- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Sulmohet MediaLook”, mbyllet profili i gazetarit Elvin Luku
“Sulmohet MediaLook”, mbyllet profili i gazetarit Elvin Luku
Të dielën, 30 qershor, profili personal në Facebook i drejtuesit të medias MediaLook, Elvin Luku u sulmua dhe u mbyll pas një vale raportimesh.
Ky veprim bëri të pamundur aksesin në profilet e medias, pasi ato menaxhohen nga profili i Lukut.
Në një reagim për Citizens, Elvin Luku tha se ky sulm nuk erdhi papritur pasi që prej prillit është përballur me sulme të vazhdueshme kibernetike.
“Kemi pasur disa email-e që kanalizoheshin në spam, të cilat janë fshirë, kështu klasifikohen, ne nuk i kemi klikuar por kjo tregon tentativën për ta mbyllur faqen”, tha Luku për Citizens.
Sipas të dhënave që disponohen, Luku sqaron se sulmet kanë qenë të llojit “DDoS”, me IP nga India, Pakistani dhe një numër i madh nga Rusia.
Çfarë janë sulmet DDoS
“Distributed Denial of Service” janë sulme kibernetike ku shumë pajisje të infektuara me malëare përdoren për të mbingarkuar një server, faqe interneti apo rrjet me një volum jashtëzakonisht të madh trafiku. Qëllimi është të mbingarkojnë faqen e shënjestruar përtej kapacitetit që ajo mund të mbajë, për ta bërë atë të papërdorshme.
Luku sqaron se nuk kanë ndonjë të dhënë se nga kush ka ardhur sulmi, por përmendi veprimtarinë e muajve të fundit të medias, ku kanë bërë një cikël trajnimesh për dizinformimin.
Ndër temat e diskutuara në Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë nga MediaLook ishte hulumtimi se si Bashkia e Tiranës dikton përmbajtjen mediatike.
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt ka reaguar për këtë sulm, duke u shprehur se “sulmet dhe heqjet e mëvonshme të përmbajtjes ngrenë shqetësime rreth integritetit të informacionit që po ndahet”.
Rrjeti shpreh shqetësimin se ndërprerjet e vazhdueshme dhe akuzat për shkelje të standardeve të komunitetit pa justifikim të qartë “mund të minojnë besueshmërinë e MediaLook, një platformë e dedikuar për analizimin e praktikave mediatike dhe që vepron si një roje e demokracisë”.
Mbi këtë sulm ka reaguar edhe Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë AGSH.
“Sulmet ndaj mediave kanë vetëm një qëllim: Heshtjen e tyre dhe tentativën për të ndaluar gazetarinë cilësore”, thuhet në reagimin e AGSH.
Sulmi ndaj medias Media Look dhe profilit të drejtuesit të saj Elvin Luku, nuk është një rast i i izoluar. Prej kohësh organizatat për mbrojtjen e gazetarëve kanë ngritur zërin të shqetësuar për lirinë e medias dhe sulmet e ndryshme që sulmojnë dhe heshtin median e pavarur.
Pak muaj më parë, Citizens ra po ashtu preh e një sulmi të ngjashëm me atë të Media Look.
Fillmisht ueb- i i Citizens mori sulme DDoS prej disa muajsh, pas publikimit të një hulumtimi që lidhej me kompaninë Fusha dhe Bashkinë Tiranë, një ditë më vonë Citizens u përball me fshirje të përmbajtjes në rrjetet sociale fillimisht në Facebook.
Më pas u ndoq me një sulm të koordinuar në Instagram. Mesnatën e 8 Prillit profilet e Instagramit të Citizens Channel, Lëvizjes Bashkë dhe Nismës Thurje u sulmuan nga mijëra profile të rreme në pak minuta. Një ditë më parë i njëjti sulm ndodhi me të treja faqet dhe profilin e ekspertit të IT Genti Progni.
Fluksi i ndjekjes nga profile të rreme, të njohura si Bots, sjell disa rreziqe për prezencë online të profileve që sulmohen. Rreziku i parë është nga vetë platforma Meta, e cila mund t’i sinjalizojë faqet si të dyshimta, duke urdhëruar mbylljen.
Profilet e rreme ndikojnë negativisht tek algoritmi, që i bën të padukshme postimet e profileve të sulmuara tek ndjekësit. Robotët nuk angazhohen me përmbajtjen e faqes që ndjekin, dhe Instagram e merr këtë si një sinjal se përmbajtja juaj nuk është me interes për shumicën e përdoruesve dhe për këtë arsye nuk ia vlen të shfaqet.
The post “Sulmohet MediaLook”, mbyllet profili i gazetarit Elvin Luku appeared first on Citizens.al.