Vajza “e artë” e investimeve të huaja

Marinela Jazoj, Drejtorja Ekzekutive e Shoqatës së Investitorëve të Huaj prej 15 vjetësh, tregon vështirësitë e kompanive për të hyrë në tregun shqiptar, marrëdhëniet me qeveritë e ndryshme, cfarë na favorizon dhe cfarë na penalizon në raport me fqinjët.

Ajo ka 15 vjet që merret çdo ditë me investitorët e huaj që kanë hyrë në Shqipëri, ata që janë ende të interesuar apo edhe me ata që kanë pyetur për vendin tonë dhe më pas janë larguar, duke e kthyer vëmendjen diku tjetër. Ka bashkëpunuar me qeveri të majta dhe të djathta dhe ka kuptuar se jo gjithmonë ka ekzistuar një vullnet real për ta bërë Shqipërinë konkurruese për të thithur kapitalin e huaj, atë për të cilin “luftojnë” sot të gjitha vendet, pasi garanton punësim dhe mirëqënie.

E di më mirë se kushdo tjetër se ftesa e kryeminstrave, si ajo që ka bërë së fundmi Rama për investitorët e huaj “Hajdeni në Shqipëri” nuk mjafton. Duhet shumë, shumë më shumë. Quhet Marinela Jazoj dhe konsiderohet si fytyra historike e Shoqatës së Investitorëve të Huaj.

Vajza që përpiqet të sjellë invesitorë të huaj në Shqipëri, t’i bindë se vendi ynë ia vlen, pavarësisht taksave të larta, korrupsionit dhe drejtësisë së munguar. “Kur e krahasojmë me rajonin, Shqipëria është i vetmi vend që ka mungesë të stimujve fiskalë apo incentivave të ndryshme, në funksion të rritjes së investimeve të huaja direkte”, shprehet Marinela, me gjuhën diplomatike që karakterizon komunikimin me të huajt, por që qartazi lë të kuptohet se Shqipëria duhet të vrapojë shumë për të fituar garën tashmë të hapur prej disa vitesh në rajon, atë të thithjes së investimeve të huaja.

Sa vështirë është të negociosh me investitorët e huaj dhe t’i bindesh për të hedhur sytë nga Shqipëria?

Të negociosh me investitorët e huaj në këto kohë dhe për vende, të cilat kanë shumë ndryshime dhe zhvillime, siç është rajoni, ku edhe Shqipëria bën pjesë, sigurisht që ka shumë vështirësi.

Në gjithë këto vite është krijuar tashmë një lloj perceptimi dhe imazhi i Shqipërisë tek investitorët e huaj, që kanë në fokus vendet e Ballkanit. Gjithashtu, edhe informacioni për Shqipërinë në ditët e sotme është më lehtë i gjendshëm, gjë që e bën investitorin të mendohet shumë herë para se të vendosë të hyjë në Shqipëri.

Mund të them se para 10 vitesh, ka qenë më e lehtë për mua për të bindur investitorë që të vizitonin apo konsideronin Shqipërinë. Këtë mund ta argumentoj për disa arsye që lidhen me mundesitë që ofronim ne si vend, të cilat ishin pothuajse të pashfrytëzuara, siç janë privatizimet e kompanive të ndryshme shtetërore, koncensionet, të cilat sapo u futën si risi, disa taksa atraktive, si edhe fakti, që Europa dhe bota, të cilat nuk ishin përfshirë akoma nga kriza, që nisi në vitin 2009.

Sot, burimet janë më të ezauruara dhe investitorët zgjedhin ato vende që ofrojnë një kombinim të potencialit, të stabilitetit dhe klimës ekonomike të atij vendi. Qeveritë tona duhet të punojnë më shumë dhe në mënyrë të qëndrueshme, për ta bërë Shqipërinë sa më atraktive në syte e investitorit, kusht, i cili do ta bënte edhe punën tonë më të lehtë.

Si është klima e investimeve të huaja në Shqipëri?

