- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- ‘Vonesa’ e publikimit të rezultateve uli besimin e qytetarëve te Censi
‘Vonesa’ e publikimit të rezultateve uli besimin e qytetarëve te Censi
Të dhënat e mbledhura nga Citizens.al nëpërmjet një pyetësori online tregojnë se ‘vonesa’ në publikimin e rezultateve paraprake të Censit ndikoi negativisht në besimin e qytetarëve tek të dhënat e Censit Kombëtar të Popullsisë dhe Banesave; megjithatë, INSTAT insiston se vende të tjera i publikojnë edhe më vonë.
Erisa Kryeziu
Me 28 qershor, Instituti Kombëtar i Statistikave (INSTAT) bëri publike të dhënat paraprake të Censit Kombëtar të Popullsisë dhe Banesave, të dhënat e të cilit tregojnë se popullsia rezidente në shtator 2023 ishte 2.4 milionë banorë.
Megjithatë, opinionet e mbledhura nga Citizens.al nëpërmjet një ankete online pas publikimit të rezultateve tregojnë se jo të gjithë qytetarët shqiptarë kanë besim në shifrat e publikuara, kjo për shkak të vonesës në bërjen e tyre publike.
Studiuesit theksojnë se mungesa e besimit tek të dhënat Censit reflekton mungesën në tërësi të besimit ndaj institucioneve publike në Shqipëri.
“Kjo vjen nga kultura jonë e mosbesimit, një problem i madh që kemi ne është që duke mos pasur besim te institucionet publike, në njëfarë mënyrë krijojmë një lloj mjedisi që e bën shumë të vështirë komunikimin”,-shpjegoi Blendi Çeka, pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.
“Besueshmëria e procesit të censit, nga të gjitha palët është shumë më e rëndësishme se sa vetë rezultati,”– shtoi ai.
Në një përgjigje me shkrim INSTAT e hodhi poshtë pretendimin se shifrat janë publikuar me vonesë, duke theksuar se shpallja e tyre 6 muaj pas procesit është një procedurë standarde.
“Publikimi i rezultateve të Censit gjashtë muaj pas përfundimit të proceseve të terrenit (mbledhja e të dhënave, dhe anketa e post Censit) janë afatet më të afërta për publikimin e të dhënave të Censit sipas standardeve ndërkombëtare,” -tha INSTAT për Citizens.al.
Instituti theksoi se ishte kënaqur me pjesëmarrjen e popullatës në Cens, duke vlerësuar se kishte mbuluar 97,8 për qind të familjeve. Megjithatë, disa qytetarë që nuk morën pjesë në anketim i thanë Citizens se e kishin refuzuar atë për shkak të pakënaqësive me cilësinë e qeverisjes. Te tjerë theksuan se nuk ishin numëruar edhe pse kishin qenë entuziastë për procesin.
Mungesë besimi në institucione
Në shtator të vitit 2023, sipas INSTAT 5,240 anketues, 1048 kontrollorë dhe 450 mbikëqyrës dhe punonjës të IT-së u angazhuan në të gjithë republikën për të numëruar popullsinë dhe banesat.
Censi nisi në 18 shtator dhe do të zgjaste për 6 javë, duke u përmbyllur në fund të tetorit, por kjo kohë ishte e pamjaftueshme duke bërë që procesi të zgjaste deri më 15 nëntor 2023.
Sipas INSTAT shkak për shtyrjen e afateve u bë rikontaktimi më shumë se tre herë në banesat pa kontakt, si dhe refuzimet apo distancat e largëta. Të tjera arsye që motivuan shtyrjen e afatit ishin ndërtimet e reja dhe ato të prekura nga tërmeti i vitit 2019.
Më shumë se gjysma e qytetarë (51,5%) të pyetur nga Citizens.al nëpërmjet një pyetësori online u shprehën se rezultatet e Censit janë ‘aspak’ ose ‘pak të besueshme’. Kjo si rrjedhojë e daljes së rezultateve me vonesë.
Sipas studiuesit Blendi Çeka, edhe pse ka pasur mundësi që disa shifra kryesore të bëheshin publike një muaj pasi ka mbaruar procesi, kjo nuk do të përbënte një garanci që ato do ta rrisnin besimin e qytetarëve.
“Kam përshtypjen se duke qenë se shifrat në vetvete, p.sh. vetëm shifra e popullsisë nëse do të thonim që është 2.4 milionë popullsia e Shqipërisë, e pa detajuar më poshtë në nivel qarku, në nivel gjinie, në nivel moshe, në nivel bashkish, kam përshtypjen se ajo do të krijonte një lloj problemi në diskursin publik, sepse do të ishte një shifër e thatë që s’do tregonte gjë”,- tha Çeka.
Ai theksoi se metodologjia e pyetësorit të Censit është standarde, mirëpo ajo çfarë i mbetet institucioneve është ngritja e besueshmërisë.
“Ne jemi një vend që nuk besojmë te institucionet, cilado qofshin ato,” -tha Çeka. “Edhe eksperienca ka treguar që gjithmonë e më shumë është shumë e vështirë që institucionet publike të ndërtojnë besim dhe është përgjegjësi e madhe e INSTAT-it që ta ndërtojë këtë besim sepse ka të bëjë me të dhënat kombëtare“, -shtoi ai.
