Socialistët tërhiqen nga projektligji për zonat e mbrojtura: “Është joprofesional dhe me defekte”

“Kjo ideja që shkel direktivat e Be – së, cilën direktivë, cilin nen jemi duke e shkelur?”-  tha kryetari i komisionit, Arben Pëllumbi.

Grupi i deputetevë socialistë tërhiqet nga varianti fillestar për projektligjiin për zonat e mbrojtura. Sipas tyre, në disa pika, drafti i ri ka nevojë për rishikime.

“Projektligji ka defekte, pjesa teknike nuk është profesionale, 20% bie”- tha Fadil Nasufi, kryetari i grupit propozues prej 12 deputetësh.

Në seancën e tretë dëgjimore të mbajtur sot, nëpërmjet Komisionit Parlamentar për Mjedisin dhe përfaqësuesve të organizatave mjedisore, kreu i grupit parlamentar pranoi se drafti ka defekte të gjuhës profesionale dhe kërkon ekspertizë.

Ambientalistët kërkuan një dëgjesë publike, në mënyrë që të gjithë aktorët të jenë bashkë.

“Draft ligji duhet të përpunohet dhe reflektohet në bazë të shqetësimeve tuaja! Do kemi kalendar tjetër dëgjesash për këtë projektligj, por biem të gjithë dakord që ligji i 2017- së ka nevojë për amendime” – përfundoj deputeti Nasufi.

Më 2 shkurt,  Silvio Gonzato, ambasadori i sapoardhur i Bashkimit Evropian në Shqipëri shfaqi shqetësimet që lidhen me ndryshimet e propozuara në projektligjin e ri mbi zonat e mbrojtura, por kjo duket e pamjaftueshme për Komisionin Parlamentar.

“Ne e kemi të vështirë të themi se në cilën direktivë se nuk është bërë asnjë lloj vlerësimi për habitatet e Natyra 2000. Nuk kemi një inventar të habitateve, ne nuk dimë se në cilat habitate bashkitë do kërkojnë të bëjnë aktivitet që nuk lejohen të zhvillohen sipas direktivat të BE – së”- replikoi Mihallaq Qirjo nga Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Albania).

Edhe Ermelinda Mahmutaj, drejtore ekzekutive në qendrën EDEN theksoj se ne jemi në rrugën e integrimit në BE dhe të gjitha ligjet që hartojmë, ndikojnë direktivat.

“Llojet dhe objektivat e zonave të mbrojtura nuk janë një shpikje shqiptare, ato përcaktohen sipas një udhëzuesi shumë teknik, nga IUCN – ja, kanë kritikë të mirë përcaktuara. Që të krijojmë kategori të reja për Shqipërinë, nuk më duket një zgjedhje e zgjuar!” – thekson Mahmutaj gjatë fjalës së saj.

Mahmutaj ri ngriti shqetësimin që i lejon bashkive të marrin 20% të zonave të mbrojtura në menaxhim.

“Shumica e bashkive nuk i kanë kapacitetet njerëzore dhe financiare për ti menaxhuar zonat e mbrojtura. Përmendim dështimin me menaxhimin e pyjeve, kështu që do ishte një gabim tjetër t’i japim zona për menaxhim me interes kombëtar”- pohon ajo.

Në lidhje me 20% që pretendohet ti kalohet bashkive me projektligjin e ri Mihallaq Qirjo shtoi se bashkitë e kanë të pamundur për të vlerësuar çfarë kapitali kanë, aq më pak për ta administruar atë sic duhet.

“Personalisht, nuk jam dakord me 20% në këtë formë, në ndarje territori, jam dakord që bashkitë  të marrin një të ardhur nga zonat e mbrojtura, por jo në formën e territorit”- pranoj kryetari i komisionit Arben Pëllumbi.

Nisma për ndryshimin e ligjit të zonave të mbrojtura nisi me vrull në fund të 2023-shit, kur opozita kishte braktisur Kuvendin dhe kur vendi i ambasadorit të BE-së kishte mbetur bosh.

Gjithashtu 56 organizata i kërkuan qeverisë shqiptare tërheqjen e projektligjit për zonat e mbrojtura nga seanca plenare e planifikuar më 15 shkurt 2024.