- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Sistemi zgjedhor: Nisma Thurje dërgon në Kuvend propozimet ligjore
Sistemi zgjedhor: Nisma Thurje dërgon në Kuvend propozimet ligjore
Foto Ilustruese: ©GettyImagesNisma Thurje ka dorëzuar pranë Kuvendit të Shqipërisë propozimet ligjore për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Në këto propozime qëllimi kryesor është ndryshimi i sistemit zgjedhor nga ai rajonal proporcional me lista të mbyllura , në kombëtar proporcional me lista të hapura.
Sistemi Rajonal – Proporcional me lista të mbyllura: Shteti ndahet në zona elektorale. Partitë politike vendosin një listë kandidatësh me numër rendor për secilën zonë elektorale dhe zgjedhësit votojnë për partinë politike e cila i zgjedh deputetët sipas rendit që ajo vetë ka përcaktuar. Sistemi Kombëtar Proporcional me lista të hapura: Shteti nuk ndahet në zona elektorale por përqindja e votave që merr një parti politike përkthehet në vende të fituara në Kuvend. Zgjedhësit kanë të drejtë të votojnë për partinë politike dhe të vendosin vetë për renditjen e kandidatëve për deputetë.
Përfaqësuesit e Nismës Thurje, në një deklaratë për mediet në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë thanë se për drejtuesit e tyre duhet të vendosin vetë qytetarët dhe jo partia.
“Ky parlament funksionon në bazë të kushtetutës, e cila në preambulën e vet, në faqen e parë, thotë : ‘Ne, populli i Shqipërisë vendosim’ ,nuk thotë ‘Ne kryetarët e partive vendosim’, ‘ Ne, banorët e resortit X në majë të kodrës vendosim’. Thotë ne qytetarët e Shqipërisë vendosim, sepse sovraniteti i përket popullit. A sillet ky parlament sikur sovraniteti i përket popullit? Sot kemi një shans për ta parë, “ deklaron Endri Shabani.
Sipas Pano Soko, këto propozime për ndryshimin e sistemit zgjedhor vijnë per tre arsye:
“ E para, Shqipëria nuk është një vend rajonal. Sistemet rajonale kanë vlerën e vendeve federative, ku ka disa etni të cilat bashkëjetojnë në një shtet. Shqipëria është një vend etnik. Shqiptarë jemi nga Konispoli në Vermosh. Dhe ndarja në federata nuk ka sens.
E dyta është fakti se nëpërmjet këtij sistemi ne kemi diskriminim të votës në disa rajone dhe favorizim në disa rajone të tjera. P.sh me 30 mijë vota në Kukës ti mund të kesh dy deputetë, por në Tiranë mund të kesh 3 deputetë.
Dhe e treta që është më e rëndësishmja është çmontimi i një sistemi i cili ka prodhuar ata që quhen bajraktarët e rajonit. Nëpërmjet ndarjes rajonale që i është bërë votës, janë krijuar kushtet që disa elementë të botës gri të arrijnë të futen në parlament. Dhe këtë e kanë bërë duke shfrytëzuar gjithë influencën e tyre që ata kanë nëpër këto rajone, sepse ata janë vërtet vendim marrës në këto rajone dhe kanë peshë elektoral.”
Kjo nismë ligjore është firmosur nga 50.000 qytetarë shqiptarë nëpërmjet një peticioni të iniciuar nga Nisma Thurje.
” Ne kemi sjellë sot, me këtë nismë ligjore të 50.000 firmave, kemi sjellë vullnetin e pjesës që nuk është e dëgjuar. Janë 50 mijë njerëz, gra, burra, djem, vajza që kërkojnë ndryshim. Është më i fortë qytetari i këtyre 30 viteve demokraci, i cili po artikulon qartë se koha kur vendi qeverisej pazareve midis dy re vetëve, i ka ardhur fundi.” Thotë Endrit Shabani, përfaqësues i Nismës Thurje.
Në prill të vitit 2019 Nisma Thurje u bëri thirrje qytetarëve të bëheshin pjesë e një peticioni për të ndryshuar sistemin duke e firmosur atë online apo në çdo hapësirë në qytete, të rezervuar për firma.
