- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Studim: Një në 10 vajza detyrohet të angazhohet në marrëdhënie seksuale pa dëshirë
Studim: Një në 10 vajza detyrohet të angazhohet në marrëdhënie seksuale pa dëshirë
Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri ka realizuar studimin “Dhuna në Marrëdhëniet Intime dhe Dhuna Seksuale te të Rinjtë”, i cili u prezantua në fillim të muajit maj 2021. Në këtë studim janë përfshirë 1095 të rinj e të reja, të grupmoshës 20-24 vjeç.
Gjetjet tregojnë se 1 në 10 vajza, pjesë e këtij studimi, janë të detyruara të angazhohen në marrëdhënie seksuale pa dëshirën e tyre. Vajzat kanë pothuajse tre herë më shumë probabilitet që të detyrohen të kryejnë marrëdhënie seksuale nga frika e partnerit/ish – partnerit.
Të tjera të dhëna nxjerrin në pah elementë si mosbesimi ndaj institucioneve, si faktor pengues për të kërkuar ndihmë, teksa faktorët si ndjenja e turpit dhe prishjes së reputacionit të familjes kontribuojnë në mos-adresimin e dhunës seksuale dhe fizike.
Dy në tre persona janë përgjigjur nuk se kanë kërkuar asnjë ndihmë për dhunën e përjetuar, ndikuar nga faktorët e mësipërm.
Gjetje të tjera:
Vajzat kanë përjetuar më shpesh dhunë seksuale në raport me djemtë me diferenca të konsiderueshme që arrijnë në 30%, nga njerëz të njohur, shpesh të rrethit të afërt familjar dhe shoqëror si dhe nga të panjohur;
41% e përgjigjedhënësve kanë deklaruar se nuk kanë përdorur asnjë metodë kontraceptive në marrëdhënien e fundit seksuale, si pasojë e mungesës së informimit dhe/ose e turpit. Përdorimi i kontraceptivëve ishte më i ulët tek ata/o që kishin kryer marrëdhënie seksuale me detyrim për herë të parë;
Qëndrimet stereotipizuese ndaj disa sjelljeve “provokuese/ambige” të vajzave janë ende të pranishme mes djemve dhe vajzave, si p.sh. 23% prej tyre e justifikojnë dhunën seksuale kundër dëshirës së personit kur është paraprirë nga flirtimi, 22% kur ka veshur diçka të konsideruar “provokuese” dhe 16% kur personi ecën vetëm natë.
Hakmarrja përmes pornografisë [Revenge Porn]
Koncepti i hakmarrjes përmes pornografisë adreson kryesisht fenomenin e shpërndarjes së materialeve intime (foto ose video) të një individi, pa miratim. Ngarkimi i këtyre materialeve në internet ose shpërndarja e tyre elektronikisht, shoqërohet dhe me të dhëna personale të personit të dëmtuar.
Rastet e bëra publike në Shqipëri, tregojnë se zotërimi i materialeve intime po përdoret si mekanizëm shantazhi për të përfshirë individë në marrëdhënie seksuale të padëshiruara.
Dy ditë më parë, një e mitur 15-vjeçare dyshohet se është përdhunuar nga katër burra të rritur dhe një djalë i mitur, duke përdorur filmime e më pas kërcënime se videot do të shpërndahen në rast se refuzon të kryejë marrëdhënie seksuale me persona të tjerë.
Jo vetëm në Mirditë, edhe në Kavajë, 7 adoleshentë përdhunuan një të mitur 13-vjeçare për disa muaj radhazi, teksa materialet u shpërndanë dhe e mitura kërcënohej se do t’i publikoheshin në rrjete sociale.
E njëjta situatë u përsërit në Paskuqan, ku roja i shkollës së viktimës Abaz Doku abuzoi me një të mitur 15-vjeçare, bashkë me tre të rinj të tjerë, nën kërcënimet se do t’i shpërndanin videot intime dhe materialet e tjera që zotëronin.
Kuadri ligjor në Shqipëri
Rezarta Agolli, juriste pranë “Shoqata e Grave me Probleme Sociale”, pjesë e AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, ka përgatitur një përmbledhje të kuadrit ligjor në Shqipëri sa i përket marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur.
Nenin 101 i Kodit Penal: “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”
Marrëdhëniet seksuale me dhunë, me fëmijë të mitur të moshës 14-18 vjeç dënohet me burgim nga 5-15 vjet. Kur ajo kryhet në formë të përsëritur dhe në bashkëpunim, duke shkaktuar dëme të mëdha për shëndetin, dënohet nga 10-20 vjet burgim.
Neni 117 i Kodit Penal: “Pornografia”
Prodhimi, shpërndarja, reklamimi, importimi, shitja e botimi i materialeve pornografike në mjediset ku ka fëmijë, me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim deri në dy vjet.
Prodhimi, importimi, ofrimi, vënia në dispozicion, shpërndarja, transmetimi, përdorimi ose posedimi i pornografisë së fëmijëve, si dhe krijimi i aksesit në mënyrë të vetëdijshme në të, me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim nga 3 – 10 vjet.
Neni 108 i Kodit Penal: “Vepra të turpshme”
Kryerja e veprave të turpshme me të mitur që nuk kanë arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç, dënohet me burgim nga 3 – 7 vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet ndaj një të mituri që nuk ka arritur moshën 14 vjeç, me të cilin autori ka marrëdhënie familjare, dënohet me burgim nga 5 – 10 vjet.
Përfshirja e qëllimshme si dëshmitar, në veprime me natyrë seksuale, e një të mituri që nuk ka arritur moshën 14 vjeç apo i një të mituri që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një 1 – 5 vjet.
Kodi Penal, neni 121: “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”
Regjistrimi i fjalëve apo figurave, si dhe ruajtja e tyre për publikim që eskpozojnë aspekte të jetës private, pa miratim, dënohen me gjobë deri në dy vjet burg.
Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër i të dhënave, dënohet me burgim deri në 3 vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet ndaj personave të mitur, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
The post Studim: Një në 10 vajza detyrohet të angazhohet në marrëdhënie seksuale pa dëshirë appeared first on Citizens.al.