- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Shushica – Krushica! Shushica – Krushica!...
Shushica – Krushica! Shushica – Krushica!...
Pranë urës së Laskos në rrjedhën e sipërme të Shushicës, në anë të brigjeve të lumit, është ngritur një bujtinë e re: “Lumi i bardhë”, që sipas pronarit mban emrin e parë, përpara se lumi të quhej Shushicë. Ndërtesa përfundon me një çati të hirtë që shtrihet për së gjati, sipas planimetrisë. Ka diçka tërheqëse në të që lidhet me fasadën prej guri me ngjyra të hapura, por edhe me volumin e përmbajtur – jo më shumë se dy kate – çka e bën lehtësisht të pranueshme për vizitorët, veçanërisht për të huajt, numri i të cilëve është shtuar në dy vitet e fundit, qysh kur përfundoi rruga që lidh luginën e labërisë me krahinat fqinje të jugut.
Ngjitur bujtinës, kompania “Trema Engineering 2” ka ngritur, prej nëntëmbëdhjetë muajsh, kantierin e Ujësjellësit. Parashikohet që uji të merret nga burimi i Lepushës që furnizon Shushicën, por duke e shmangur këtë të fundit dhe të përfundojë në anën tjetër të malit për të mbushur rubinetat e qytetit të Himarës, të cilat po shtohen për shkak të ndërtimit të resorteve të reja turistike përgjatë vijës së saj bregore. Në të njëjtën pronë, dy vizione të ndryshme zhvillimi! Nëse uji kalon matanë, lumi do të thahet, kështu që eko-turizmi do të bjerë.
Pronari i bujtinës, Veledin Idrizaj nga Kuçi, i ka të dy fëmijët në Tiranë. E ardhmja e tyre do të jetë atje. Më shpjegon se kanë të tjera biznese dhe të tjera prona për të cilat do të duhet që të kujdesen.
Pak ditë më parë dy ministra, znj. Kumbaro dhe znj. Balluku ndaluan këtu për një kafe. Erdhën së bashku nga Gjirokastra, përmes rrugës së Bënçës. Është kohë fushate elektorale. Votohet për Bashkinë e Himarës. Në zonë janë shtuar lëvizjet, por megjithatë banorët janë të pakët. Në fundjavë trafiku shtohet, por shumica e makinave kthehen në të djathtë pranë Kuçit për të zbritur poshtë, në Rivierë, përmes një tjetër rruge të re. Këto janë rrugë të çuditshme. Njerëzit i përdorin për t’u larguar, por jo për të ardhur.
Në ngjitje, sapo lëmë pas urën e Gjormit peizazhi ndryshon thellësisht. Shushica zgjerohet dhe majat, në të dyja krahët e luginës bëhen më të larta. Shtrati devijon nëpër gërxhe të thyera çka i jep lumit dhe tërë peizazhit një bukuri mistike. Ngjyrat bëhen të forta dhe toka shkëmbore mbulohet me një shtresë të butë vegjetacioni.
Mbi Lepenicë, aty ku ndahet Maja e Qurramëngës nga Maja e Çekut është ngritur një re e bardhë tymi… guroret e Lepenicës, tre apo katër në radhë mund të shihen me sy të lirë nga poshtë. “E tërë Shqipëria ngjan me një kantier ndërtimi”, – thotë Ulrich Eilchelmann, duke vështruar peizazhin.
Ulrich drejton prej vitesh një organizatë jofitimprurëse (Vjenë). Ai ishte një aktivist i spikatur i fushatës për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar. Jofitimprurësja e tij ka mbështetur edhe fushata të ngjashme për lumenjtë e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Ai po rikthehet në fushëbetejë, një viti pas shpalljes së Vjosës Park Kombëtar (Shushica gjithashtu është pjesë parkut).
Projekti për marrjen e ujit rrezikon zbrazjen e lumit që u shërben tridhjetë e shtatë fshatrave të luginës. Banka Gjermane e Zhvillimit (KfV) që financoi projektin nuk bëri vlerësimin e duhur mjedisor, ndërkohë që autoritetet vendase e miratuan, megjithëse ishin në dijeni se Shushica do të ishte pjesë e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa. Për momentin punimet për ujësjellësin janë ndaluar dhe protestat e banorëve të Gjormit, Bratajt dhe Kallaratit, kanë rifilluar. Kërkohet që të shtohen radhët edhe me protestues të tjerë. “Njerëzit janë të lodhur. Nuk ka siguri – tregon Eilchelmann i dëshpëruar, – sepse ajo çka arrihet sot, mund të bjerë pas një viti dhe gjithçka duhet të fillojë nga e para”.