Cilat janë propozimet për ndryshimin e sistemit?
Në draftin e dorëzuar sot pranë Kuvendit një ndër propozimet e parashtruara është ndryshimi i nenit 21 të kodin zgjedhor , ku propozohet të shtohet pika 26 e cila krijon mundësinë e shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë vendit për të votuar.
Sipas Pano Sokos, vetëm Shqipëria nuk jua jep këtë të drejtë qytetarëve të saj emigrantë, ndërsa vendet si Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kanë të garantuar me ligj këtë të drejtë.
Një tjetër ndryshim është marrja e votave të qytetarëve për të vendosur kandidaturën e një individi për deputet. Kështu, përcaktimi i kandidaturave për deputet i delegohet popullit dhe jo partisë. Ky ndryshim pasqyrohet në nenin 68, pika 1:
“ Listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 1,000 zgjedhës në shkallë kombëtare. Në rastin e koalicionit zgjedhor listat në tërësi duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 3,000 zgjedhësve në shkallë kombëtare. Bën përjashtim nga ky rregull koalicioni, ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit.”
Të drejtën për të paraqitur një kandidat mund ta ketë edhe një grup qytetarësh me të drejtë vote, prej jo më pak se 9 personave.
Neni 69, pika 3, ndryshon si më poshtë:
“Për paraqitjen e një kandidati nga zgjedhësit krijohet një komitet nismëtar me jo më pak se 9 zgjedhës, të cilët janë të ngarkuar të organizojnë punën për mbledhjen e firmave mbështetëse për kandidatin, sipas këtij Kodi. Jo më vonë se 150 ditë para datës së zgjedhjeve komiteti nismëtar regjistrohet në KQZ, duke paraqitur emrat e anëtarëve të komitetit. Komiteti mund të regjistrojë një kandidat për deputet vetëm në rast se ka marrë mbështetje për kandidatin nga një numër zgjedhësish që i korrespondon jo më pak se 1,000 zgjedhës, sipas procedurave të përcaktuara në Kod.”
Propozimet ligjore për ndryshimin e Kodit Zgjedhor i lexoni këtu.
Ndryshimi i sistemeve zgjedhore ndër vite në Shqipëri
Pas rënies së sistemit komunist, në Shqipëri janë aplikuar 4 lloje sistemesh zgjedhore. Ishin zgjedhjet e para të 31 marsit të vitit 1991 në të cilat u aplikua sistemi mazhoritar.
Pas zgjedhjeve të vitit 1991 u aplikua sistemi i përzier mazhoritar me dy raunde. Sipas këtij sistemi nga zgjedhjet dilnin 100 deputetë dhe 40 të tjerë nga sistemi proporcional.
Sipas sistemit proporcional përqindja e votave që një parti fiton në nivel kombëtar kthehet në përqindje të vendeve që kjo parti fiton në parlament.
Më pas është aplikuar sistemi i përzier me mazhoritar të thjeshtë për 100 deputetë dhe proporcional për 40 deputetë.
Në vitin 2009, ish Kryeministri Berisha me Kryeministrin Rama nënshkruan një marrëveshje , sipas së cilës do të votohej me anë të sistemit proporcional rajonal. Logjika e ndarjes së mandateve sipas këtij sistemi konsiston në : Partia harton një listë zgjedhore me numër rendor për kandidatët për deputetë që ajo dëshironte. Përcaktimi i kandidatëve fitues varej nga pozicioni që ai mbante në listë. Nëse partia fitonte 50% të votave në rang kombëtar, ajo do të merrte 50% të vendeve në Kuvend. Vendi ndahet në zona zgjedhore.
Kjo marrëveshje u shoqërua me debate dhe kundërshtim të partive të vogla, të cilat liheshin mënjanë nga dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike.
*Citizens Channel / Erisa Kryeziu
The post Sistemi zgjedhor: Nisma Thurje dërgon në Kuvend propozimet ligjore appeared first on Citizens.al.