët pa ujë për vaditje, pa ujë të pijshëm apo pa ujë për bagëtinë, duke bërë një impakt shumë të madh në mjedis, duke cenuar specie endemike që mund të gjenden vetëm në disa zona ku në të njëjtën kohë janë dhe këto hidrocentrale”, pohon në podastin tonë Guri.
Aktivisti Ulrich Eichelmann, nga lëvizja RiverWatch me bazë në Vienë, tregon se ndërtimi i hidrocentraleve tashmë po dëmton publiken në favor të privatit, duke i marrë banorëve ujin që është jetik për ta edhe për botën e gjallë.
“Ajo çfarë ne po flasim në Ballkan, Shqipëri, Serbi, Bosnje dhe gjetkë është privatizimi i ujit”- shprehet ai.
“Uji është një e mirë e përbashkët, lumi është aty për ty. Dhe pasi diga përfundohet, lumi “rrjedh” vetëm në xhepin e investitorit, rrjedh nga tubat në xhepin e tij”, – tha Eichelmann gjatë fjalës së tij në “Zëra”, teksa e konsideron të gjithë procesin kriminal.
The post “Zëra nga lumenjtë” – Podkast nga Citizens Channel appeared first on Citizens.al.