Tiranë: Homazhe për aktivisten Adelina Sejdini

Një grup aktivistësh kryen sot një marshim-homazh në kujtim të Alma Sejdinit, e njohur ndryshe si Adelina 113, aktivistja shqiptare që vrau veten disa ditë më parë, pas refuzimit të shtetit italian për t’i dhënë shtetësinë. Sejdini kishte gjetur guximin të denonconte grupet kriminale shqiptare që merreshin me trafikimin e qenieve njerëzore, ku një prej viktimave kishte qenë edhe vetë ajo.

Gjatë viteve të tranzicionit në Shqipëri, në moshën 17-vjeçare, ajo e gjeti vetën mbi një gomone, e më pas të trafikuar në Itali. Adelina vendosi t’i besojë drejtësisë italiane, çka çoi në arrestimin e 40 trafikantëve.

Adelina Sejdini, ti je heroinë”, “Adelina në varr, është më e fortë se ju”, ishin disa nga thirrjet që shoqëruan marshimin deri tek ambasada e shtetit fqinj, teksa mbanin në duar lule dhe banerin “Asnjë tjetër si Adelina”.

Mua personalisht më vjen keq që me Adelinën unë dhe shumë të tjera si puna ime jemi njohur vetëm në këto rrethana, teksa ajo nuk është këtu mes nesh”, – tha gjatë fjalës së saj aktivistja Gresa Hasa.

Protestuesit kritikuan dhe raportimin mediatik, duke iu referuar mënyrës si Adelina Sejdini u etiketua pas tragjedisë. “Viktimë trafikimi, jo-ish prostitutë”, u thirr rishtazi gjatë marshimit.

Adelina ishte aktiviste, Adelina ishte një grua e fortë, Adelina ishte një shembull. Adelina ishte një person të cilin të gjithë ne këtu e shohim me krenari dhe nga e cila mund të mësojmë”, – thotë më tej Gresa Hasa.

Femrat e trafikuara të cilat kanë statusin e të penduarës, kanë një mbrojtje të posaçme nga shteti italian. Kjo rezultoi që është vetëm një farsë”- u shpreh Brizida Gjikond përballë ambasadës italiane.

Në mbyllje të organizimit, aktivistët lanë në hyrje të ambasadës italiane fotografinë e Adelina Sejdinit, lulet që mbanin në duar, pankartat dhe banerin “Asnjë tjetër si Adelina”.

Kolektivi Feminist: “Drejtësi për Adelina Sejdinin”

Aktivistet e “Kolektivit Feminist”, përmes një reagimi në rrjetet sociale, e kanë konsideruar Adelinën një aktiviste të pashembull, e cila me guximin dhe kurajon e saj garantoi lirinë dhe mbrojtjen e qindra vajzave dhe grave, duke i shpëtuar nga rrjetet e shfrytëzimit dhe trafikimit.

Por, kontributi i saj, shkruhet më tej në reagim, nuk i garantoi asaj mbrojtje, as nga pala shqiptare e as nga ajo italiane.

Adelina garantoi burgimin e 40 trafikantëve shqiptarë të krimit të organizuar mes Shqipërisë dhe Italisë. Megjithatë, pavarësisht punës së pashoqe dhe kontributit në shoqërinë italiane dhe shqiptare, ajo u braktis nga këto dy shtete që e shfrytëzuan njëlloj”, shkruhet në deklaratë.

“Kolektivi feminist” kërkon drejtësi për të gjitha viktimat e trafikimit.

Ne kërkojmë hapjen e investigimeve serioze për të gjitha masakrat e kryera kundër vajzave dhe grave nga shteti shqiptar dhe mafia, prej fillimviteve ’90 deri më sot”.