TEC-et vijojnë lundrimin pa prodhuar energji; 7.2 milionë euro për transportin e naftës

Kompania “Petrofileria” ka fituar pa garë tenderin prej 765 milionë lekësh për depozitimin e naftës së TEC-eve lundruese në Vlorë.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare vendosi në dispozicion 1.1 miliard euro si fond limit për tenderin që u lidh me negocim në mënyrë të panjoftuar.

Dokument i shpalljes se fituesit te tenderit

Tenderi u shpall në 31 korrik dhe procedura u zhvillua në 30 gusht. Ky tender është klasifikuar me “flamur të kuq” në platformën OpenProcurement, për shkak të riskut potencial për parregullsi, pasi nuk ka pasur garë dhe oferta është dakordësuar me negocim përmes KESH dhe kompanisë.

Petrofileria do të kryejë shërbimin e shkarkimit të naftës nga anijet që do të mbërrijnë në Port, depozitimin e saj dhe më pas ngarkimin te kamionat, të cilët do të transportojnë tek dy termocentralet lundruese.

Dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me një kosto prej 46 milionë dollarësh.

Kontrata parashikon që qiradhënësi konsorciumi Excelerate energy + Renco paguhet me 94 000 euro në ditë për shërbimin e prodhimit të energjisë.

“Në 1 janar ne fillojmë me shtimin e kapaciteteve me 114 megavatorë që janë dy anijet prodhuese të energjisë elektrike”, deklaronte në shtator 2022 ministrja Belinda Balluku.

Qeveria shpalli vendin në krizë energjitike gjatë 2023, por pavarësisht kësaj TEC-et lundruese vazhduan të mos prodhonin energji.

Qëllimi i marrjes me qira të dy anije ishte pikërisht prodhimi i energjisë në kohë krize.

Deri në 2022 KESH nuk kishte ende një licencim nga Enti Rregullator i Energjisë ERE për prodhimin e energjisë.  Në mars të 2023 ERE e licencoi KESH për prodhimin e energjisë.

Këto termocentrale janë përballur edhe me kundërshtinë e ambientalsitëve, të cilët i konsiderojnë të dëmshme për mjedisin. Gjatë muajit gusht, një grup qytetarësh dhe organizatash mjedisore dorëzuan një padi kundër TEC-it lundrues të Vlorës.

Ata kërkojnë rrëzimin e kontratës së qiramarrjes të TEC-it lundrues.

“Deri sa të saktësohet ku ndodhen këto kompanitë e konsorciumit, të cilat marrin milionat, sipas kontratës janë paditur vetëm institucionet lejedhënëse dhe firmosëse shqiptare”, thuhej në deklaratën e Mjedisi.al ku bëhej me dije dorëzimi i padisë.

Por edhe pse ambientalistët kanë mbajtur protesta dhe po e ndjekin në rrugë ligjore çështjen, qeveria shqiptare këmbëngul se dy anijet termocentral, që u vendosën vetëm disa qindra metra larg termocentralit të Vlorës nuk janë të rrezikshme për mjedisin.

Termocentrali i Vlorës ka kushtuar 130 milionë dollarë për t’u ndërtuar por nuk u vendos në punë.