- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Të zhytur në varfëri”, mijëra familje presin zgjidhje për abuzimet me mikrokreditë
“Të zhytur në varfëri”, mijëra familje presin zgjidhje për abuzimet me mikrokreditë
Autore: Ola Xama | Citizens.al | Tiranë
15 vjet më parë Bedri Bami mori një kredi prej 93 mijësh për të rregulluar vreshtin. Sipas kontratës me Unionin Shqiptar të Kursim-Kreditit, ai duhet të shlyente 116 mijë lekë. Bedriu hasi vështirësi ekonomike dhe nuk arriti të shlyejë interesat shumën 90 mijë lekë.
Borxhi i mbetur te shoqëria e mikrokredisë u riaktivizohet në vitin 2019, kur përfaqësues të shoqërisë Micro Credit Albania (MCA) i dërgojnë një shkresë dhe e njoftojnë se duhet të paguajë tashmë 115 mijë lekë për detyrimin e mbetur.
I gjendur para kërcënimit se paga me të cilën mbante familjen mund t’i bllokohej, ai firmos një marrëveshje ku bie dakord të paguajë 5 mijë lekë në muaj deri në shlyerjen e shumës.
“Në vitin 2019 detyrimin tim e ka blerë MCA. Më thirrën dhe rashë dakord të paguaj me këste. Marrëveshja ishte skandaloze, kërkonin 115 mijë lekë. Kur i thonim që nuk kemi, na thonin shit gjakun.” tregon ai.
62-vjeçari është invalid i pjesshëm dhe ka vështirësi të punojë për shkak të dëmtimit në njërën dorë, por kjo nuk i ndali punonjësit e MCA që pas një vonese të këstit, të rritin shumën e detyrimit në 136 mijë lekë. “I thashë ku shkuan lekët që pagova deri më sot, 300 mijë lekë(të vjetra)? Ik andej më thanë, e duam ne për interesa e gjoba. Kanë qenë disa vajza vetëm na bërtisnin dhe na keqtrajtonin.”
Sot Bedriut i kanë bllokuar pagën e vëllait, 5 pasuri tokë arrë në Arameras të babait dhe në të shkuarën edhe pagën e bashkëshortes. “Në mars unë pata një incident me ata dhe më shoqëruan në polici. Që nga ajo ditë nuk e kam paguar më kredinë, por më kanë bllokuan pagën e vëllait, nga 400 mijë lekë merr vetëm 100 mijë lekë (të vjetra) që ia kanë lënë për minimumin jetik. I çojnë letra babait 88 vjeç, ç’punë kanë me të që i bllokojnë tokat për 1 milion lekë (të vjetra)? Kam bërë kallzim në prokurori, po të ketë vullnet kjo çështje zgjidhet”, thotë Bedriu.
Mikrokreditë morën edhe minimumin jetik
Jo vetëm Bedriut, por qindra raste të tjera të vendosjes së sekuestrove në llogari kanë zhytur në dëshpërim e varfëri mijëra debitorë. Vendimet e sekuestrove janë në pjesën dërrmuese kërkesa të dy subjekteve me licencë të revokuar së fundi “MCA” dhe “Final”. Këto dy shoqëri u vendosën sot nën sekuestro nga prokuroria e Tiranës, pas hetimeve për krijimin e një skeme mashtruese me qëllim zhvatjen dhe vjedhjen e qytetarëve.
Pas një hetimi 4-vjeçar Prokuroria e Tiranës kërkoi masa arresti për 9 persona, mes të cilëve pronarët e dy shoqërive MCA e Final, përmbarues dhe punonjës të tyre. Autoritetet dyshojnë se këto shoqëri kanë vjedhur qytetarët duke i ngarkuar interesa dhe kamata të paligjshme, e në shumë raste i kanë detyruar të marrin kredi për të shlyer borxhet, mbi të cilat kanë vendosur interesa edhe më të larta. Dëmi i shkaktuar ndaj qytetarëve sipas llogaritjeve që kanë bërë prokurorët është 7.3 milion euro.
Eduard Gjokutajn, konsulent financiar pranë Qendrës Altax sqaron se mikrokreditë nisën si skemë me qasje sociale, për të dhënë hua tek personat që nuk kanë mundësi të lënë kolateral.
