“Të ruash nderin”, vajzat dhe gratë dyfish viktima të shantazhit dhe krimeve online

Aurora* është në pritje të datës së seancës së apelit pasi ish-partneri i saj është shpallur i pafajshëm nga gjykata e rrethit Gjirokastër për akuzën e shantazhit. Ajo e denoncoi ish – partnerin, pasi i krijonte profile të rreme me fotot e saj dhe për gjashtë muaj shpërndau materiale të paautorizuara private foto dhe video, madje dhe imazhin e vajzës së saj të mitur.

Historia e Aurorës dëshmon se vajzat dhe gratë që përballen me probleme të tilla, ndeshen me një mur paragjykimesh edhe kur denoncojnë. 

“Kryesisht, të shohin me një sy që ti nuk je një “vajzë, e mirë”, sepse ti ke çuar edhe foto intime, kështu që një pa faj nuk je.” – tregon Aurora.

Aurora thekson se fakti që ai u shpall i pafajshëm, rrit predispozitën që herën tjetër ai të sillet edhe më keq, ndoshta jo me të, por me një “pre” të radhës.

“Në fillim e gjykoja shumë veten, por pasi kam punuar me një terapiste, jam e ndërgjegjshme që çfarë do që të bësh ti, asnjë njeri nuk ka të drejtë në mënyrë absolute të luajë me psikozën dhe me qenien tënde!”- pohon ajo.

Në këtë rast shantazhuesi është akuzuar për fyerje, përndjekje dhe prishje të imazhit publik, kjo e fundit për arsye se Aurora mbante edhe një pozicion drejtues në një institucion vendor.

Në fakt kjo akuzë është më e lehtësuar, pasi në Shqipëri ende mungon një dispozitë ligjore specifike për veprën penale “shpërndarje e paautorizuar e materialeve intime”, e njohur ndryshe edhe si “pornografi hakmarrëse” – Ekspertët nuk e këshillojnë përdorimin e këtij termi pasi duket sikur viktima ka bërë një faj, ndaj po i kryhet një hakmarrje. Si pasojë krime të kësaj natyre janë përfshirë në veprën penale “falsifikim kompjuterik”.

Psikologia Tana Aliaj thekson se vajzat janë dyfish viktima; fillimisht janë viktima të veprës penale që kryhet ndaj tyre (shpërndarja e materialeve personale) dhe së dyti janë viktima të gjykimit nga shoqëria.

“Denigrimi që mund t`iu bëhet figurave të tyre pas shpërndarjes së materialeve personale shoqërohet me shqetësime psikologjike, depresion, ankth, ulje të vetëvlerësimit, ndjenja të forta të turpit dhe vetëfajësimit, deri në ide apo tentativa vetëvrasëse” – analizon Aliaj.

2024 – Dy vetëvarsje për shkak të shpërndarjes së paautorizuar të materialeve intime

41 – vjeçarja Bedrie Loka, nënë e katër fëmijëve, i dha fund jetës duke pirë fotoksinë, për shkak të bullizimit nga disa materiale filmike të saj që qarkullonin në Tik – Tok. Ajo kishte denoncuar fenomenin në Policinë e Durrësit, në 2022 pa gjetur zgjidhje.

Një muaj më pas, në shkurt të këtij viti, një tjetër grua 27-vjeçare u vetëvra duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt në Kamëz, pasi një personazh i njohur në Tik – Tok, Altin Çoku shpërndau foto intime të saj.

Fillimisht Policia e Shtetit në përgjigjen zyrtare ndaj Citizens.al dërgoi të dhënat e rasteve falsifikim kompjuterik”, duke qenë se deri më tani “shpërndarje e paautorizuar e materialeve intime” përfshihet në këtë vepër penale.

Pas një kërkese të dytë Policia e Shtetit, saktësoi se gjatë katër viteve të fundit, në rang vendi, janë marrë rreth 99 kallëzime që kanë pasur të bëjnë me shantazhimin për publikimin e materialeve intime apo private online, pa pëlqimin e shtetasve të shfaqur në këto materiale.

“Ka shumë pak raste të denoncuara dhe të ndjekura penalisht. Mungesa e ndjekjes penale dhe vënia përpara përgjegjësisë e autorëve, mund të nxisë personat e tjerë të bëjnë të njëjta veprime, për aq kohë sa ndaj tyre nuk merren masa” – analizon psikologia Aliaj.

