- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Situata e COVID-19 në Shqipëri në harta dhe grafikë
Situata e COVID-19 në Shqipëri në harta dhe grafikë
Kanë kaluar 20 ditë që nga konfirmimi zyrtar i rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri. Më 9 Mars 2020, Ministria e Shëndetësisë njoftoi për dy personat e parë të diagnostikuar, kur deri në atë ditë ishin kryer 63 testime në total.
Me një mesatare prej rreth 11 rastesh të reja në ditë, numri i personave të prekur nga virusi ka arritur sot në 212, ndërkohë që shifrat zyrtare konfirmojnë një mesatare prej rreth 72 testimesh në ditë.
Ritmi i testimeve konfirmon faktin se një ndër shtatë persona të dyshuar që kanë kryer testin ka rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri.
Në datën 20 mars Ministria e Shëndetësisë njoftoi analizën e dytë negative të pacientit zero, që shënoi dhe rastin e parë zyrtar të shëruar nga virusi që nga periudha e shfaqjes në Shqipëri. Që nga data 20 mars, janë shënuar në total 40 persona të shëruar, me një mesatare prej 4.4 në ditë.
Ndërkohë deri më sot bilanci i viktimave nga COVID-19 ka arritur në 10, që prej datës 12 mars kur u shënua personi i parë që humbi jetën.
Shpërndarja gjeografike e virusit është përhapur në 10 nga 12 qarqet e Shqipërisë me përjashtim të Dibrës dhe Gjirokastrës. Qyteti me numrin më të lartë të të infektuarve është Tirana (122), i ndjekur nga Fier (22) dhe Durrësi e Korça (12), ndërkohë që sot u shënua rasti i parë në qarkun e Mirditës.
Të dhënat nga databaza e Universitetit Johns Hopkins tregojnë se deri më tani 704,095 persona janë prekur nga COVID-19 në të gjithë globin dhe 33,509 kanë humbur jetën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara (132,637) të ndjekur nga Italia (97,689), Kina (82,122), Spanja (78,799) dhe Gjermania (60,659).
*Citizens Channel | Lorin Kadiu
The post Situata e COVID-19 në Shqipëri në harta dhe grafikë appeared first on Citizens.al.