- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Shtyhet seanca gjyqësore për gjobën 12 milion lekë të Laureta Nikollit, shkak mungesa e përfaqësuesve të IMT-së
Shtyhet seanca gjyqësore për gjobën 12 milion lekë të Laureta Nikollit, shkak mungesa e përfaqësuesve të IMT-së
Sot, në orën 10:30 në Gjykatën Administrative në Tiranë u mbajt seanca e parë përgatitore ndaj banores së lagjes “5 Maji” Laureta Nikolli, e cila është gjobitur me një milion e dyqind e tetëdhjetë e katër mijë lekë, nga Inspektorati i Mbrojtes së Territorit (IMT) për ndërtim pa leje. Çështja po gjykohet nga gjyqtari Gentian Hamiti.
“Seanca u shty më 4 prill sepse kishte mungesë të përfaqësuesve të IMT – së. Më 4 Prill do merret vendimi n.q.s. duhet të paguhet gjoba “,- tha Laureta Nikolli për Citizens Channel.
Avokatja përfaqësuese e të paditurës, Adriana Kalaja u shpreh se përfaqësuesit e IMT – së nuk ishin paraqitur dhe nuk kishin sjellë as arsye ligjore për mospjesëmarrjen në proces.
“Nuk kishte ardhur as avokati i tyre, ishte vetëm një dëgjues i IMT dhe kaq. Nuk e di si do shkojë, por kam marr shumë energji pozitive sot, shpresoj që me 4 prill vendimi i tyre të anulohet”, –theksoi Nikolli.
Shtëpia e Lauretës u shemb në orët e para të mëngjesit më 22 shkurt, ku Nikolli dhe disa gra të tjera krijuan një kordon duke krijuar rezistencë ndaj policisë. Pesë banorë u shoqëruan në komisariat, pasi tentuan të mbronin banesat e tyre. Gjin Nikolli, Laureta Nikolli, Agim Marku, Andi Marku dhe Mirash Marku dhe u dërguan në rajonin numër 4.
“Ne jemi shumë të bindur që vendimi i gjobitjes është një akt administrativ i pavlefshëm dhe mendojmë që është bërë në kuadrin e një presioni ndaj paditëses dhe ndaj gjithë asaj që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh te zona e 5 Majit”, -tha avokatja Kalaja për Citizens Channel.
Laureta Nikolli ishte një nga tre banoret që mori pjesë edhe në takimin me Kryeministrin Rama dhe nënkryetarin e Bashkisë Arbjan Mazniku në datën 10 shkurt. Nikolli realizoi një video gjatë takimit, ku denoncoi se kërkesat e banorëve nuk u dëgjuan.
Laureta Nikolli është e vetmja banore e lagjes “5 Maji” e cila është gjobitur, edhe pse në zonën e 5 majit janë identifikuar edhe 12 godina të tjera të cilat janë pa leje.
” Të paguash një gjobë për një ndërtesë të lëvizshme është e paligjshme”,- u shpreh Gjin Nikolli, i ati i Lauretës.
Përsa i përket përshkallëzimit të protestës së banorëve të lagjes “5 Maji”, Gjin Nikolli shpjegon se protesta e tyre tashmë është dhe e ndërlidhur me protestën qytetare për uljen e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës.
” I jemi bashkangjitur protestës së madhe, kemi qenë çdo ditë në shesh dhe do jemi të shtunën për kërkesat tona por edhe për uljen e çmimeve sigurisht”, -përfundon Gjini.