- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Studim: “A mund t’i zgjidhë Demokracia Sociale problemet politike në Shqipëri?”
Studim: “A mund t’i zgjidhë Demokracia Sociale problemet politike në Shqipëri?”
“Demokracia Sociale dhe Pengesat e saj” quhet studimi i prezantuar sot, ku analizohen faktorët ekonomik, politik dhe kulturor që e pengojnë ose e nxisin demokracinë sociale në Shqipëri.
Studimi i realizuar nga Endri Shabani me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert, hedh dritë mbi qëndrimet e publikut shqiptar mbi disa nga ideologjitë dhe politikat e sistemit të kaluar, por edhe pikëpamjet e shqiptarëve mbi situatën aktuale politike në Shqipëri dhe të ardhmen politike të vendit.
“Demokracia Sociale ka kundërshtar kryesor autoritarizmin dhe ekstremin e tij që është totalitarizmi; gjithashtu është aftësia e njerëzve për të vendosur mbi jetën e tyre dhe të qenurit të lirë”, u shpreh Endri Shabani gjatë prezantimit të studimit.
Sokol Haxhiu
Sokol Haxhiu përfaqësues i “Westminister Foundation for Democracy” në Shqipëri, u shpreh se “backsliding democracy” (rrëshqitja mbrapsht nga demokracia) nuk është një fenomen i ri, por ka rreth një dekadë që ndodh në edhe në vendet e zhvilluara.
“Procesi i rritjes së liderit autokratik shihet edhe në shumë vende të tjerë” tha ai.
“Njerëzit mendojnë që mjetet aktuale demokratike nuk mjaftojnë për të përmirësuar gjendjen. Pra i pyet nëse e zgjidh rotacioni politik këtë situatë dhe të thonë jo. Kjo është shqetësuese”, tha për Citizens Channel studiuesi Shabani.
“Nëse pyet se kush e vendos qeverinë, njerëzit thonë se e vendosin ndërkombëtarët. Nuk kanë besimin se po të shkojnë të votojnë, gjërat do të ndryshojnë,. Dhe pastaj kur i pyet se për çfarë ka nevojë Shqipëria, një pjesë e konsiderueshme thonë se ka nevojë për një sistem të ri politik. Duan një rikonfigurim se e kanë parë se politikat që janë ndjekur këto 29 vitet e fundit nuk kanë prodhuar atë që ne prisnim në 1990”, shtoi më tej ai.
Gjetjet e studimit vijnë pas një sondazhi të shpërndarë online të cilit i janë përgjigjur 814 persona. Ato janë kategorizuar në 6 fusha kryesore që përfshijnë:
Qëndrime për situatën politike
Besimin e publikut tek institucionet
Qëndrimet jo-tolerante (paragjykuese)
Qëndrimet për diktaturën dhe të shkuarën
Qëndrime për zgjedhjet e ardhshme
Mbështetjen për konceptet e Demokracisë Sociale
Ndër gjetjet kryesore të studimit është se shqiptarët rezulton të jenë mbështetës për koncepte që lidhen me Demokracinë sociale lidhur me pronën, ekonominë e përbashkët, tregun dhe median:
Pjesa më e madhe e të anketuarve (80%) janë kundër procesit të privatizimeve të pasurisë publike që nisi në fillim të viteve ‘90.
Më shumë se dy të tretat e të anketuarve (69%) shprehen të gatshëm të mbështesin financiarisht krijimin e një medieje lokale të pavarur.
Gati gjysma e të anketuarve (51%) me “kooperativë” nënkuptojnë një sipërmarrje të përbashkët vullnetare ku punëtorët janë edhe bashkëpronarë të saj
Ndërkohë, dy në tre prej tyre (65%) do të preferonin të punonin në një kooperativë, krahasuar me vendin e tyre aktual të punës. Dhe, 79% do të preferonin të ishin pjesë e një kooperative që synon ndërtimin e shtëpive me kosto të ulët për anëtarët e saj
Pjesa më e madhe e të anketuarve (86%) shprehen se janë dakord të kontribojnë financiarisht për ndërtimin apo riparimin e bibliotekës së qytetit. Ndërkohë, 78% mbështrin ngritjen e një qendre komunitare me kontributet financiare të banorëve
Më shumë se tre të katërtat e të anketuarve (78%), shprehen të gatshëm të kontribojnë vullnetarisht në pastrimin e lagjes apo riparimin pallatit të tyre.
Një tjetër fushë e marrë në analizë është besimi tek institucionet. Rezultatet tregojnë se shqiptarët kanë shumë pak besim që politika, institucionet shtetërore dhe media thonë të vërtetën:
Besimi tek media tradicionale është tepër i ulët. Tre në katër të intervistuar (74%) shprehen se media i shërben politikës dhe përgjithësisht nuk thotë të vërtetën
Ka një zhvendosje të besimit nga media tradicionale tek platformat online. Rrjetet sociale (17%) dhe portalet (8%) besohen më shumë se media tradicionale (6%)
Pjesa më e madhe e publikut nuk besojnë tek institucionet shtetërore. Vetëm 27% e të anketuarve besojnë informacionin zyrtar e dhënë prej institucioneve shtetërore
Partitë politike nuk shihen si burim i besueshëm informacioni për interpretimin e situatës politike në vend (1%), as nga votuesit e tyre
Autoriteti më i besueshëm në vend janë ndërkombëtarët (32%), çka mund të tregojë nevojën e partive, në opozitë apo qeveri, për legjitimitetin e tyre si arbitër.
Studimi ka marrë në analizë disa nga paragjykimet ekzistuese në shoqëri, duke argumentuar se mungesa e tolerancës krijon një terren për politikat populiste.
Më shumë se gjysma e të anketuarve (58%) shfaqin frikë nga popujt fqinj, çka mund të shfrytëzohet nga politikanë autoritarë të populizmit të djathtë
Gjysma e të anketuarve (51%) mendojnë se komuniteti LGBT nuk duhet lejuar të dalë nëpër parada, apo aktivitete publike
Gati gjysma e të anketuarve (44 %) nuk janë dakord që Shqipëria të mirëpresë të huajt që vijnë nga Afrika, Azia apo Lindja e Mesme
Veç sondimit të publikut, studimi mbështetet në analizën e dokumenteve,vëzhgimin dhe intervistat e thelluara, me synimin për të të eksplororuar sfidat e Social Demokracisë, si ideologji, në Shqipëri.
*Citizens Channel /l.k./ /f.s/
The post Studim: “A mund t’i zgjidhë Demokracia Sociale problemet politike në Shqipëri?” appeared first on Citizens.al.