Ekspertja ligjore Dea Nini shpjegon se kuadri aktual ligjor penal mbetet thellësisht i paplotë në raport me adresimin e shpërndarjes së paautorizuar të materialeve me natyrë intime, pa dëshirën e personit subjekt i këtyre materialeve. Duke i lënë këta persona në një situatë vulnerabël, përballë shkeljes së rëndë në të drejtat e tyre për integritet trupor, emocional, jetesë dinjitoze dhe jetë private.

“Do të duhet që shteti shqiptar të konsiderojë adoptimin e një baze normative specifike, si dhe të amendojë Kodin Penal për të përfshirë në mënyrë eksplicite shpërndarjen e këtyre materialeve. Të ashpërsohen sanksionet për shkelësit si dhe duke ofruar mbrojtjen adekuate për viktimat, të cilat aktualisht duhet të adresojnë këto krime mes dispozitave të përgjithshme ekzistuese”- analizon ajo.

Nini sjell një panoramë të disa shteteve që kanë një praktikë më të mirë në adresimin e kësaj problematike. Kështu Italia e ka miratuar në 2019 në Kodin Penal, nenin 612 që kriminalizon këtë krim me dënim deri në gjashtë vite burg. Ngjashëm kanë vepruar edhe Gjermania, edhe Greqia.

“Gjithashtu do të duhet një rregullim i detajuar i platformave online, në lidhje me censurimin e shëndetshëm të përmbajtjeve online, moderimin e komenteve, fshirjen në kohë të këtyre publikimeve dhe parandalimin e shpërndarjes së mëtejshme të tyre”- përfundon ajo.

Si të veprojmë në raste shantazhi online?

Ekspertët këshillojnë se hapi i parë është gjithmonë dokumentimi i komunikimit me kërcënuesin, pasi do të jetë elementi kryesor që do të provojë para institucioneve përkatëse kërcënuesin si fajtor dhe do t’i japë dënimin përkatës.

“Meqenëse në një rast të tillë ekspozimi i jetës private mund të mos e bëjë një vajzë apo grua që të ndjehet rehat me materialet që shërbejnë si provë, propozohet që materiali apo materialet që do dorëzohen në rajonin e policisë me qëllim kallëzimin të mos kenë elemente intime që vendosin viktimën në një situatë të pakëndshme” – sugjeron një nga anëtarët e komunitetit “LibreLabs”.

Ndërsa nëse materiali është hedhur ne web pa dëshirën tuaj dhe dëshironi ta hiqni duhet t’i drejtoheni institucioneve si Policia e Shtetit, e cila me gjasa do e drejtojë rastin tek Drejtoria e Krimit Kibernetik dhe ndoshta Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që mund të procedojë me bllokimin e faqes ku është publikuar materiali.

“Një element tjetër i rëndësishëm është dhe aktivizimi i opsionit automatik të fshirjes së mesazheve në platforma si WhatsApp, Signal apo Telegram. Kjo siguron që keqbërësi nuk do t’i rikthehet mesazheve të mëparshme për t’i përdorur ato për shantazhe apo kërcënime” – thekson eksperti i “LibreLabs”.

Vetë “LibreLabs” organizon aktiviteteve të quajtura “CryptoParty” që kanë si qëllim trajnimin për mbrojtjen e të dhënave personale online.

Pavarësisht kontributit të tyre, nëse nuk do të ketë një përmirësim të kuadrit ligjor, edukimit mbi sigurinë online dhe kthimin e besimit në autoritetet se ato do të dënojnë shantazhuesin dhe jo moralisht viktimën, beteja do të jetë ende e gjatë.

Kujtojmë se në 8 marsin e këtij viti u protestua edhe për sigurinë online.

“Na duhet një kuadër ligjor që njeh dhe parasheh dënime për ata që ushtrojnë krime kibernetike. Të alokohet një buxhet i dedikuar për të luftuar dhunën në internet dhe të shtohen strukturat përgjegjëse për adresimin e kësaj dhune“- tha gjatë protestës në fjalën e saj Anita Lushi, nga Kolektivi Feminist.

Aurora* – është emri i ndryshuar i personazhit, për të mbrojtur identitetin e saj