“Të gjitha rrugët të çojnë te oligarkët”, Lëvizja Bashkë denoncon projektet infrastrukturore

Për aktivistët e Lëvizjes Bashkë, projektet e mëdha infrastrukturore në vendin tonë janë vënë në shërbim të një grushti njerëzish.

Të gjitha autostradat, tunelet, rrugët qytetase dhe ndërqytetase të çojnë ose te vilat, ose te qendrat tregtare dhe llogaritë bankare të një grushti njerëzish, ortakë me Edi Ramën dhe ministrat e tij. Sakaq, qytete, fshatra, biznese, arka e shtetit vidhen dhe rrënohen”, – thuhet në reagimin zyrtar të Lëvizjes Bashkë.

Në shenjë proteste, ata shpalosën ditën e sotme një banderolë me shkrimin “Të gjitha rrugët të çojnë te oligarkët”.

Në reagimin publik, ata përmendin rrugën Thumanë-Kashar, “një nga më të shtrenjtat në historinë tonë moderne”. 

Lëvizja Bashkë shprehet se “qeveria ia dha oligarkut Bashkim Ulaj, i cili shpenzoi afro 300 milion euro për të korrur mbi 1.3 miliard euro në 35 vitet e ardhshme”.

Rruga u ndërtua nga kompania Gener 2 me fondet e veta, ndërkohë që kalimi do të jetë me pagese. Për makinat e thjeshta me 4 vende pagesa do të jetë 2.5 euro duke përfshirë TVSH-në. Tarifa do të përllogaritet çdo vit në bazë të kursit të këmbimit dhe do të pasqyrohet në vlerë në mënyrë kumulative çdo 4 vjet. 

Koncesionari do të mbledhë sipas planifikimit mbi 1.3 miliardë euro të ardhura nga kjo tarfië për 35 vite. 

Investimi i dytë që sjell në vëmendje Lëvizja Bashkë përmes askionit të tyre, është Tuneli i  Llogarasë i përuruar me këngë e valle nga qeveria. 

“Tuneli i Llogarasë, i cili të çon te vilat luksoze të Samir Manes në Palasë, i kushtoi buxhetit të shtetit 170 milion euro dhe në mbarim të vitit elektoral, do ti vihet trau i pagesës. Po jo për milionerët e Green Coast-tit, por për qytetarët e zakonshëm”, – denoncon Lëvizja Bashkë. 

E treta në listën e tyre është Rruga e Kombit “për të cilën qytetarët shqiptarë paguan mbi 1 miliard euro, qeveria ia dha oligarkut Shefqet Kastrati dhe tani e ka nën zotërim oligarku Pëllumb Salillari”.

Aktivistja e Lëvizjes Bashkë Loreta Koelci, tha për Citizens se prej kohësh ata kanë denoncuar si lëvizje lidhjen e pushtetarëve me oligarkët. 

“Problemi është se këtu ndërtohet dhe bëhet infrastruktura me buxhetin e shtetit për të përfituar një grup njerëzish që kanë zaptuar pasuritë publike. Ndaj slogani ynë ishte: “ Të gjitha rrugët të çojnë tek oligarkët”, si unaza e madhe që të çon në Teg, si tuneli në Llogara që të çon në Green Coast, si rruga Thumanë-Kashar”, thotë Koleci.

Aktivisti Klodi Leka thotë se aksioni i tyre vjen si përgjigje ndaj “vjedhjes”.

“Një rrugë prej 21 kilometrash u ndërtua me një kosto  jashtëzakonisht të larte prej rreth 300 milion eurosh dhe se ne do ti paguajmë oligarkut Bashkim Ulaj, 1.3 miliard euro në 35 vitet e ardhshme”, thotë Leka për Citizens.

Por kjo nuk është e vetmja arsye thotë ai për të ngritur zërin, kjo pasi autostradat po bëhen të gjitha me pagesë. 

“Vjedhja është e katërfishtë”, thotë ai.  “Na vodhën kur u ndërtuan ngaqë kushtuan shumë shtrenjtë duke përbërë kështu akte skandaloze korrupsioni”, shprehet Leka duke shtuar se qytetarët vidhen me taksa që nuk shkojnë për mirëmbajtje, vidhe nga nafta, nga pagesa të paarsyeshme për trarët dhe këto para thotë Leka “shkojnë ne xhepat e oligarkëve”.

 “Besojmë se nuk është e rastësishme që këto rrugë të shpien ose në qendrat tregtare, apo në resortet luksoze, të një grushti oligarkësh”, deklaron Leka duke shtuar se rrugët e reja janë të domosdoshme, por kostot e ndërtimit dhe qëllimi i tyre nuk parashikojnë ringjalljen e fshatrave dhe qyteteve dhe fushave të ndryshme të ekonomisë.