- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Ujësjellës apo Park Kombëtar?”; Banorët e Shushicës në protestë për mbrojtjen e natyrës
“Ujësjellës apo Park Kombëtar?”; Banorët e Shushicës në protestë për mbrojtjen e natyrës
Një projekt i pa konsultuar me banorët që kërcënon Parkun Kombëtar të sapo shpallur të Vjosës, ngriti për herë të katërt në protestë banorët e luginës së Shushicës.
Ndërtimi i ujësjellësit në Bashkinë Himarë do të devijojë ujin nga burimet e Lëpushës ndërsa rrjeti i tubave kalon në pyjet e Dushkut dhe Zercit, territore të mbrojtura, të paktën në letër.
Investimi total i këtij ujësjellësi është rreth 9.5 Milion Euro, ndërsa projekti i plotë që përfshin ndërtimin e sistemit të trajtimit të ujërave të zeza do të kushtojë rreth 45 Milion Euro.
Për plot 5 muaj, banorë kanë protestuar vazhdimisht dhe kanë kërkuar takime me autoritetet për të kundërshtuar projektin. Ekspertët e mjedisit e konsiderojnë këtë një kërcënim për biodiversitetin e zonës si edhe një zhvillim shqetësues për ekonominë e fshatrave përreth.
Projekti shkel legjislacionin “Për zonat e mbrojtura” dhe po avancon në një kohë që ende nuk është miratuar Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Vjosës. Ky plan do të përcaktojë edhe mënyrën e përdorimit të ujit, që është një nga arsyet se përse kjo zonë u shpall e mbrojtur. Kujtojmë se zonat e mbrojtura po rrezikohen nga ndryshimet ligjore që i hapin rrugë investimeve dhe aktivitetit industrial.
“Me devijimin e ujit, do të paralizohet ekonomia e 30 fshatrave, e cila mbështetet në bujqësi dhe blegtori. E vetmja rrugë është braktisja e zonës nga njerëzit”, u shpreh ish-kryeplaku i fshatit Kuç, Asllan Lala.
Banorët e zonës kërkojnë ndërprerjen e punimeve dhe shfrytëzimin e burimeve alternative për furnizimin me ujë.
Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania e cilësoi projektin e ujësjellësit në Bashkinë Himarë si “një ndërhyrje e drejtpërdrejtë dhe e pakthyeshme” në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa të shpallur në mars 2023 si zonë e mbrojtur kat.II.
Nika sqaron se devijimi pritet të thajë shtratin e lumit gjatë verës. “Devijimi prej 104 l/s, ku prurja mesatare vjetore e ujit llogaritet të jetë 139 l/s, pritet të lërë shtratin e lumit të thatë gjatë verës”, tha Nika.
Shushica është një prej degëve kryesore të Vjosës, si pasojë siguron një mbrojtje të lartë me letra, pas shpalljes së Vjosës Park Kombëtar.
Eksperti Nika sqaron se lumi i Shushicës rrjedh kryesisht në një formacion gjeologjik karstik, ku është tipike fundosja e ujit nën tokë dhe “çdo devijim i ujit do të ketë një ndikim të rëndësishëm në lidhjen gjatësore të ekosistemit lumor”.
Gjatë protestës u ngrit sërish shqetësimi për mungesën e konsultimit për këtë projekt.
Sipas banorëve që protestuan, 35 fshatrat e prekura nuk janë̈ konsultuar asnjëherë̈ për këtë projekt edhe pse do të jenë ata që do të ndikohen drejtpërdrejt nga devijimi i ujit.
Citizens Channel i dërgoi një kërkesë për koment Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), e cila nuk bëri asnjë vlerësim mbi ndikimin që mund të kishte shndërrimi i asaj hapësire në vepër marrje për ujësjellësin e ri, duke pranuar propozimin e raportit teknik menjëherë. Deri në publikimin e shkrimit nuk morëm një përgjigje nga AKZM.
Banorët janë mobilizuar që prej muajit gusht, kur janë ndeshur me punimet në terren. Pas reagimit të parë, ata bllokuan punimet në veprën e marrjes, në rrjedhën e sipërme të Shushicës pranë fshatit Kuç. Ne mes të gushtit të Ura e Laskos u zhvillua protesta e dytë e banorëve, të cilët bllokuan përkohësisht edhe rrugën kryesore. Të shtunën ata mbajtën protestën e 4.
