Skandali i Onkologjikut, sërish protesta tek “Ministria e Vdekjes”

Protesta e dytë mbi skandalin e Onkologjikut rinisi me ngjitjen e fashës “Ministria e Vdekjes” në portën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Përpara protestës  në një takim me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kryeministri Edi Rama shmangu përgjegjësitë ndaj ngjarjes që çoi në shkarkimin dhe hetimin e shtatë mjekëve dhe specialistëve, duke i cilësuar këta të fundit “zullumqarët e shëndetit”.

“Edhe sa duhet të vdesin që të fillojë përgjegjshmëria? Edhe sa varre duhet të hapen që të fillojë përgjegjshmëria? Edhe sa fëmijë, vajza, djem duhet të vdesin që të fillojë përgjegjshmëria e këtyre të papërgjegjshmëve?”- tha aktori Florjan Binaj.

Kryeministri u justifikua duke thënë se sot nuk mungon thuajse asgjë nga ato që nuk kishim dje, por ja kaloi barrën e fajit mjekëve që nuk janë në lartësinë e misionit.

“Kryeministri është kujdesur që ilaçe të mos ketë në spitale, por të ketë ekrane televizorësh, që propaganda e qeverisë të shihet edhe në spitale. E dini sa kushtoi ai show i kryeministrit sot? Rreth 100 mijë euro me regji qëndrore etj. Sa pacientë mund të ishin shpëtuar me 100 mijë euro?” – tha gjatë fjalës së tij gazetari Renaldo Salianji.

Gjatë takimit ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu konfirmoi se mjekët e punësuar në sektorin publik që punojnë në klinika private duhet të marrin tanimë autorizim nga drejtuesi i spitalit, që do konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë, kjo pasi QSUT dhe 12 spitale të tjera të marrin autonominë spitalore.

“Në Onkologjik në 19 poltrone, trajtohen 80 pacientë në ditë, një shtrat katër persona. Edhe ne spitalet e luftës, dhimbjes i rezervohet një shtrat” – u shpreh Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare.

Sipas raportit të Këshillit të Lartë të Shtetit për 2023, mungesa e Brankiterapisë (pajisje), për periudhën e auditimit, ka sjellë mos trajtimin e 200 pacienteve me sëmundje tumoriale në vit ose 600 gra paciente nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre.

Një tjetër pajisje jo funksionale është pajisja e Ortovoltazhit, e cila është amortizuar prej vitit 2020, me arsyetimin se ky aparat është instaluar që në 2002. Mungesa e aparatit të Ortovoltazhit që prej datës 02.11.2022, ka sjellë mostrajtimin 200 pacientëve nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre. Ky aparat trajton pacientë që vuajnë nga tumoret e lëkurës si melanoma, lentigo malinje, tumoret e gjëndrave të djersës, tumori i buzës, etj.

“Sfidoj këdo, ministrinë, kryeministrinë, që tani, shkojmë në QSUT, shkojmë në Onkologjik n.q.s. acidi, jodi radioaktiv është, n.q.s. gencitabina është, tërhiqemi, nuk protestojmë më ne, por mungojnë”- pohoi gazetari Osman Stafa gjatë fjalës së tij.

Protesta u përmbyll sërish me rrëfime nga qytetarë të cilët ndanë përvojat e tyre të hidhura në dyert e Onkologjikut, duke rikujtuar edhe borxhet financiare me të cilat i duhet të jetojnë.

“Ditën që nëna ime u operua me tumor në tru, unë kam marr një kredi stafi në një nga bankat ku kam punuar dhe kjo është lehtësisht e vërtetueshme dhe e faktueshme. Ju kërkoj thjesht drejtësi për ne që jemi këtu dhe pak paqe për ata që ikën atje”- përfundoi një qytetare e pranishme në protestë.