“Tubi i firmave”, akt proteste në mbrojtje të ujit të Shushicës

Qemal Malaj dhe Sotir Zahoaliaj lidhën me nxitim një tub blu prej tre metrash mbi një benz 190. Prej tetë ditësh, të dy banorët e fshatit Brataj në luginën e Shushicës kanë shëtitur tubin në fshatrat përreth për të mbledhur firma nga banorët e zonës si një formë kundërshtie ndaj projektit të ujësjellësit të Himarës.

Ky ujësjellës do të devijojë ujin e Lëpushës nga burimi i Shushicës duke e futur atë në tuba me qëllim që të furnizohet me ujë fshatrat dhe zonat turistike të Himarës.

“Jo sepse nuk duam që uji të shkojë në Himarë, por sepse ne këtë pasuri kemi dhe marrja e këtij lumi është në mënyrë abuzive. Fillimisht kanë thënë që do të marrin 1/3 e burimit, ndërsa tani kërkojnë të marrin edhe një burim tjetër. Ne e kundërshtojmë me forcë dhe do të vazhdojmë deri sa të anulohet ky projekt”,- rrëfen Qemal Malaj.

Sipas Sotir Zahoaliajt, ndjeshmëria e banorëve ndaj projekteve që po zhvillohen në këtë zonë nisi që kur filloi të flitej se do të bëhej një hidrocentral.

“Merret që në rrjedhje, gjë që ne na duket krejt absurde. Këtu ku jemi ne do të ndjehet efekti më pak efekti, por do të ulet shumë nivel i ujit. Do të bjerë vlera e bukurisë së urës dhe të gjitha atyre pellgjeve dhe bukurive që ka ky vend. Pastaj më poshtë do të jetë edhe shumë më problem, sidomos në 10 kilometrat e fundit”,-shprehet Sotiri.

Ai rrëfen se me këtë ujë mbahet e gjithë zona, duke përfshirë aktivitetin bujqësor e blegtoral, por edhe për turizmin, i cili ka premisa për tu zhvilluar me ndërtimin e rrugës.

“E shfrytëzojnë edhe për bagëtitë, sepse zbresin nga mali dhe pinë ujë në këtë segment, rreth 7-8 kilometra. Vitet e fundit, me bërjen e rrugës shfrytëzohet shumë edhe për turizëm, për plazh. Kjo ka rigjallëruar ekonominë e zonës dhe kanë nisur të ndërtohen ca lokale edhe ndonjë bujtinë”,- tha Sotiri.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Qemali.

“Këta banorë, në qoftë se ju hiqet ky lumë, atëherë edhe rruga që është bërë ka qenë e kotë. Baza dhe jeta e kësaj zone është ai lumë: për zhvillimin e turizmit, të bujqësisë, të blegtorisë dhe cdo gjë tjetër”.

Pak minuta më tutje fshatit Brataj, ndërsa makina përshkon rrugën gjarpëroshe midis fushave të gjelbra e maleve të thepisur, takojmë Asllan Lalajn. Një zotëri mbi të 60-at nga fshati Kuç, i cili njësoj sikurse Sotiri dhe Qemali, bashkë me të tjerë banorë të zonës po mbushin me firma gjysmën tjetër të tubit.

“Ne kemi qenë në 8 fshatra, që nga Mesapliku, Tërbaci, Vranishti, Bolena, Kallarati dhe dy fshatrat e Kuçit. Të gjithë banorët, sa e merrnin vesh që ishte për problemin e ujit, vinin e firmosnin, pasi është jetë. Marrja e ujit nga Kuçi për në Himarë, do të thotë që të thahet lumi dhe s’ka as për pirje, as për vaditje”,-tregon Asllan Lalaj.

Sipas tij, banorët janë treguar mjaft të gatshëm ta nënshkruajnë, pasi uji është burim jete për ta. Ndërsa shton më tej se ky projekt po zhvillohet pa i pyetur banorët.

“Nuk është bërë dëgjesë publike fare me komunitetin. Është gënjyer për sasinë e ujit që do të marret, ndërkohë që thonë do marrim 140 litra dhe do lemë 310 litra. Aktualisht nuk janë 200 litra, që kanë qenë dhe ujërat e dimrit”,-argumenton Asllani.

