- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Sondazhi: Qytetarët nuk kanë besim tek institucionet vendase, gjyqësori në krye të listës për korrupsion
Sondazhi: Qytetarët nuk kanë besim tek institucionet vendase, gjyqësori në krye të listës për korrupsion
41% e shqiptarëve dëshirojnë të largohen nga vendi, teksa kanë shprehur një nivel të ulët besimi tek institucionet vendase. Kështu tregoi sondazhi i realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM për vitin 2021.
Sondazhi “Besimi në qeverisje” mori mendimin e 2 500 personave në 61 bashki të vendit.
Rezultatet e sondazhit treguan një besim të lartë të qytetarëve te institucionet e huaja si NATO, me 73.2% apo BE me 71.3%.
Ndërsa institucionet më pak të besuara ishin Presidenca (23.5%), partitë politike (26.4%), gjykatat (27.7%) dhe prokuroria (28.4%).
Sipas të anketuarve, reforma në drejtësi po zbatohet në mënyrë korrekte. 57% e qytetarëve besonin se reforma do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e vendit. Raporti i IDM-së përcjell se këto shifra patën një rritje me 6 dhe 4 pikë përqindjeje krahasuar me 2020.
Burimi: IDM
Sa i përket besimit të informacionit, qytetarët shqiptarë vijojnë të kenë një besim të lartë (54%) tek televizioni. Kahasuar kjo sipas zonës së banimit, popullsia rurale ka një besim më të lartë tek televizioni (60%) se ajo urbane.
Ndërsa qytetarët kanë shfaqur një besim prej 29% tek mediat sociale dhe vetëm 10% e të anketuarve kanë shprehur besim tek portalet online.
“Gjatë vitit 2021, një në katër qytetarë besonte se informacioni që jepej nga mediat në Shqipëri ishte i saktë/vërtetë”, thuhet në raport.
“Transparenca dhe korrupsioni”
Qeveria qendrore “nuk e ka kaluar testin” për transparencën. 57.4% e të anketuarve besojnë se qeveria qendrore nuk është transparente, teksa 58,2% mendojnë njësoj për bashkitë.
Raporti thekson një përmirësim sa i përket njohjes së qytetarëve në lidhje me të drejtën për informim. 62.3% e tyre në 2021 ishin të ndërgjegjësuar mbi të drejtën e informimit.
“Në përgjithësi, shqiptarët besojnë se organizatat ndërkombëtare (77%) i kërkojnë llogari qeverisë shumë më tepër se sa institucionet vendase”, thuhet në raportin e IDM-së.
Sipas sondazhit institucionet më frytdhënëse për llogaridhënien në vend ishin, Kontrolli i Lartë i Shtetit (71.1%), ndjekur nga Parlamenti (63.9%) dhe media (61.5%).
Sakaq, korrupsioni vijon të mbetet problem madhor për qytetarët shqiptarë, shoqëruar kjo më një besim të ulët tek institucionet që e luftojnë atë.
83.1% e shqiptarëve e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët si të përhapur ose shumë të përhapur, sipas sondazhit. Ndërsa 83.7% e perceptojnë korrupsionin e nivelit të lartë të përhapur.
Burimi: IDM
Nga ana tjetër rezultatet e sondazhit renditën si pesë institucionet më të korruptuara në 2021, gjyqësorin, administratën publike, institucionet e kujdesit shëndetësor, institucionet vendore dhe policinë.
68.4% e qytetarëve nuk kishin besim te ndjekja penale e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, tregon studimi.
Sa i përket ndikimit të politikës në institucione, qytetarët kanë një perceptim se Prokuroria dhe gjykatat janë më të ndikuarat.
“Prokuroria (48.3%) dhe gjykatat (49.1%) konsiderohen si institucionet më shumë të ndikuara politikisht”, thuhet në studim. Teksa vihet re se institucionet fetare konsiderohen si më të pavarurat nga politika.
The post Sondazhi: Qytetarët nuk kanë besim tek institucionet vendase, gjyqësori në krye të listës për korrupsion appeared first on Citizens.al.