- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Tkurrja e zonave të mbrojtura alarmon ambientalistët, ndërsa banorët e prekur nga HEC-et enden në gjykatë
Tkurrja e zonave të mbrojtura alarmon ambientalistët, ndërsa banorët e prekur nga HEC-et enden në gjykatë
Sot u zhvillua seanca e radhës e padisë së tretë të ngritur nga banorët dhe aktivistët e angazhuar në mbrojtje të Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj, Mat. Pala e paditur është Entit Rregullator i Energjisë (ERE) dhe kompanisë “Seka Hydropower”.
Paditësit kërkojnë shfuqizimin e vendimit për të licencuar shoqërinë “Seka Hydropower”, për një serë shkeljesh, ku më kryesorja është kryerja e punimeve brenda zonës së mbrojtur.
Vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë pritet të jepet javën e ardhshme, pasi ERE kërkoi një javë kohë.
Edhe këtë të hënë, banorë nga Zall-Gjoçaj dhe aktivistë ishin të pranishëm në pritje të një vendimi nga Gjykata.
Ata tentuan të shpalosnin banderolën e cila përmban hartën e Parkut Kombëtar ku po punohet për të ndertuar hidrocentralet, “Sekë” dhe “Zais”, por ajo u hoq nga punonjës të institucionit.
Reagim rreth studimit të kryer nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Përmes një kërkese për informacion, pohohet se Parku Kombëtar Zall-Gjoçaj mund të hiqet nga rrjeti i zonave të mbrojtura. Ky vendim vjen pasi është kryer një studim nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe një grup ekspertësh dhe është propozuar që zona e Melthit dhe Zall-Gjoçaj të jetë jashtë këtij rrjeti.
Marrë shkas nga ky informacion, një grup ambientalistësh mbajtën një komunikatë para Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, përpara fillimit të seancës gjyqësore të ngritur nga banorët e Zall-Gjoçaj, ku kërkuan rishikimin e këtij studimi, i cili sipas tyre i hap rrugë shfrytëzimit të zonave të pasura me biodiversitet.
Një tjetër kërkesë e shoqatave mjedisore, përcjellë përmes ambientalistit Lavdosh Ferruni, është shkarkimi i Drejtorit të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedei.
“Sipas këtij studimi, hiqen disa sipërfaqe me vlera të larta të biodiversitetit, duke i hapur kështu rrugën betoniereve kudo në parqet kombëtare, nga Ksamili në Divjakë, në Theth, Lurë, Shebenikë-Jabllanicë”, – u shpreh gjatë fjalës së tij Ferruni.
Drafti i këtij studimi shprehet se në fakt zona e Zall-Gjoçaj ka vlera të larta dhe një mori habitatesh.
Megjithatë, pak javë më parë, Agjencia Kombëtare e Zonave të mbrojtura deklaron zyrtarisht se zona që përfshin fshatin Melth dhe Zall Gjoçaj parashikohet të zhvillohet me infrastrukturë rrugore dhe se studimi i kryer nga AKZM propozon që kjo zonë të jetë jashtë rrjetit të zonave të mbrojtura.
The post Tkurrja e zonave të mbrojtura alarmon ambientalistët, ndërsa banorët e prekur nga HEC-et enden në gjykatë appeared first on Citizens.al.