- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Vajzat dhe gratë në sport të nënpërfaqësuara dhe pre e stereotipeve
Vajzat dhe gratë në sport të nënpërfaqësuara dhe pre e stereotipeve
Ndërsa në Francë nisën lojërat olimpike “Paris 2024”, UN Women organizoi një tryezë ku ndau gjetjet e një studimi për barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e grave në sport. Shqipëria prezantohen në lojërat olimpike me 8 sportistë, 5 meshkuj dhe 3 femra.
Enkelejda Zeko, gazetare sportive dhe moderuese e tryezës u shpreh se barazia gjinore në sport ka një impakt pozitiv në shëndetin dhe mirëqenien e grave dhe vajzave.
“Te lojërat olimpike Paris 2024, për herë të parë në historinë e lojërave olimpike atletet femra do të kenë po aq vende sa edhe atletët meshkuj në këtë aktivitet”,– theksoi Zeko.
Studimi: Vajzat dhe gratë të nënpërfaqësuara në sport, stereotipet ende dominuese
Sipas një studimi të UN Women për përfaqësimin e vajzave dhe grave në sport në Shqipëri, vajzat dhe gratë mbetet të nënpërfaqësuara në pozita udhëheqëse dhe role të larta drejtuese brenda organizatave sportive, duke u përballur kështu me kufizime në aksesin në vendimmarrje, pjesëmarrje dhe influencim si në nivelin kombëtar edhe në atë lokal.
“Ky studim pati si objektiv të japi një vlerësim të gjerë ë barazisë gjinore në sport dhe përmes sportit në Shqipëri. Ne morëm vetëm tre fusha kryesore si fillim, për të pasur një pikënisje të studimit ku është basketbolli, futbolli dhe volejbolli”,– u shpreh Danjela Çelaj, përfaqësuese e UN Women në Shqipëri.
Sipas studimit, vajzat dhe gratë janë të nën përfaqësuara në të gjitha nivelet e stërvitjes në Shqipëri, nga niveli kombëtar deri në arenën ndërkombëtare.
“Veçanërisht në nivelin e elitës, prania e trajnerëve femra është shumë e ulët dhe shpesh zbresin në pozicione asistente nën drejtimin e trajnerëve meshkuj,”-thuhet në studim.
Çelaj thekson në prezantimin e studimit se janë munduar të ofrojnë udhëzime konkrete për avancimin e barazisë gjinore në sport, “por kjo bazuar jo vetëm në praktikat në Shqipëri në këto tre sporte, jo vetëm bazuar në eksperiencat e vetë sportistëve, por edhe nga shembujt në vendet e tjera”.
Studimi nxjerr në pah mes të tjerash faktin se profesioni i trajnerit/es shoqërohet me perceptime stereotipike si një profesion i dominuar nga meshkujt.
“Kjo shoqërohet me mbështetje të pamjaftueshme institucionale dhe mungesë ne modeleve femërore, duke kontribuuar në nënpërfaqësimin e vazhdueshmë të grave në rolet e trajnerëve”.
Edhe pse përfshirja e grave në sport ka përparuar, pjesëmarrja e tyre mbetet e kufizuar, sidomos në sportet tradicionale të lidhura me burrat.
“Mungojnë të dhënat e ndara sipas gjinisë dhe pjesëmarrje shumë e ulët e personave me aftësi të kufizuar në sport, sidomos gratë/vajzat me aftësi të kufizuar, të cilat përballen me barriera shtesë”.
Investimet në sportet për vajzat mbetet në nivele të ulëta, sipas studimit duke rezultuar në financimin dhe ndarjen e pamjaftueshme të burimeve për organizatat sportive të grave/vajzave.
“Investimet e pamjftueshme në objektet dhe pajisjet sportive e pengojnë më tej pjesëmarrjen e tyre”.
Ndërsa një tjetër hendek mes vajzave dhe djemve në sport është ai i pagave.
Sipas Danjela Çelaj, gratë përfaqësohen ende shumë pak në pozicionin e trajnerëve.
“UEFA, sipas licencës A, 465 janë meshkuj dhe numri i grave është 4. Dhe sipas UEFA prolicence, 153 janë meshkuj dhe 2 janë vajza apo gra. Sipas pjesëmarrjes në sport, 96% janë meshkuj, dhe pjesa tjetër që është vetëm 4% janë femra”,-ndau ajo nga të dhënat.
Pasqyrimi në media
Sipas studimit ka ende dallime të mëdha në mbulimin mediatik të sporteve për vajza dhe atyre për djem.
“Sportet e meshkujve pasqyrohet më tepër në media”.
Po ashtu studimi thekson se mbulimi në media i sporteve për vajza vazhdon të ndikohet nga stereotipet gjinore, ku sportistet paraqiten me një stil seksual, duke përforcuar stereotipet gjinore.
“Ka më pak gara dhe ndeshje për gra të pasqyruara në media në krahasim me ato të paraqitura në lajmet dhe publikimet e Federatës së Futbollit”.
Sipas Enkeleda Zeko pjesëmarrja e vajzave dhe grave në sport në ngjarje sportive botërore ka ardhur në rritje.
“Duke filluar me vetëm 2.2% në Paris 1900 ku gratë konkurruan në lojërat olimpike për herë të parë në historinë e lojërave dhe ky numër është rritur në mënyrë të qëndrueshme për të arritur në 48% në Tokio 2020. Ka pasur vetëm dy raste në historinë e lojërave olimpike ku numri i grave pjesëmarrëse ka rënë. Në Sant Louis, 1904, 0.9% pjesëmarrje e femrave dhe në Berlin 1936 me 8.4% e grave pjesëmarrëse”,- nënvizoi Enkeleda Zeko.
Për Michele Ribotta, përfaqësues i UN Women në Shqipëri, fakti që ka gjithnjë e më shumë vajza dhe gra që marrin pjesë në sport është një hap shumë i rëndësishëm dhe shërben si shembull për të tjerë të rinj.
“Gratë në sport mund të jenë modele vërtet të fuqishme për vajzat. Në Shqipëri ne kemi rastin e Luiza Gegës, se si ajo ka mundur të jetë vërtet një model për të rejat. Pa këto shembuj, ato mund të mos kenë qenë të interesuara apo të shtyrë për të qenë sa më pranë sportit”-u shpreh Michele Ribotta.
Foto nga tryeza e prezantimit të studimit
Sipas tij, ajo çfarë vihet re në nivel global është heqja dorë nga sporti pas moshës 18 vjeçare të vajzave dhe grave.
“80% e grave në pozicione drejtuese kanë praktikuar sport në moshën e tyre të fëmijërisë apo të rinisë dhe ky është një tregues shumë fuqizues. E them këtë sepse e di po ashtu se ka vështirësi për ti mbajtur vajzat dhe gratë aktive në sport. Ne e dimë që globalisht në moshën 18 vjeçare, numri i vajzave që braktisin sportin është dy herë më i lartë se numri i djemve. Ne ende duam një mjedis social dhe komunitar që ti shtyjë vajzat drejt sporteve aktive më tepër se djemtë”,-përfundoi Ribotta.
The post Vajzat dhe gratë në sport të nënpërfaqësuara dhe pre e stereotipeve appeared first on Citizens.al.