- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Të hënën Këshilli Bashkiak i Tiranës do të votojë për shembjen ose jo të Teatrit Kombëtar
Të hënën Këshilli Bashkiak i Tiranës do të votojë për shembjen ose jo të Teatrit Kombëtar
Këshilli Bashkiak i Tiranës u njoftua se ditën e nesërme më datë 15 maj 2020, do të kalonte në votim projektvendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Me anë të një e-maili dërguar këshilltarëve të Bashkisë, është bërë e ditur se votimi në mesditë për shembjen e Teatrit kombëtar do të bazohej në akt ekspertizën e Institutit të Ndërtimit, i realizuar në vitin 2018.
Menjëherë pas bërjes publike të këtij njoftimi, u bë e ditur shtyrja e saj për të hënën e datës 18 maj 2020.
Sipas dokumentacionit të bërë publik nga Birn Albania, akti i ekspertizës e shpall godinën e Teatrit Kombëtar në gjendje shumë të rëndë dhe riparimi i saj kërkon kosto shumë të larta.
“Riparimi i objektit dhe sjellhja në kushtet teknike të sotme, përbën një vështirësi. Ajo kërkon kosto të larta disa herë më tepër se kostoja minimale fiskale dhe një ndërhyrje rrënjësore në 90% të objektit. Kërkon ndërhyrje në themele, në strukturën mbajtëse të objektit, në catinë e objektit si dhe në soletat e ndërkateve. Ndërhyrja sado e madhe të jetë në object, nuk e sjell në kushtet optimale teknike të sotme sipas kodeve të projektimit”,-thuhet në akt ekspertizën e firmosur nga Agron Hysenlliu
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, grupim që prej dy vitesh proteston në mbrojtje të godinës, ka reaguar në rrjetin social facebook, duke bërë të qartë vëmendjen dhe angazhimin e tyre këto dite.
Ditën e djeshme, pak orë pasi ishte bërë publik Vendimi i Këshillit të Ministrave që ja kalon godinën në pronësi Bashkisë, punonjës të policisë bashkiake i dorëzuan aktivistëve një akt konstatimi gjysmë të plotësuar, ku njoftoheshin se duhet të lironin ambientet e e Teatrit, ku prej një viti vijon qëndresa e pandërprerë.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, Qeveria i kaloi truallin e Teatrit në pronësi Bashkisë Tiranë, duke ia kaluar drejtpërdrejt përgjegjësinë e veprimit për projektin e shumëdebatuar që parashikon shemben e godinës.
Presidenti Meta dërgon padi në Gjykatën Kushtetuese: “Kalimi i Teatrit në pronësi të Bashkisë, akt anti-kushtetues “
Vendimi për të kaluar Teatrin në pronësi të Bashkisë Tiranë u shoqërua me reagime publike nga përfaqësues të vendit dhe aktivistë.
Ditën e sotme Presidenti i Republikë së Shqipërisë, Ilir Meta në një dalje publike e konsideroi vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin e pronës publike nga pushteti qëndror te ai vendor si anti-kushtetues.
“Bashkia Tiranë nuk mundet të ketë në pronësi dhe aq me tepër të shprehet për ceshtjet që kapërcejnë kufijtë e kompetencës dhe juridiksionit vendor që i përkasin sipas ligjit. Juridiksioni i Bashkisë Tiranë për të vendosur për Teatrin Kombëtar është i kufizuar. Për një pasuri të tillë publike, pronësia duhet të qëndrojë vetëm në emër të Republikës së Shqipërisë“,-u shpreh sot presidenti Meta.
Presidenti Meta e konsideroi shembjen e Teatrit Kombëtar si humbje të memories kolektive.
“Përmes këtij akti, shqiptarët kudo janë, sot rrezikohen të humbasin një pasuri publike me interes të lartë kombëtar. Me prishjen e tij trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar që mishërohet në këto godina, synohen të zhduken dhe memoria jonë e përbashkët kolektive, të humbasë . Ky vendim i Këshillit të Ministrave vazhdon të bartë qëllimin anti-kushtetues për cënimin e pasurive pronë publike, që janë të lidhura ngushtësisht me trashëgiminë kulturore, kombëtare dhe identitetin kombëtar”,-u shpreh presidenti Meta.
Që prej kalimit të truallit në pronësi të Bashkisë, sheshi i Teatrit është mbushur sërish me mbështetës dhe aktivistë për t’i paraprirë çdo veprimi të Bashkisë në vijim.
The post Të hënën Këshilli Bashkiak i Tiranës do të votojë për shembjen ose jo të Teatrit Kombëtar appeared first on Citizens.al.