- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Studentët e mjekësisë nisin betejën ligjore, dërgojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese
Studentët e mjekësisë nisin betejën ligjore, dërgojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese
Studentët e mjekësisë dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese padinë për ligjin e ri që i detyron të qëndrojnë në Shqipëri deri në pesë vite pas përfundimit të studimeve.
Ata kërkojnë pezullimin dhe shpalljen antikushtetues të ligjit.
Sipas studentëve dy avokatët që po merren me çështjen janë ofruar në mënyrë vullnetare për të kontribuuar.
“Si fillim u zgjodhën avokatët nga vetë studentët, përmes një procesi votimi ndërmjet studentëve dhe gjatë kësaj periudhe ata morën kohën e nevojshme për të bërë padinë, përmes argumenteve që sollën në padi. Mori një kohë prej një muaj”,-shprehet për Citizens Channel studentja Dea Guri.
Ajo thekson se në mbështetje të kësaj nisme ligjore kanë ardhur edhe një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
“Gjatë kësaj periudhe kemi dërguar edhe e-mail drejtuar deputetëve që të na mbështesin në kërkesën tonë, përderisa dihet që një nga mekanizmat kryesorë që të pranohesh në gjykatë kushtetuese është përmes 1/5 të deputetëve. Pra 28 firma, jo më pak se 1/5 e deputetëve, por më shumë lejohej. Ne kemi diçka në total prej 3p e ca firmash. Na kanë mbështetur deputetët të ndryshëm”-sqaron më tej Dea Guri.
Avokati i studentëve, Semir Sali u shpreh para mediave se “kemi një shkelje të së drejtës për arsim dhe të së drejtës për punë, garantuar nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës . Ka një diskriminim lidhur me kushtet ekonomike. Ka një diskriminim edhe me kolegët e tyre në institucionet private”.
Studentët janë duke bojkotuar mësimin prej 3 javësh, ndërsa nuk i kanë ndalur protestat prej njoftimit për kalimin në kuvend të ligjit që i detyron të qëndrojnë në Shqipëri.
“Do vijojmë me bojkotin, e kemi thënë që nga fillimi që nuk e ndalojmë dot bojkotin tani, pa një përgjigje dhe njëfarë sigurie se në çfarë rruge jemi. Se i bie të kemi luftuar kot deri në këtë moment”,-përfundoi studentja Dea Guri.
Sipas përllogaritjes së Bordit të Administrimit të Universitetit të Mjekësisë, kostoja e një studenti mjekësie për një vit është 2200 euro.
Hap pas hapi, si u miratua ligji për studentët e mjekësisë?
Në 16 qershor studentët u prezantuan për herë të parë me faktin se do duhej të qëndronin 3 vite në Shqipëri pas studimeve.
Kjo deklaratë e ish-ministres së Arsimit, Evis Kushi u prit me kundërshtime nga studentët, të cilët organizuan dy protesta në datën 20 dhe 23 qershor;
Në 5 korrik, Kryeministri Rama njoftoi se periudha e “qëndrimit të detyruar” do të shtohet nga tre në pesë vite.
Menjëherë më pas, studentët iu rikthyen protestave, ndërkohë që ligji shkoi menjëherë në Parlament, ku u miratua shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar.
Projektligji u miratua menjëherë në mbledhjen e radhës të Komisionit Parlamentar me votat e Partisë Socialiste;
Më 20 korrik 2023 Kuvendi miratoi me 71 vota pro dhe 23 kundër projektligjin që i detyron studentët e mjekësisë të punojnë në Shqipëri pesë vite pas diplomimit. Studentët të cilët e kanë kundërshtuar këtë ligj qëndruan para Kuvendit në shenjë proteste deri pas mesnate. Ndërsa gjatë ditës ata protestuan duke paralajmëruar që do të bojkotojnë vitin e ardhshëm akademik.
Nisja e vitit të ri shkollor, më 2 tetor 2023 për studentët e mjekësisë u shoqërua me bojkot, i cili vijon edhe sot.
20 tetor 2023, studentët dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese padi për pezullimin e ligjit.
The post Studentët e mjekësisë nisin betejën ligjore, dërgojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese appeared first on Citizens.al.