Shqipëria po vazhdon rrugën e gjatë të zhvillimit dhe integrimit të saj rajonal dhe europian. Ekonomia e saj pritet të rritet me rreth 4%. Kjo për shkak të dy investimeve më të mëdha në vend, Gazsjellsit TAP dhe Hidrocentralit Devoll, të cilat i kanë dhe në një peshë të rëndësishme fluksit të investimeve të huaja në vendin tonë, duke e renditur të dytën në rajon pas Serbisë, me 983 milionë euro për vitin 2016. Por, megjithë reformat dhe ristrukturimet institucionale që qeveria ka ndërmarrë, mendoj se është shumë e rëndësishme detyra e vazhdimit të zbatimit të atyre reformave, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e klimës së investimeve në vend.

Këto lidhen veçanërisht me zbatimin e Reformës në Drejtesi, si një nga kushtet kryesore të qartësimit të shumë pengesave në zbatimin e ligjit dhe klimës së të bërit biznes, si dhe luftën e vazhdueshme ndaj korrupsionit në vend.

Investitorët e huaj kanë nevojë për një mjedis të parashikueshëm, të qëndrueshëm dhe të sigurt, ku respektimi i sundimit të ligjit dhe eliminimi i praktikave korruptive janë thelbësore. Gjithashtu, administrata publike duhet të jetë më efikase dhe më e besueshme. Ndryshimet e shpeshta të taksave dhe të ligjeve krijojnë konfuzion dhe pasiguri për investitorin.

Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e Shqipërisë në drejtim të investimeve të huaja?

Shqipëria ofron potenciale ende të pashfrytëzuara nga investitorët e huaj në sektorë të rëndësishëm, siç janë turizmi, bujqësia, energjia dhe infrastuktura. Shqipëria ka gjithashtu, një potencial të madh të burimeve njerëzore më konkurruese krahasuar me rajonin. Por, kur e krahasojmë me rajonin, Shqipëria është i vetmi vend që ka mungesë të stimujve fiskalë apo incentivave të ndryshme, në funksion të rritjes së investimeve të huaja direkte. Raporte dhe analiza të ndryshme për rajonin apo Europën Juglindore e vlerësojnë vendin tonë me një sistem taksash jo shumë atraktiv. Së fundmi, qeveria ka prezantuar disa stimuj fiskalë për kategori të caktuara në sektorët e turizmit dhe bujqësisë, të cilët padyshim që do të jenë një avantazh në analizen që një investitor do t’i bënte interesit për të investuar në vendit tonë.

Unë mendoj se këta stimuj janë shumë të rëndësishëm dhe duhet të sigurohet zbatimi i tyre në mënyrë rigoroze për projekte investimesh nga investitorë dhe grupe serioze, që kërkojnë të hyjnë në vendin tonë. Por gjithashtu, është e rëndësishme që këta stimuj dhe paketa incentivash duhen vendosur edhe në sektorë të tjerë strategjikë, sic është energjia apo industria fason, që ka peshë të madhe në punësimin e forcës punëtore.

Si ka qenë bashkëpunimi me qeveritë shqiptare në vite?

Në kaq shumë vite pune, une dhe Shoqata jemi rritur bashkë tashmë. Mund të them se bashkëpunimi me Qeveritë Shqiptare ka qenë sa frytdhënës, sa sfidues, po aq edhe i vështirë.

Sigurisht, që çdo qeveri shqiptare ka pasur, ka dhe duhet të ketë prioritet klimën e investimeve dhe bashkëpunimin me investitorët në vendin tonë. Duke qenë bashkëudhëtarë në këto bashkëpunime për një kohë shumë të gjatë, kam jetuar eksperienca nga më të ndryshme, që nga momenti i fillimit të punës së një qeverie, ku zakonisht është shumë premtues, lodhjen e ndërtimit të kontakteve dhe raporteve të reja (shpesh herë duke përdorur edhe njohjet personale), pasi siç e ka treguar koha qeveritë e reja sjellin edhe drejtues të rinj dhe deri në momentin, kur periudha zgjedhore afron dhe vëmendja e qeverive, dalëngadalë zhvendoset në fushatën zgjedhore. Natyrisht, që kjo ka qenë një vështirësi në punën time dhe të çdo institucioni të natyrës tonë, pasi biznesi i huaj nuk arrin të kuptojë vonesat e proceseve të tyre, të cilat zvarriten për arsye të tilla.

Autor: Aurora Sulçe*

*Autorja është moderatore dhe autore e emisioneve ekonomikë “Ekopolitikë” dhe “Para dhe Pasuri” në Ora News