Në harkun me blloqe guri të urës mesjetare të Bratajt, mbi Shushicë shpaloset një parrullë e madhe: “Save our Shushica!”. Aktivistët e “EcoAlbania” e kanë vendosur në një pozicion të dukshëm nga rruga. Përtej, në anën tjetër shtrihen fushat dhe livadhet e Mesaplikut, ndërsa lart ngrihen madhërishëm majat e labërisë së thellë. Ajo e Çipinit duket mbi të tjerat; mahnitëse! Poshtë në luginë rrjedh damari i lumit, sipërfaqja e të cilit ka marrë një shkëlqim kristalor.
Pak më sipër Bratajt, në kthesën drejt Tërbaçit, mbi një tokë të rrafshët, dikur mund të kundroje luginën dhe kullotat e Mesaplikut në distancë, por tani kjo hapësirë e sheshtë është shndërruar një vend parkimi për makinat e vizitorëve kalimtarë. Rregullat dhe disiplina për kontrollin e aktiviteteve ekonomike anës rrugëve kombëtare vijojnë të mungojë. Makinat e ngjeshura pranë e pranë pengojnë pamjen e luginës. Por kjo është një gjë e parëndësishme për administratorin e një kioske provizore që është vendosur aty, që së bashku me dy fëmijët e tij në rolin e kamarierit, nxitojnë të shuanin etjen e klientëve të vaposur. Sidoqoftë, mbetet diçka më mirë se një varrezë hekurishtesh makinash të braktisura.
Mes makinave ndodhet edhe një furgon i pluhurosur me targa të huaja. Dy gra dhe një burrë, Amela Zukan, Salkić Enes dhe Palić Saneta kanë udhëtuar për pesëmbëdhjetë orë për të qenë këtu në kohën e duhur. Është vetëm një përfaqësi e vogël nga të famshmet “Gratë Guximtare të Krushicës”. Në vitin 2017 më shumë se dyqind gra nga Krushica (fshat në perëndim të Sarajevës), bllokuan urën e fshatit për më shumë se pesëqind ditë, pasi thuhej se mund të kalonin makinat dhe fadromat për të ndërtuar dy hidrocentrale që rrezikonin t’i linin banorët pa ujë. Qëndresa, e cila përfundoi me anulimin e kontratës koncensionare, sot përbën një simbol të rezistencës mjedisore moderne. Modeli i tyre frymëzoi një lëvizje mbarëkombëtare për mbrojtjen e lumenjve në Bosnje – Hercegovinë.
“Këto janë heroinat e Krushicës”, i prezanton Ulrich. Vijon një reagim modest dhe i kursyer. Temperatura kalon mbi 40 gradë C dhe ndonëse të lodhura nga rruga sytë e tyre janë plot energji. Natyrisht që në pesëqind e pesë ditë rezistence kishin hequr edhe më keq.
“Gjatë qëndresës rashë shtatzëne me djalin e tretë, por nuk i tregova tim shoqi, – rrëfen Amela” – sepse kisha frikë se mos nuk më linte që të vijoja. Rezistenca zgjati me muaj dhe pothuajse e kalova të gjithë shtazaninë mbi urë. Djali im lindi pak javë pas anulimit të kontratës. E thërrasim Urar dhe është tepër aktiv…”. E mahnitshme! Protestojnë të gjallët – protestojnë edhe ata të cilët nuk kanë ardhur ende në jetë. Vështroj Amelën dhe përpiqem të kuptoj aktivizmin e saj. Ajo vijon të rrëfejë për shoqet, vështirësitë dhe për dhunën e njësive speciale, duke zbuluar përpara meje, bashkëshorten, nënën, bijën, gruan…
Aktiviteti do të zhvendoset drejt Kuçit, pranë Buronjave, aty ku lumi rrezikon të thahet prej marrjes së ujit. Do të kalojmë mbrëmjen me vendasit për të shkëmbyer përvojat dhe emocionet me miqtë aktivistë. Rikthehemi vetëm pak çast te “Lumi i Bardhë”, për të prenotuar dhomat. Takoj sërish Veledinin dhe i tregoj për gratë e Krushicës, për rezistencën dhe sakrificën e tyre për mbrojtjen e lumit. Hedh vështrimin në krah të bujtinës dhe shoh makineritë e rënda dhe tubat plastikë të kantierit. E kuptoj që vihet në vështirësi. “Do të ishte mirë që të largoheshin, – më thotë, – por tani e kam të pamundur, sepse kam nënshkruar një kontratë me kompaninë për hapësirën”. Duket i penduar.
Dielli ka filluar të lëshojë një tis të florinjtë. Majat përgatiten të shkëlqejnë për herë të fundit përpara se errësira të bjerë mbi luginë. Pranë Buronjave janë mbledhur të gjithë. Pritet të mbërrijnë aktivistët nga Krushica. Në distancë dëgjohen zëra: Shushica – Krushica! Shushica – Krushica! Shushica – Krushica! Është një ditë proteste dhe solidariteti.
Ndërkaq në natyrë gjithçka vijon si më parë. Me rënien e natës, një histori mbijetese fillon e merr jetë nga e para…
The post Shushica – Krushica! Shushica – Krushica!… appeared first on Citizens.al.