Sipas tij, të dhënat për kapacitetin e burimit janë të bazuara në shumë vite më herët.

“Statistikat nuk janë të freskëta, por janë marrë të viteve ‘79-’89, kur ka pasur rreshje. Ndërsa tani sa po vjen dhe është thatësirë, ka rënë nivel i ujit dhe të burimeve”.

Ditën e djeshme në Vlorë u mbajt një dëgjesë publike për planin e menaxhimit të Vjosës Park Kombëtar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.

Foto nga Artan Rama

Foto nga Artan Rama

Daniela Pirushi nga AKZM-ja e Vlorës u shpreh se punimet për ujësjellësin e Himarës kishin nisur para se Vjosa të shpallej Park Kombëtar. Deri më tani janë bërë më shumë se 75% e punimeve theksoi Pirushi. Mirëpo ajo nuk referoi se në çmasë ishin punimet, kur u nënshkrua marrëveshja e mirëkupimit të Vjosës, dy vjet më parë. Sipas Pirushit punimet janë ndërprerë tanimë, pasi janë caktuar dy ekspertë të pavarur nga IUCN-ja për të vlerësuar impaktin e projektit të ujësjellësit në Shushicë.

Projekti i ujësjellësit të Himarës po kryhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pjesë e Programit të Rehabilitimit të Ujësjellësve Ruralë.

Punimet në terren kanë avancuar, duke nisur nga Himara e për të mbërritur afër luginës së Shushicës. Shushica është degëzimi i dytë kryesor pas Drinosit, i lumit Vjosa. Lumi i fundit i egër në Evropë dhe i shpallur në mars të vitit 2023 si Parku Kombëtar i Vjosës.

“Së bashku me degët e lumit Vjosë, konkretisht lumi Drino, lumi Bënçë dhe lumi i Shushicës, bëjnë atë që quhet sot parku i parë në Evropë i një lumi të egër siç është lumi Vjosa”,- u shpreh në 2023-in Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Projektimi i ujësjellësit të Himarës”

Leja për ujin është lëshuar në dhjetor 2021, por burimi i Lepushës ndodhet brenda territorit të mbrojtur “Pylli i Dushkut të Zercit”. Ky territor është një monument natyre që i përket një formacioni të veçantë dushqesh të gjelbëra, habitatet e të cilit, në rang kombëtar, janë klasifikuar në listën e kuqe të llojeve të rrezikuara, duke qenë kështu një burim i mbrojtur.

Edhe pse një vend i pasur me burime ujore, në Shqipëri ende ekziston mungesa e ujit 24 orë.

Që nga viti 2007, mbulimi i përgjithshëm i furnizimit me ujë ka mbetur i njëjtë, në nivelin 77.7% deri në vitin 2021. Kështu zonat urbane përgjatë vijës bregdetare, sidomos gjatë muajve të verës, e vuajnë më së tepërmi këtë problem. Durrësi, Vlora, Himara apo Saranda po përballen me sfida të mëdha për sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.

Nisur nga ky problem është hartuar projekti që parashikon devijimin e luginës për të dërguar ujin në Himarë. Programi Ujësjellësve Rural IV zbatohet në bashkitë Himarë & Orikum për zhvillimin e turizmit në këtë zonë të Rivierës Shqiptare dhe pritet të përfitojnë 80 mijë banorë dhe turistë.

Zhvilluesi i projektit FSHZH shprehet se ky projekt do të ketë një ndikim pozitiv në mjedis, falë ndërtimit të dy HEC-eve të vegjël në Himarë, duke kontribuar në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe mbrojtjen e mjedisit.

Projekti ka nisur planifikimin në vitin 2019 me studimin e fizibilitetit. Në datën 5 maj 2021 AKM lëshoi Lejen Mjedisore bazuar në VNM Paraprake, pra projektit i  është dhënë e drejta për të vazhduar me zhvillimin pa një VNM të plotë. Gjatë vitit 2022 janë dhënë të gjitha lejet, përfshirë këtu Lejen e Përdorimit të Ujit dhe Lejen e Ndërtimit.

Pas procesit të lejeve projekti ka hyrë në fazën e avancuar të ndërtimit. Ndërtimi ka nisur zyrtarisht më 10 janar 2023 dhe pritet të zgjasë 18 muaj. Projekti pritet të përfundojë në gusht 2024.