Ulet numri i pasagjerëve që përdorin trenin, projekti për ndërtimin e hekurudhës ende larg përfundimit

Degradimi i linjave hekurudhore në vend ka bërë që vit pas viti të bjerë numri i pasagjerëve që përdorin këtë mjet transporti. Teksa shifrat e udhëtarëve që përdorin transportin detar dhe ajror rriten çdo vit, transporti hekurdhor është në rënie si pasojë e gjendjes së tij.

Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë periudhës prill-qershor 2023 kanë udhëtuar gjithsej 3,290 pasagjerë duke shënuar ulje me 34,5 %, krahasuar me 3-mujorin e dytë 2022.

Bëhet fjalë për 3 linjat e shfrytëzueshme Kufi- Gjorm, Durrës–Elbasan dhe Fier-Vlorë. Gjatë kësaj periudhe  u transportuan 139 mijë ton mallra, 0,9 % më pak në krahasim me tremujorin e dytë 2022.

Në vitin 1982 ku Shqipëria kishte një rrjet hekurudhor prej 443 km, ku numëroheshin rreth 13 million udhëtime me tren dhe kishte një popullsi prej 2.8 milion banorësh.

Teksa sot Shqipëria ka pothuajse të njejtën popullsi, brenda vitit 2023 e kanë përdorur trenin vetëm 4.951 udhëtarë.

Pas dekadave degradimit dhe lënie në harresë, ka nisur puna në terren për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, por edhe pse afati për përfundimin e projektit ishte shtatori 2023, në terren janë kryer vetëm 45% e totalit të punimeve.

Hekurudha Shqiptare në një përgjigje të datës 1 Qershor 2023, tha për Citizens Channel tha se afati për përfundimin e punimeve është shtyrë në mars 2024, pra me 8 muaj nga afati i përcaktuar në kontratë.

Me zbatimin e këtij projekti pritet përmirësimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës.  Ndërtimi i stacionit të trenit në Tiranë është pjesë e projektit të rehabilitimit të hekurudhës ekzistuese Tiranë–Durrës, dhe ndërtimit të një degëzimi të ri drejt Rinasit.

Ish-stacioni fundor i linjë Tiranë-Durrës, i cili ndodhej në qendër të kryeqytetit u hoq në vitin 2013, duke e zhvendosur atë në Kashar. Kështu hekurudha u largua nga banorët e Tiranës të cilët më herët e përdornin trenin si mjet transporti më të lirë.

Ky projekt ka nisur të diskutohet vite përpara, por në 2016 Ministria e Mjedisit lëshoi Deklaratën Mjedisore. Por që prej lëshimit të deklaratës, zbatimi i projektit ka ecur me hapa të ngadaltë duke shkelur afatet.

Linja e re Tiranë – Durrës parashikohet ketë një shpejtësi rreth 100 km/h. Ky projekt ka një kosto prej  69.69 mln euro.

Kostot e projektit janë ndarë midis një granti nga Bashkimi Evropian dhe një kredie të dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Qeveria mbulon vetëm kosoton e TVSH-së në këtë projekt.

Në 19 tetor 2020, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim shpalli fituese kompaninë italiane INC S.P.A me një ofertë prej 69.69 mln euro. BERZH njoftoi se kohëzgjatja e kontratës do të ishte 30 muaj, pra punimet do të zgjasnin 2 vite e gjysmë. Edhe ministrja e  Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në ceremoninë e zhvilluar në datën 3 shkurt 2021, ku u nënshkrua zyrtarisht dhe kontrata mes palëve bëri të njejtën deklaratë.

Harresa e hekurudhës

Citizens Channel ka realizuar një cikël me tre dokumentarëve “Hekur, Pluhur dhe Frikë”, i cili trajton pikërisht boshllëkun që ka lënë harresa e publikes në transportin publik. Hekur është dokumentari i parë i këtij cikli. Hekuri i shinave që dikur lidhnin njerëzit sot është kthyer në ndryshk. Më shumë se gjysma e 447 kilometrave hekurudhë është tërësisht jashtë funksionit, e ajo që ka mbetur është thuajse e pa përdorshme. Dokumentari i parë i këtij cikli trajton “Rrugën e gjatë nga Tirana për në Durrës” duke sjellë histori nga sytë e ekspertëve, përdoruesve dhe ish-punonjësve të hekurudhës. Rrjeti hekurudhor shqiptar sot i ngjan vetëm një kujtimi të largët të asaj çka ishte gjatë viteve 1980. Me ndryshimin e regjimit, shinat u ndryshkën dhe trenat u shkatërruan, ndërsa qeveritë u përqendruan në ndërtimin e rrugëve dhe qytetarët iu drejtuan makinave private. Kjo përmbysje e prioriteteve i la në harresë të gjitha format e transportit publik duke izoluar veçanërisht shtresat më të disavantazhuara të shoqërisë.

Pluhur është dokumentari i dytë, i këtij cikli. Pluhur është një rrugëtim në këtë infrastrukturë të harruar dhe një bisedë me njerëzit që e ndërtuan atë. Rrjeti hekurudhor shqiptar sot i ngjan vetëm një kujtimi të largët të asaj çka ishte gjatë viteve 1980. Me ndryshimin e regjimit, shinat u ndryshkën dhe trenat u shkatërruan, ndërsa qeveritë u përqendruan në ndërtimin e rrugëve dhe qytetarët iu drejtuan makinave private. Kjo përmbysje e prioriteteve i la në harresë të gjitha format e transportit publik duke izoluar veçanërisht shtresat më të disavantazhuara të shoqërisë.