Lëvizja e tyre është shoqëruar dhe me hapa ligjor, pasi i janë drejtuar institucioneve me peticione dhe kërkesa për informacion, po nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Komuniteti dhe shoqata EcoAlbania kanë depozituar akt padi për kundërshtimin e projektit në Gjykatën Administrative për të kundërshtuar edhe ligjërisht këtë projekt. Ata shprehen se projekti nuk është në përputhje me legjislacionin mjedisor dhe as me kuadrin ligjor të konsultimit publik. Punimet vijojnë në anën e Himarës, pranë përroit të Kudhësit për hapjen e rrugës së re të aksesit.
“Si u projektua ujësjellësi brenda Parkut Kombëtar?”
Leja për ujin është lëshuar në dhjetor 2021, por burimi i Lepushës ndodhet brenda territorit të mbrojtur “Pylli i Dushkut të Zercit”. Ky territor është një monument natyre që i përket një formacioni të veçantë dushqesh të gjelbëra, habitatet e të cilit, në rang kombëtar, janë klasifikuar në listën e kuqe të llojeve të rrezikuara, duke qenë kështu një burim i mbrojtur.
Edhe pse një vend i pasur me burime ujore, në Shqipëri ende ekziston mungesa e ujit 24 orë.
Që nga viti 2007, mbulimi i përgjithshëm i furnizimit me ujë ka mbetur i njëjtë, në nivelin 77.7% deri në vitin 2021. Kështu zonat urbane përgjatë vijës bregdetare sidomos gjatë muajve të verës o e vuajnë më së tepëri këtë problem. Durrësi, Vlora, Himara apo Saranda po përballen me sfida të mëdha për sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.
Nisur nga ky problem është hartuar projekti që parashikon devijimin e luginës për të dërguar ujin në Himarë.
Programi Ujësjellësve Rural IV zbatohet në bashkitë Himarë & Orikum për zhvillimin e turizmit në këtë zonë të Rivierës Shqiptare.
Sipas projektit, 80 mijë banorë dhe turistë do të përfitojnë nga ky shërbim.
Zhvilluesi i projektit FSHZH shprehet se ky projekt do të ketë një ndikim pozitiv në mjedis falë ndërtimit të dy HEC-eve të vegjël në Himarë, duke kontribuar në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe mbrojtjen e mjedisit.
Projekti ka nisur planifikimin në vitin 2019 me studimin e fizibilitetit. Në datën 5 maj 2021 AKM lëshoi Lejen Mjedisore bazuar në VNM Paraprake, pra projektit i është dhënë e drejta për të vazhduar me zhvillimin pa një VNM të plotë. Gjatë vitit 2022 janë dhënë të gjitha lejet, përfshirë këtu Lejen e Përdorimit të Ujit dhe Lejen e Ndërtimit.
Pas procesit të lejeve projekti ka hyrë në fazën e avancuar të ndërtimit. Ndërtimi ka nisur zyrtarisht më 10 janar 2023 dhe pritet të zgjasë 18 muaj. Projekti pritet të përfundojë në gusht 2024.
Sa i përket kërcënimeve që sjell ky projekt, ekspertët kanë hartuar një dokument informues.
“Faza e ndërtimit dhe operimi pritet të kenë një ndikim të madh negativ në peizazhin e zonës, e cila është gjithashtu pjesë e Rrjetit të Zonave të Mbrojtura, përkatësisht “Pylli i Dushkut të Zercit”, thuhet në dokument. Referuar të njëjti dokument, thuhet se faza e operimit pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm dhe të pakthyeshëm në regjimin e rrjedhës së ujit dhe sedimentit të Shushicës, duke cenuar integritetin ekologjik të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.
Projekti i devijimit, referuar ekspertëve të EcoAlbania, ka të ngjarë të ndikojë në funksionalitetin e lumit dhe do të reflektojë ndikimin negativ në florën dhe faunën ujore dhe bregore të lumit.
Shqetësuese për komunitetin dhe ekspertët është edhe parashikimi i ndërtimit të 2 HEC-eve të vegjël pranë Himarës.
Në studimin e fizibilitetit si dhe në shpalljen publike të projektit përmendet ky fakt. Megjithatë, një informacion shumë i kufizuar është dhënë në Raportin e VNM-së për këto projekte. “Është e paqartë se kush do ta drejtojë këtë HEC dhe sa është kapaciteti i tyre i instaluar”, thuhet në dokument.
Për ekspertët më e rëndësishmja është se ky projekt po dëmton Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa si vizion, “por edhe për sa i përket ndikimit të pritshëm negativ të pakthyeshëm në vlerat e ruajtjes së natyrës së tij”.
The post “Ujësjellës apo Park Kombëtar?”; Banorët e Shushicës në protestë për mbrojtjen e natyrës appeared first on Citizens.al.