- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Xhentrifikimi dhe rezistenca e lagjes “5 Maji” në një ekspozitë fotografike
Xhentrifikimi dhe rezistenca e lagjes “5 Maji” në një ekspozitë fotografike
“Qyteti që kemi pasqyruar nuk është qyteti që ngrihet vertikalisht por është qyteti që lufton për të drejtën horizontale“, u shpreh urbanisti Artan Kacani.
Në universitetin Polis po mbahet Ekspozita “5 Maji“, si pjesë e konferencës ndërkombëtare “Tirana Architecture Week“.
Aktivistë dhe arkitektë të “E drejta mbi qytetin“ në bashkëpunim me urbanistin Artan Kacani kanë sjellë një seri fotosh të xhentrifikimit të zonës së 5 majit.
“Ata, siç tregojnë edhe vetë, kanë ndihmuar njëri-tjetrin për të hapur themelet, rrugët nuk kanë qenë aty, i kanë hapur vetë të gjitha; kanalet kulluese i kanë bërë të gjitha. Ata e kanë bërë veten dhunshëm pjesë të Tiranës, pa qenë vetë“, – tregon për Citizens Channel aktivisti Edison Lika.
Me anë të imazheve është munduar të transmetohet përpjekja e banorëve për të ruajtur pronën përballë agresionit institucional.
“Mbrapa meje ndodhen një seri muresh dhe dritaresh, të cilët vazhdimisht janë hapur dhe janë mbyllur si pasojë e represionit fiskal i cili nuk do të di se kush jeton në periferi, nuk do të di se kush ka ndërtuar jetën dhe sesa këta njerëz janë duke prosperuar për një jetesë më të mirë“,-analizon urbanisti Kacani.
Sipas Kacanit ky është një model që tenton të përsëritet për aq kohë sa prona në Shqipëri asnjëherë nuk është konsideruar në vlerën e vërtetë të dobisë së saj por më tepër në aspektin gllabërues.
“Do të përsëritet ashtu siç është përsëritur te Stacioni i Trenit, ashtu siç është përsëritur te Unaza, ashtu siç është përsëritur te Lana, ashtu siç është përsëritur te shumë e shumë vende të tjera“, thekson ai.
Aktivistët e “E drejta mbi qytetin“ kanë analizuar disa nga historitë që fshihen pas fotove të ekspos.
“Në fund fare gjatë ditës së shembjes, nga gërmadhat kishte ngel vetëm ky djep, i cili ne e morëm për të treguar se pavarësisht këtyre shembjeve, do ketë një lloj vazhdimësie”, analizon aktivisti dhe arkitekti Edison Lika për një nga historitë e fotove.
Si nisi rezistenca “5 Maji”?
Nisur nga fatkeqësia natyrore e 26 nëntorit 2019 zona e 5 majit u projektua të shndërrohet në Tirana Riverside, një projekt inovativ “covid free”, i hartuar nga Stefano Boeri.
Më datë 16.12.2019 qeveria shpalli aktin normativ për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore.
Më 31 janar 2020 Këshilli i Ministrave shpalli për rindërtim lagjen “5 Maji”, duke caktuar Bashkinë Tiranë si njësi zbatuese të projektit. Në total, për zonën e re për zhvillim preken 222 prona private dhe shtetërore.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi shembjen e godinave të para në këtë lagje më 27 tetor 2021.
Banorët e 5 Majit janë organizuar në protesta të vazhdueshme përballë parlamentit për të shprehur mos dakortësinë e tyre me kontratën e njëanshme sipas tyre, të ofruar nga Bashkia Tiranë për kompensim të pronës.
Ata u pritën edhe nga kryeministri Rama në zyrën e tij për të diskutuar mbi procesin e kompensimit të pronës, një takim i cili rezultoi pa konsensus.
Shembjet e fundit të regjistruar në zonë kanë ndodhur më 22 shkurt ku nga 12 banesa që u shembën, asnjëri nuk e kishte firmosur kontratën e shpronësimit.
The post Xhentrifikimi dhe rezistenca e lagjes “5 Maji” në një ekspozitë fotografike appeared first on Citizens.al.