- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Të dhënat personale në rrezik, hakerat iranianë publikojnë fotot e rreth 17 mijë qytetarëve
Të dhënat personale në rrezik, hakerat iranianë publikojnë fotot e rreth 17 mijë qytetarëve
Fotot e rreth 17 mijë qytetarëve shqiptarë dhe të dhënat e tjera personale, janë publikuar sot në rrjetin Telegram nga grupi i hakerave iranianë “Homeland Justice“.
Vetëm përpara tre ditëve i njëjti grupim publikoi të dhënat e rreth 65 mijë qytetarëve duke përfshirë numër ID, emër, mbiemër, gjini, vendlindje, vendbanim si dhe numrat e celularëve, ndërsa listat e sotme përfshinte dhe fotografitë e tyre.
“Minimalja që çdo qytetar shqiptar rrezikon është klonimi dhe kopjimi i identitetit, me anë të të cilave mund të kryhen akte kriminale” – analizon Besmir Semanaj, specialist i krimit kibernetik.
Kjo nuk është hera e parë që ky grupim bën sulme të tilla. Përmendim aksionin e tyre të fundit, më 31 janar 2024 ku u kopjuan të dhënat e INSTAT, por drejtori i përgjithshëm i AKCESK, Igli Tafa në një dalje mediatike nënvizoi se të dhënat e censusit janë të sigurta.
Më përpara “Homeland Justice” ka publikuar të dhënat kreut të SHISH, Helidon Bendo, të dhënat personale dhe udhëtimet jashtë vendit të kryeministrit, e mailet e ish drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, të dhënat personale të qytetarëve, numrat e telefonit, targat dhe llojet e automjeteve që posedojnë, dokumente dhe e maile të administratës publike, etj.
Besmir Semanaj shpjegon se ndryshe nga të dhënat e patronazhistëve, që në thelb kishin shfrytëzimin e tyre, por jo publikimin, në këtë rast kemi të bëjmë me hakerim të provuar tanimë, pasi grupi iranian e ka marrë vetë përgjegjësinë për sulmet e ndodhura.
“Nuk do të thotë që është një hakerim i ri, probabiliteti më i lartë është hakerimi që ka ndodh përpara dhe i postojnë me një kohë të skeduluar, pra pjesë – pjesë”- vijon më tej Semanaj.
Ajo çfarë konsiderohet më problematike sipas ekspertit, është se për asnjë sulm të ndodhur institucionet vendase nuk kanë reaguar publikisht.
“Duke mos pasur reagim të institucioneve shtetërore, ka humb besueshmërinë dhe postimet e hakerave merren si ti mirëqena. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhte. Nëse grupi i hakerave mund të nxjerrë një e mail që mund të jetë totalisht fake, të gjithë qytetarët do jenë të predispozuar ti besojnë atyre, prandaj është e nevojshme të ketë transparencë” – shpjegon ai.
Semanaj shton se përvec pjesës së AKSHIT (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) mbi të cilin ka një raport nga Microsofti, por edhe nga vetë institucioni mbi situatën e krijuar, institucionet e tjera vijojnë në heshtje.
“Kemi hakerim të Policisë së Shtetit dhe asnjë reagim, të faqes së parlamentit dhe asnjë lloj informacioni, kishim sulm të Kontrollit ët Lartë të Shtetit dhe sërish kaloj pa llogaridhënie. Kemi dhe një hetim parlamentar për pjesën e TIMS dhe nuk e dimë çfarë ka ndodhur në të vërtetë, nëse këto të dhëna janë në posedim në grupe kriminale apo jo” – përfundon Semanaj.
Sulmi i parë i “Homeland Justice” u regjistrua në korrik të 2022 ku shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht. Ndërsa në 9 shtator 2022 u sulmua sistemi TIMS, duke krijuar radhë të gjata në pikat kufitare.
The post Të dhënat personale në rrezik, hakerat iranianë publikojnë fotot e rreth 17 mijë qytetarëve appeared first on Citizens.al.