- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Tiranë: Protestë kundër korrupsionit
Tiranë: Protestë kundër korrupsionit
Lëvizja Bashkë mbajti sot protestën e dytë kundër korrupsionit, së bashku me qytetarë të tjerë që iu bashkuan protestuan marshuan nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë.
Me thirrje denoncuese ndaj korrupsionit, qytetarët kërkuan që SPAK të hetojë të gjitha rastet e korrupsionit pa dallim.
“Vidhet me koncesione. Vidhet me prokurime. Vidhet me leje ndërtimi. Vidhet në spitale. Vidhet në shkolla”, ishin disa nga thirrjet që denoncuan korrupsionin gjatë protestës.
Aktivistët përmendën inceneratorin e Tiranës si rast korrupsioni që sipas tyre nuk po hetohet plotësisht nga SPAK, pasi emri i kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj nuk është thirrur.
“Erion Veliaj është njeriu kryesor që propozoi dhe çoi përpara projektin për inceneratorin e Tiranës, pavarësisht kritikave dhe mospajtimeve në qeveri dhe opinionin publik. Edhe pse kërkesat mbajnë firmat e tij, kurrë nuk mund të mendohet se ai është i vetëm”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Bashkë.
Kujtojmë se inceneratori i Tiranës fillimisht u prezantua si një investime privat me vlerë 140 milionë euro, i cili do të paguhej nëpërmjet një tarife për incenerimin e mbetjeve nga njësitë e qeverisjes vendore të qarkut Tiranë. Por investigimet mediatike dhe auditimi i KLSH zbuluan se kostot e projektit për taksapaguesin janë gati tre herë më të mëdha.
Aktualisht për këtë çështje SPAK ka nisur hetimet dhe ka identifikuar miliona euro fatura të falsifikuara për projektin.
“Po drejtësia për vjedhjen e jashtëzakonshme me inceneratorët nuk po vihet tërësisht në vend. Erion Veliaj dhe Edi Rama nuk kanë dalë ende përpara institucioneve të drejtësisë dhe ekzistojnë dyshime të forta se mund të amnistohen”, thuhet më tej në reagimin e Lëvizjes Bashkë.
Gjatë protestës në fokus ishin po ashtu edhe koncesionet në shëndetësi, të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik prej 5,6 miliardë lekësh. Përmes Partneritetit Publik Privat, Ministria e Shëndetësisë ka kaluar 4 shërbime shëndetësore tek privatët.
Kontratat koncesionare janë ndeshur që në fillim me mungesë transparence, kosto të larta dhe akuza për korrupsion.
“Kontratat koncensionare në shëndetësi janë shndërruar në barrë financiare për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH)”, thekson raporti i realizuar nga organizata “Together For Life”
“Nuk ka shërbime, e di pse nuk ka shërbime? Jo se kemi mjek të paaftë po se i kanë vjedhur tenderat për pajisjet spitalore”, u shpreh aktivistja Albina Ruko gjatë protestës duke kërkuar hetim të rasteve të korrupsionit në fushën e shëndetësisë.
“Pavarësisht se ne që punojmë paguajmë sigurime shëndetësore çdo muaj, kur shkojmë në spital duhet të paguajmë sërish”, tha kryetari i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori.
Ndotja e ajrit dhe ndërtimet ishin një tjetër çështje që u adresua në protestë.
Aktivisti i Lëvizjes Bashkë Klodi Leka, u shpreh se kryetari i Bashkisë Tiranë është një ndër emrat që duhet të hetohet nga SPAK pasi e ka bërë qytetin e pajetueshëm dhe deklaroi se kullat në Tiranë po bëhen “me para të pista”.
“Bën gjasme sikur mbjell pemë në një qytet i cili po shkatërrohet nga kullat e drogës. Paraja e drogës nuk po shkatërron vetëm industrinë, eksportet po bien, gratë e fasonerive po dalin në rrugë pa punë”, u shpreh Leka gjatë fjalës së tij në protestë.
“Imagjinoni se në këtë vend prej vitit 2016 vdesin vit pas viti rreth 5000 qytetarë nga ndotja e ajrit”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Bashkë mbi ndotjen e ajrit.
Kujtojmë se Tirana është një nga qytetet më të ndotura ën Europë dhe se prej vitesh institucionet kanë dështuar të masin cilësinë e ajrit. Citizens Channel ka raportuar më herët se si u zhdukën të dhënat e cilësisë së ajrit në Tiranë.
Po ashtu ata adresuan vdekjet në vendin e punës që sipas tyre është pasojë e korrupsionit.
“Kushtet e punës në Shqipëri janë skandaloze. Më të ekspozuar ndaj vdekjeve në punë mbeten punëtorët e ndërtimit dhe minierave. Në katër vitet e fundit në Shqipëri kanë vdekur 137 punëtorë dhe janë aksidentuar 711 punëtorë të tjerë”, shprehet Lëvizja Bashkë me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Kjo çështje u përmend edhe në protestë. Aktivisti Emiljando Kita foli mbi kushtet e minatorëve dhe mosmiratimin e statusit të Minatorit.
“Kemi protestuar me ditë të tëra para Parlamentit për minatorët por askush nuk na ka dëgjuar”, tha Kita duke shtuar se parlamentarët u shërbejnë pakicës. “Ata të paktë janë bërë aq shumë të pasur sa kanë kapur media, gjykata, parti, Parlament, e çdo hallkë të sistemit ekonomik”, tha më tej Kita. Protesta e parë kundër korrupsionit u mbajt një javë më parë dhe Lëvizja Bashkë ka deklaruar se do të vazhdojnë protestat deri sa rastet të marrin drejtësi.
The post Tiranë: Protestë kundër korrupsionit appeared first on Citizens.al.