- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Shpërndarje e protestës dhe 13 procedime penale, aktivistët akuzojnë policinë për dhunë dhe shkelje të ligjit
Shpërndarje e protestës dhe 13 procedime penale, aktivistët akuzojnë policinë për dhunë dhe shkelje të ligjit
13 persona u proceduan penalisht pasi zhvilluan protestën në mbrojtje të lumenjve nga hidrocentralet.
Ky njoftim bëhet i ditur nga Policia e Shtetit, e cila raporton se mbi organizatorët rëndojnë tre vepra penale: “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” ka dërguar njoftimin rreth zhvillimit të kësaj protestë pranë Policisë së Shtetin në datën 19 qershor. Policia nuk i është përgjigjur zyrtarisht organizatorëve, për t’i njoftuar ndalimin e tubimit, çka sipas tyre përbën shkelje të ligjit për tubimet.
“Ndryshe nga sa pretendojnë drejtuesit vendorë të policisë, tubimi nuk ka nevojë për leje, por për njoftim, i cili në rastin konkret është kryer“, tha për Citizens Channel Avokati Tauland Asllanaj.
Policia e Shtetit, në njoftimin për ndjekjen penale, shprehet se qytetarëve u është bërë thirrje që të ruajnë distancën sociale.
Nga pamjet filmike dhe fotografike vërehen forcat policore të cilët nuk respektuan distancën fizike dhe shumë prej tyre nuk ishin të pajisur me maska.
Megi Mustafaraj, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje tregon se prezenca dhe dhuna e ushtruar ndaj pjesëmarrësve në tubim ishte shproporcinale: “Numri i protestuesve ishte i pakët në krahasim me forcat e policisë dhe s’po pretendohej asgjë veçse që të lirohej rruga, në mënyre që të vazhdohej paqësisht me protestën e drejtë”.
Protesta paqësore e cila përshkallëzoi në dhunë policore
Qytetarët janë mbledhur para “Monumentit të Pavarësisë” në orën 18.30 për të marshuar drejt Kryeministrisë, por pjesëmarrësit janë penguar pak para se ata të mbërrinin në destinacionin e fundit, duke krijuar një kordon policor, çka i ka detyruar qytetarët të ulen në rrugë dhe të vijojnë me fjalimet ne mbrojtje të natyrës dhe lumenjve.
Disa minuta më vonë, aktivistët kanë tentuar sërish të çojnë në fund itinerarin e përcaktuar, por policia dhe persona të tjerë civilë, kanë bllokuar pjesëmarrësit, situatë e cila ka përshkallëzuar në dhunë policore.
Avokati Asallanaj: Shpërndarja e protestës me dhunë, shkelje e ligjit
Avokati Tauland Asllanaj bën me dije se pretendimet e policisë se zhvillimi i protestës ishte i paligjshëm, është i pavërtetë dhe se shpërndarja me dhunë e saj është shkelje e legjislacionit dhe e ta drejtave të njeriut.
“Pas një urdhri të marrë me telefon, shefi i rendit të Komisariatit të Policisë nr.2, Tiranë, Z. Mynyr Muça, në shkelje të ligjit, në shpërdorim të detyrës dhe shkelje të të drejtave të njeriut ka urdhëruar shpërndarjen me dhunë të tubimit, ndalimin dhe shoqërimin me dhunë të protestueseve paqësorë dhe më tej edhe nisjen e procedimit penal ndaj tyre“, shprehet Asllanaj për Citizens Channel.
Pretendimi i policisë se tubimi ishte në paligjshmëri është i pavërtetë, informon në vijim ai.
“Organizatorët e tubimit, në respekt dhe zbatim të ligjit, kanë dërguar njoftimin zyrtar, që më datë 19.06.2020, pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, me të gjithë të dhënat që ligji kërkon.
Po ashtu, avokati Muka informon se organizatorët nuk janë njoftuar për kufizime nga ana e policisë.
“Në rastin e tubimit të datës 24.06.2020, nuk rezulton që ndonjëri nga drejtuesit e policisë, të ketë njoftuar organizatorët për ndonjë kufizim apo pengesë të mundshme. Çka do të thotë që çdo veprim i dhunshëm i kryer në drejtim të qytetarëve ditën e protestës është kryer në shkelje të ligjit”.
Asllanaj liston disa shkelje të efektivëve të policisë gjatë tubimit të djeshëm:
“Nëse i referohemi ngjarjeve të datës 24.06.2020, evidentohen disa shkelje të kësaj dispozite: Së pari, pjesa më e madhe e shoqërimeve dhe dhunimeve, janë kryer nga punonjës pa uniformë, sikurse del qartë nga pamjet filmike.
Së dyti, tubimi ishte krejtësisht paqësor, pa dhunë dhe pa veprime që cenonin rendin dhe sigurinë.
Së treti, nuk rezulton që të ketë pasur ndonjë situatë emergjente, e cila të bënte të domosdoshme shpërndarjen e tubimit.
Së katërti, është pretenduar se ka pasur bllokim të qarkullimit, por pamjet e shumta filmike të momentit të ndalimit të qytetarëve dëshmojnë më së miri, se qytetarët protestues ishin në trotuarin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit’“, përfundon avokati Tauland Asllanaj.