“Skema filloi normalisht, por njësoj si në vitin 97’, siç ka ndodhur gjithmonë në Shqipëri, sensi i masës dhe ekuilibri i tregut prishet” thotë Gjokutaj, i cili shton se problemet nisën kur u licencuan shoqëri që filluan të blinin borxhe dhe jepnin kredi shtesë.
“Shumë qytetarë janë mashtruar duke nënshkruar kontrata të reja kredie, me argumentin se do të paguajnë kreditë e vjetra. Në realitet, ata janë futur në marrëdhënie të reja me këto institucione financiar”, thotë avokati Alban Duraj.
29-vjeçarit Alderino Llana prej disa muajsh i është bllokuar paga që merr nga puna si motorist, ndërsa thotë se e ka të pamundur të mbijetojë dhe po merr borxh nga të afërmit.
“Nuk më kanë lënë as minimum jetik. Më duhet të shkoj në punë dhe nuk kam si jetoj, ku të shkoj të mbytem?”, thotë ai.
Alderino mori një kredi me vlerë 2 mijë euro disa vjet më parë në institucionin e mikrokredisë Iute Credit, të cilën nuk ia doli ta paguajë. Emigroi disa vjet dhe është kthyer në Shqipëri, por para disa muajsh kuptoi se Iute Credit tani i kërkon 6 mijë euro për detyrimin total dhe kredinë ia kishte shitur MCA, që pretendon 15 mijë euro.
“Nuk më ka njoftuar njeri as për procedura, as për detyrimin që kisha. I kam dërguar ankesë Ministrisë së Drejtësisë, Bankës së Shqipërisë, BKT-së. Më kthyen përgjigje që nuk mund të bëjmë asgjë”, tregon ai.
Prej tre dekadash Parlamenti ka hezituar të miratojë një ligj që përcakton minimumin jetik, i njohur si sasia e parave që garanton plotësimin e nevojave për ushqim, strehim, shëndetësi dhe disa shërbime bazike. Aktualisht, një pjesë e institucioneve financiare marrin për referencë pensionin social 9,400 lekë, si nivel që përcakton minimumin e nevojshëm për të siguruar jetesën.
“Ka nevojë për ndërhyrje më të gjerë ligjore, qoftë me masa të përkohshme që të pezullojnë urdhrat e bllokimeve të këtyre dy shoqërive derisa çështja të sqarohet”, thotë avokati Gentian Serjani, nga qendra “Drejtësi Sociale”.
Për avokatin Alban Duraj këto janë veprime kundërligjore dhe në kundërshtim me parimin e humanizmit dhe të drejtave të njeriut. “Shumë banka e shkelin dhe parimin e pensionit social dhe bllokojnë të gjitha llogaritë”, shton ai.
Shqetësimin e ka ngritur disa javë më parë dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në një letër dërguar Këshillit të Ministrave ku shprehet se numri i lartë i ankesave të qytetarëve ka krijuar dyshime se shoqëritë Final dhe MCA kanë ngritur një skemë të kundraligjshme.“Llogaritë personale të qytetarëve janë mbajtur të bllokuara pa afat për muaj me radhë, në shkelje të rëndë të çdo procedure ligjore”, thuhet në letrën e Ministrit Manja.
“Si ka mundësi të ndodhë kjo? Me këtë logjikë të thonë vdis njëherë, pastaj e shohim çfarë mund të bëjmë. Nuk i çoj dot as në gjykatë për të kundërshtuar urdhrin se nuk kam mundësi financiare”, shprehet i humbur Aldorini.
Ekspertët thonë se Ministria e Drejtësisë duhet të gjejë mënyrën që për të prekurit nga kjo skemë të ofrojë ndihmën ligjore falas.
“Në dy raste që po ndjek unë privatisht, vendbanimi i tyre është në Tiranë, por janë të regjistruar në Pogradec dhe çështjet shkuan në Gjykatën e Shkallës së Parë atje fillimisht, më pas na çuan në Korçë. Përmbaruesit që ka kryer veprime të paligjshme, i është hequr licenca nga Ministria e Drejtësisë dhe duhet të dorëzonte arkivën, por nuk e ka bërë. Kemi 3 seanca që na shtyhen sepse gjyqtarja me të drejtë thotë nuk kam dosjet”, tregon avokati Serjani.
