- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Shqipëria nën flakë, 127 vatra zjarri u raportuan vetëm në pesë ditë
Shqipëria nën flakë, 127 vatra zjarri u raportuan vetëm në pesë ditë
Qindra vatra zjarri kanë shpërthyer në të gjithë vendin duke shkrumbuar mijëra hektarë tokë dhe rrezikuar banesat. Në pesë ditët e fundit janë raportuar rreth 127 vatra zjarri, ndërsa 33 vatra zjarri janë shuar brenda 24 orëve të fundit sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 1371 forca operacionale, 75 mjete, helikopteri i forcave të armatosura dhe dy avionë “Canadair” të qeverisë italiane.
Ndërkohë vijojnë aktive sot gjashtë vatra zjarri. Konkretisht, në zonën pyjore Bodes në Maliq, në fshatin Skuraj në malin e Kakariqit, në fshatin Gjadër të bashkisë Lezhë dhe Kurbin, në fshatin Zavalinë, bashkia Elbasan dhe fshatin Kus, bashkia Tiranë.
Zjarri i nisur prej gjashtë ditësh në Shëngjin, sot duket të jetë nën kontroll.
“Situata paraqitet më e qetë, ka dy- tre vatra nga Rana e Hedhur, por të vogla” – thotë për Citizens zjarrëfikësi P.Gjinkola.
Ai pohon se e marta ka qenë dita më problematike, kur zjarri ju afrua edhe banesave. Dy ditë më parë në lagjen e portit në Shëngjin është kërkuar evakuimi i banorëve pasi ndodhej një depozitë gazi 5 mijë litërshe.
“Vështirësia ishte nga era. Era e fikte dhe e rindizte zjarrin, kjo solli që situata të dilte jashtë kontrollit” – tregon Gjinkola.
Ndërkohë dje u regjistruan afro 70 hektarë sipërfaqe e djegur në majën e malit të Bodes në njësinë administrative Lozhan të bashkisë Maliq.
Teksa ish – ministri i brendshëm Taulant Balla mundohej të reklamonte situatën festive në Shëngjin, të shumtë ishin aktivistët dhe qytetarët që reaguan në rrjetet sociale për situatën e zjarreve.
Eksperti i mjedisit Abdulla Diku përmbledh për Citizens disa nga arsyet kryesore që ka sjell një situatë të përsëritur të zjarrëvënies.
“Mungon lidhja komunitet – administratë pyjore. Ka raste ku komuniteti për shkak konflikteve që ka pasur më përpara, i është marrë uji, i është marrë prona, i është dëmtuar pylli, nga kompani shfrytëzimi etj., komuniteti në këtë rast e anashkalon pjesëmarrjen, sepse thotë përse ta ruaj unë pasurinë kur e gëzon dikush tjetër” – analizon ai.
Diku shton se më përpara çdo fshat apo lagje ka pasur një ekip vullnetar që ishte në gatishmëri në stinën e verës, për të fikur zjarret, ndërsa sot nuk i kemi më këto struktura.
“Ne kemi mbi një mijë specialist pyjesh që janë papunë, ndërkohë që vendin e tyre e kanë zënë patronazhistë dhe njerëz të tjerë partiak që marrin rrogën, por nuk bëjnë asnjë shërbim me interes publik” – thekson ai.
Për ekspertin e mjedisit, mjetet e punës së zjarrfikësve janë krejt të vakëta përballë pyjeve që janë shndërruar në karburant, që janë mbushur me gjethe të thata për shkak të mos pastrimit.
“Shohim zjarrfikësit me kanotiere duke fikur zjarrin sepse s’kanë pajisje, apo duke përdorur degë pemësh për të fikur zjarrin, për mungesë të pajisjeve të thjeshta që kushtojnë 10 – 20 euro , 50 euro maksimumi”- vijon ai.
Teksa përfundon se zjarrëvënia zakonisht lidhet me qëllime të tjera të qarta në prapavijë.
“Zjarri vihet që në ato vende të zëvendësohet pylli me pallate, me ndërtime, me resorte turistike. Zjarri është si plumbi, i qëllimshëm apo jo, njësoj e bën dëmin, por krimi mjedisor është inekzistent dhe i pandëshkueshëm në Shqipëri” – përmbyll ambientalisti.
The post Shqipëria nën flakë, 127 vatra zjarri u raportuan vetëm në pesë ditë appeared first on Citizens.al.