- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Teza e provimit të maturës rrjedh vetëm 15 minuta pas fillimit të procesit
Teza e provimit të maturës rrjedh vetëm 15 minuta pas fillimit të procesit
Vetëm 15 minuta pas nisjes së provimit, në rrjetet sociale u bë publike teza e gjuhës shqipe dhe letërsisë, përpos masave strikte të vendosura për mos lejimin e telefonave dhe vendosjen e bllokuesve të valëve.
Teza u publikua në faqen online “Studentët Denoncojnë”, në formatin e paplotësuar.
Rreth 30 mijë maturantë zhvilluan sot provimin e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Testim, i cili nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 12:30.
Përfaqësues të Qëndresës Qytetare, organizatë që merret me çështjet e arsimit dhe edukimit, rrjedhja e tezës gjatë kohës që zhvillohej provimi cënon rëndë integritetin e procesit të maturës shtetërore.
“Nxjerrja e testit nga salla e provimit 15 minuta pas fillimit të procesit tregon edhe njëherë dështimin e Ministrisë së Arsimit për të administruar procesin e provimeve të Maturës Shtetërore. Përpara se të niste diskutimi se sa metra duhet të ishte salla, duhej folur mbi ndëshkueshmërinë e administratorëve të provimeve ku ka dalë teza, ku është përdorur telefoni dhe ku sistemet e sigurisë nuk kanë funksionuar”,-shprehet për Citizens Channel, Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare.
Sipas tij, ka sinjalizime për heqjen e bllokuesve të valëve të instaluar në sallat e provimeve.
“Nga informacionet tona jemi sinjalizuar se në disa salla provimesh janë hequr nga priza bllokuesit e valëve dhe janë deaktivizuar kamerat për të favorizuar maturantët. Kjo situatë sigurisht që dëmton meritën, e cila është shtylla kryesore mbi të cilën ndërtohet matura shtetërore”,-përfundon Xhemollari.
Kjo nuk është hera e parë që teza bëhet publike pa përfunduar ende provimi. Më 1 qershor u bë publike teza e provimit të anglishtes, provimit të parë të maturës shtetërore.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi u shpreh pas shqetësimeve për daljen e tezës së anglishtes se kjo gjë nuk cenon procesin e vlerësimit.
“Gjithmonë, ka njerëz që angazhohen për një qëllim të tillë, sepse fakti që teza del dhe deklarohet për herë të parë, nga e njëjta dorë , na bën të dyshojmë që është e qëllimshme dhe është e inskenuar që më parë, pikërisht për ta vënë në dyshim procesin. Por unë dua t’ju garantoj që masat janë marrë që të gjitha edhe nga ana e 7800, rreth 8000 administratorë në të gjithë vendin. Po kështu ,me qendrat e provimit, po kështu me rregulloret. Kemi ndërgjegjësuar në mënyrë të vazhdueshme edhe vetë maturantët, për të respektuar me rigorozitet të gjitha rregullat që janë parashikuar për maturën shtetërore,”-u shpreh ministrja Kushi.
Rigels Xhemollari thekson se nuk mjaftojnë deklaratat, por masa konkrete.
“Nuk ka nevojë për deklarata nga znj Kushi, por për akte konkrete, padi, hetim dhe ndëshkim, përndryshe në provimet e radhës do të kemi më shumë abuzime me kopjet”-përfundoi Xhemollari.
Në procesin e provimeve të maturës janë angazhuar 1995 administratorë të provimeve. Në vijim, maturantët do të zhvillojnë edhe dy provimet e mbetura, të matematikës dhe lëndës me zgjedhje, përkatësisht në datat 13 dhe 19 qershor 2023.
The post Teza e provimit të maturës rrjedh vetëm 15 minuta pas fillimit të procesit appeared first on Citizens.al.