Banka e Shqipërisë premton zgjidhje, por detyrimet nuk do të falen
Rami Xhango është një tjetër viktimë e skemave të mashtrimit të MCA. Ai thotë se mori një kredi me vlerë 500 mijë lekë pranë bankës Pro Credit në vitin 2008, por nuk arriti të shlyente 220 mijë lekë të mbetura dy vitet e fundit dhe 2017-n është kontaktuar nga MCA. Shuma ishte rritur në 400 mijë lekë dhe ai detyrohet të pranojë ofertën e tyre për të marrë kredi të re, të cilës i ngarkojnë dhe 80 mijë lekë të tjera interesa. “Mora kredi të re te Alpha Bank, më dërguan këta të MCA-së. Erdhi një juriste dhe nxori çekun por nuk e morëm ne, e mbajti ajo dhe ia kaloi MCA. Vazhdoj të paguaj rregullisht këstin 5 mijë lekë të rinj në muaj, e kam deri në vitin 2027” thotë ai.
Foto: Çeku i kredisë në Alpha Bank të Rami Xhangos
Ramiu kërkon drejtësi për paratë shtesë që po paguan, kamata dhe gjoba të vendosura padrejtësisht, por dhe zhbllokimin e llogarive dhe pronave që po i mbahen peng sepse ka qenë dorëz te kredia e një të afërmi.
“Dhe te ajo kredi që isha garantor nga 1.5 e kanë çuar 2 milion (të vjetra). Këtë nuk e pranoj, e pranova njëherë padrejtësinë. Si mund të bllokojnë llogaritë dhe pronat me vlerë 30 mijë euro për 2 milion lekë?” shton ai.
Për këto raste Banka e Shqipërisë ka njoftuar se ka ndryshuar rregulloren që të mundësojë bazën ligjore për mënyrën e likuidimit të shoqërive që administrojnë borxhet.
Zgjidhja pritet të vijë përmes caktimit të një likuidatori shtetëror i cili do të vendoset bashkërisht me Ministrinë e Drejtësisë. Pas këtij veprimi, do të nisë shqyrtimi i llogaritjes së penaliteteve dhe kamatave për qytetarët që kanë ankesa ndaj MCA dhe Final.
Banka e Shqipërisë i ka kërkuar qytetarëve që këto ankesa t’i depozitojnë bashkë më një përshkrim të detajuar të rastit, në mënyrë që të nisë shqyrtimin.
Eksperti Eduart Gjokutaj shpjegon se likuidatori e ka në këtë rast detyrimin për të zgjidhur situatën dhe se kjo nuk është vetëm një çështje e drejtësisë.
“Fillimisht nevojitet një audit dhe përmbledhja e rasteve, më pas duhet të nisë shqyrtimi sipas radhës së tyre. Nëse ka ngarkesë, edhe institucionet mund të ofrojnë ndihmë në administrimin e procesit sepse çështja përbën interes publik” sqaron Gjokutaj.
Banka e Shqipërisë njoftoi se detyrimet nuk do të falen dhe këshillon të gjithë qytetarët që kanë një marrëveshje huaje me këto institucione, të bëjnë pagesat rregullisht dhe të ruajnë dokumentin e pagesës.
Për rastet kur pretendimet lidhen me veprimet e parregullta përmbarimore, Banka e Shqipërisë ka deklaruar se ankesat do të përcillen pranë Ministrisë së Drejtësisë, si autoriteti kompetent që rregullon këtë veprimtari.
“Ministria e Drejtësisë duhet të shohë si janë licencuar përmbaruesit sepse nuk ka probleme vetëm me kreditë por dhe me garantorët, ku abuzohet me bllokimin e pronave dhe llogarive bankare duke mos respektuar as minimumin jetik”, përmbyll Gjokutaj.
The post “Të zhytur në varfëri”, mijëra familje presin zgjidhje për abuzimet me mikrokreditë appeared first on Citizens.al.