Shkrimtarët e rinj në Panairin e 26-të të Librit

Të mërkurën çeli dyert panairi i 26 – të i librit në Tiranë, ku po marrin pjesë 95 shtëpi botuese nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut.  por edhe shkrimtarë dhe përkthyes të cilët do të prezantojnë publikimet e tyre të reja.

Citizens Channel ka takuar tre shkrimtarë të rinj, të cilët ndanë përvojën dhe sfidat e tyre me librin.

Genta Hodo vjen këtë panair me botimin e saj të parë “Pak kohë për poezi“, libër i sjell në treg nga shtëpia botuese “Albas“.

“Unë jam me fat, më ka ndihmuar përvoja e gjatë që kam në media dhe fakti që jam shkolluar për gjuhë- letërsi, më ka afruar me rrethet letrare. Por mund ta them me bindje se për një shkrimtar aspirues që nuk i ka këto burime mund të jetë e vështirë, nëse i mungon një sistem mbështetës ”, – tregon Hodo.

“Pak kohë për poezi”, i cili është edhe titulli librit, është gjithashtu edhe poezia e parë e autores, e shkruar në moshën gjashtë vjeçare.

“Nëse nuk je i bindur tek talenti yt, dhe për këtë zakonisht duhet njëfarë pjekurie, një pjesë e mirë e botuesve shqiptarë kanë një komunikim aq të pazakontë saqë çdo shkrimtar i ri do të sprapsej, edhe ata që i kanë të gjitha gjasat për t’u bërë Migjenët apo Kadaretë e ardhshëm”, – vijon Hodo.

Ndër sugjerimet për shkrimtarët e rinj ajo nënvizon se ndryshe nga ç’trumbetohet ndokund, rrjetet sociale nuk janë e kundërta e letërsisë, përkundrazi, kudo në botë ato po i japin letërsisë një ndihmesë të jashtëzakonshme.

“Rrjetet sociale të ofrojnë mundësinë për t’u vetëafirmuar duke krijuar një takim të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me lexuesin. Gjithashtu e kthejnë pushtetin përzgjedhës në duart e lexuesit, jo më të shtëpive botuese, sepse janë ata që tashmë përcaktojnë se kush do të jetë emri tjetër i madh nëpër librari”, – përfundon ajo.

“E vërteta vërtitet” është një tjetër titull i cili vjen në treg nga shtëpia botuese Dudaj, botim satirik i shkruar nga Erion Mollaymeri.

“Pjesa më e madhe shkrimatrëve, të rinj ose jo, zgjedhin panairin për tu reklamuar më shumë sepse për ne është eventi i vetëm, që krijon alternativa për audiencën. Nga një anë tingëllon si sipërfaqësore që të gjithë botojnë për panair, por është edhe momenti më i mirë për tu reklamuar, sepse duke qenë një vend i vogël, mundësitë janë të kufizuara”, – analizon Mylloameri.

Situatat në këtë botim janë ngjarje reale dhe imagjinare që janë ngjitur në karikaturë, për hir të satirës, që dalin nga media, shkojnë në shoqëri dhe rithehen po në media, pra në këtë rreth vicioz.

“Sfida më e madhe është që të njihesh dhe jam duke u përballur ende me këtë sfidë, nuk është se e kam kaluar. Vjen ky momenti që ndahet pasioni i të shkruarit tek bërja publike e asaj që ke shkruar, sepse duhet ët krijosh besueshmëri tek njerezit që produkti yt vlen për tu lexuar”, – thekson ai.

Kleitia Vaso me veprën “Rrathë“ shkruan në dy gjuhë njëkohësisht, duke përfaqësuar brezin e ri që flet dhe e ka të zhvilluar mendimin në disa gjuhë.

“Rrathë” janë ese personale,  që ndërthurin jetën time private me studimet, sepse kam studiuar për letërsi. Gjithashtu kam jetuar gjatë në Poloni dhe Amerikë, kështuqë janë ese të përjetimeve, të rikthimeve në vende, të parit nga e para të gjërave që ndoshta nuk i njoh, ose që i njeh më mirë me rikthimin e dyte dhe prandaj titullohet “Rrathë”, – analizon Vaso.

Vaso pohon se përtej panairit i cili është një herë në vit, përgjatë vitit autorët duhet të zhvillojnë takime nëpër auditore, në klube libri, për të mos mbetur në hije puna e tyre.

“Sfida e parë ka qenë ajo e botimit në Shqipëri, ku ndoshta shumë gjëra duhet ti zgjidhësh vetë, sidomos me librin e parë. Me librin e dytë shumë më ndryshe, por me librin e parë çdo gjë duhet ta bëja vetë, kopertinën, strukturën, redaktimin”, – kujton Vaso.

Sot do të ndahen edhe 4 çmimet e përvitshme, të përzgjedhura nga juria e kryesuar nga gazetarja Arta Marku, ndërsa Panairi i Librit “Tirana 2023” do të qëndrojë i hapur deri më 19 nëntor për vizitorët në Pallatin e Kongreseve.