E pamundur të numërohen të gjithë qytetarët
Përmes një anketimi online Citizens.al pyeti qytetarët nëse ishin bërë pjesë e këtij procesi dhe sa të kënaqur ishin. 163 qytetarë iu përgjigjën pyetësorit nga 12 qarqe të vendit. 70.6% e tyre u shprehën se ishin numëruar, ndërsa 29.4% e tyre nuk ishin bërë pjesë e Censit.
Manuela Guri, banuese e lagjes nr. 17 në Durrës tha për Citizens.al se mezi priti të bëhej pjesë e procesit të regjistrimit, por anketuesit nuk i trokitën kurrë në derë.
“E pata shumë problem që ne nuk arritëm të regjistroheshim te ky censi i fundit sepse është shumë e çuditshme të lindësh në këtë qytet, të jetosh dhe të mos vijnë të të regjistrojnë”,– tha ajo.
Sipas Gurit, banesa e saj është në hyrje të qytetit bregdetar, afër stacionit të trenit, shumë lehtë për tu parë e vizituar. Njëjtë si ajo, edhe banorët e hyrjes së pallatit të saj nuk janë bërë pjesë e procesit. Ndërsa rrëfen se pallati ku ata banojnë ka qenë i prekur nga tërmeti, mirëpo janë rikthyer aty në shtator 2023, kohë kur sapo ka nisur procesi.
Për Ledion Salillarin në Korçë, procesi i regjistrimit ka shkuar pa probleme, ndërsa ai thekson se ishte ‘shumë i shpejtë dhe i kollajtë’.
“Kanë ardhur anketuesit, pyetjet ishin të qarta, të thjeshta, koha ishte relativisht, as e gjatë as e shkurtër, kohë e mjaftueshme“,– tha Salillari.
Jo të gjithë qytetarët ndajnë entuziazmin e Ledionit për Censin dhe disa madje kanë refuzuar të marrin pjesë edhe pse një akt i tillë dënohet me gjobë.
Juson Kora, banues në Berat refuzoi të bëhej pjesë e Censit të Popullsisë dhe Banesave në shenjë proteste për vonesat në procesin e legalizimi të banesave informale. Sipas tij, për aq kohë sa shteti nuk i njeh banesën, ai ndihet i paligjshëm në shtëpinë e tij.
“Unë jetoj në shtëpinë time ilegal,” -u ankua ai, ndërsa theksoi se prej vitit 2006 është në proces legalizimi. “A i merret një makine siguracioni nëse një makinë është e çregjistruar,”– pyeti Kora.
Në një përgjigje për Citizens.al, INSTAT u shpreh se mbulimi i popullsisë ka qenë në përqindje shumë të lartë, duke u konsideruar një mbulim i mirë sidomos për një Cens tradicional sikurse ai i Popullsisë dhe Banesave.
“Rezultatet e Anketës PasCensit vlerësuan një shkallë të mbulimit të popullsisë së Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 në Shqipëri, prej 96.9 përqind. Shkalla e mbulimit të NjEF [Njësia ekonomike familjare] u vlerësua në 97,8 për qind”,– tha INSTAT.
Sipas Blendi Çekës numri i atyre që nuk kanë marrë pjesë nuk është domethënës për të deformuar rezultatet dhe tablonë e përgjithshme të Censit.
“Më duket që ka pasur një vëmendje të madhe për regjistrimin dhe për të kontrolluar procesin dhe për të pasur numra sepse ka qenë debat politik çështja e numrave,”– tha Çeka, ndërsa paralajmëroi se do të duhen disa muaj për të parë cilësinë e të dhënave.
“Nëse ka probleme serioze padyshim që do të identifikohen,”– theksoi ai.
Më shumë praktikë për anketuesit
Kostoja totale për Censin e Popullsisë dhe Banesave ka qenë 16.9 milionë euro, ose 5.7 euro për banor. Nga kjo shumë 55.6% e vlerës është mbuluar nga buxheti i shtetit, 28.4% nga Bashkimi Evropian, 9.4% nga Agjencia Suedeze për Zhvillim (SIDA), 4.3% nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe 2.6% nga donatorë të tjerë.
Për Enriketa Zeqon, mësuese historie në Berat, ky Cens ishte i treti me të cilën ajo është angazhuar, pas atij të vitit 2001 dhe 2011. Ajo e vlerësoi trajnimin e anketuesve të rinj si të pamjaftueshëm.
“Më shumë u morëm me teori, jo se nuk u bë u bë, por për atë që është fillestar, ana praktike ishte e pamjaftueshme,”– tha ajo, ndërsa shtoi se “më shumë iu kushtua rëndësi anës teorike.”
“Praktika është gjëja më e mirë se ti në praktikë e gërsheton edhe teorinë,”– theksoi Enriketa, ndërsa shtoi se procesi i përzgjedhjes së anketuesve duhet të ishte më e mirë.
Ndryshe, Raimona Qendro e kishte për herë të parë angazhimin si anketuese në regjistrimin e popullsisë. Ajo u përfshi në moment të fundit si anketuese në qytetin e Tiranës.
“Vendin e punës nuk e mora me përzgjedhje,”-shpjegoi ajo. “Mungoi një shoqja ime dhe unë e zëvendësova nja dy ditë”,- shtoi Ramona.
‘Pastaj ajo mungoi fare dhe më mbeti mua si pozicion“, -përfundoi ajo.
The post ‘Vonesa’ e publikimit të rezultateve uli besimin e qytetarëve te Censi appeared first on Citizens.al.