- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Shkelja e të drejtave në punë vjen me pak ndëshkime dhe hezitim për të denoncuar
Shkelja e të drejtave në punë vjen me pak ndëshkime dhe hezitim për të denoncuar
“Pasi jam prononcuar publikisht kundër vendosjes së kamerave në ambientet private, një javë më vonë, më kanë thirrur për të diskutuar mbarëvajtjen time në punë dhe me pretekstin e performancës së ulët, më pushuan”, tregon për Citizens Channel Barbara Meçaj, ish-punonjëse e kompanisë Teleperformance.
Barbara tregon se është vetëm një nga 18 persona që u pushuan nga puna pasi kundërshtuan instalimin e kamerave në shtëpi.
Pas denoncimi të Sindikatës “Solidariteti”, më 13 Janar 2021 Komisineri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale rekomandoi bllokimin e përpunimit të të dhënave personale të punonjësve përmes kamerave.
Meçaj tregon se për këtë çështje është hapur një proces gjyqësor kundër kompanisë por ende nuk është kryer seanca e parë.*
Barbara është vetëm një prej rreth 50 qytetarëve që ju përgjigjën thirrjes së Citizens Channel për të raportuar shkeljen e të drejtave në punë përmes mekanizmit ECR (Raportim i Qytetarëve të Angazhuar).
Nga analizimi i të dhënave u konstatuan një sërë problemesh që lidhen me mungesën e ditëve të pushimit, punën jashtë orarit, vonesën e pagave dhe diskriminimin në punë.
Pjesa dërrmuese e të intervistuarve (74%) tregojnë se kanë punuar jashtë orarit pa marrë shpërblim ndërsa vetëm dy persona janë shprehur se po marrin pagën që meritojnë. Gjashtë persona kanë denoncuar se janë hasur me diskriminim në vendin e punës, ndërsa 20% e personave tregojnë se nuk kanë asnjë ditë pushim në vendin e punës.
Liserxhio Xhaferraj, i kontaktuar nëpërmjet ECR, rrëfen se ai është shkarkuar nga punëdhënësi i tij vetëm sepse nuk ka pranuar të paraqitet një të dielë në punë, në ditën e tij të vetme të pushimit.
Xhaferraj u shkarkua vetëm pas 23 ditësh pune në një fasoneri në Lushnje.
“Nuk kisha firmosur kontratë pune, jo mua por asnjë punëtori nuk i kishin paraqitur, na kishin kërkuar vetëm ID, edhe analizat e shëndetit, që isha i aftë që të punoja”, pohoi ai.
Xhaferraj u pagua vetëm për nëntë ditë pune dhe kompania ende sot i detyrohet 16 mijë lekë.
“Edhe kur kërkoja paratë e mia sjellja ishte jo normale, më bërtisnin, dil jashtë, nuk je më punëtor këtu, s’ke të drejtë të hysh” përfundon ai.
Edhe pse i është drejtuar policisë Xhaferraj nuk e mori asnjëherë shpërblimin për punën e tij.
Vetëm 3.4% e shkeljeve shoqërohen me gjoba
Sipas Edison Hoxhës, drejtor ekzekutiv nga Qendra për të Drejtat në Punë (CLR) ankesat më të mëdha rezultojnë për vonesa në dhënie page e shlyerje kontributesh, cenim i marrëdhënieve të punës, largime te padrejta nga puna, mos pagesë për orët e punës shtesë, mos pagesë të punës me turne, mos pagesë te orëve të punës gjate pushimit javor apo festave, puna gri, të punësuar qe deklarohen me pagën minimale, etj.
Sipas të dhënave të analizës vjetore nga Inspektoriati i Punës për vitin 2020, vetëm 3.4% e shkeljeve të evidentuara, rezultojnë me masën gjobë dhe 1.2% e shkeljeve të evidentuara, rezultojnë me masën pezullim.
Për vitin 2020 sipas Inspektoriatit të Punës ka pasur 5993 inspektime për subjektet private dhe shtetërore, 7086 inspektime më pak në raport me 2019.
Diskriminimi dhe hendeku gjinor në paga
Hendeku gjinor në paga sipas Instat në vitin 2020 është 6,6 %. Pra burrat kanë një pagë mesatare mujore bruto 6,6 % më të lartë sesa gratë. Krahasuar me vitin e mëparshëm, në vitin 2020 vihet re një ulje e hendekut gjinor në paga me 3,5 pikë përqindje.
Edlira Xhafa, studiuese për çështjet e punës është kritike ndaj këtyre shifrave. Ajo shprehet se gjasat janë që hendeku gjinor në paga të jetë shumë herë më i lartë se kaq.
“Të gjitha profesionet që janë më të keq paguara dominohen nga gratë, përmendim infermieret, mësueset, edukatoret e kopshtit, sanitaret”, thekson Xhafa.
Edhe Barbara Meçaj pohon se edhe pse Teleperformanca mbizotërohej nga vajzat dhe gratë, ishin burrat ata që merrnin rritje në detyrë më shpesh.
“Nga ata që ngriheshin në detyrë vetëm 10% e tyre ishin gra apo vajza. I shihnin me dhunti më të mëdha në pozicionin e liderit djemtë” , thotë ajo.
Sipas të dhënave nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në 2021 janë regjistruar 17 ankesa me objekt diskriminimin për shkak të gjinisë, ndërsa në 2020 vetëm katër. Përfaqësues të këtij institucioni pohojnë se trendi i regjistrimit te ankesave me shkak gjininë është në rritje.
“Faji bie gjithmonë mbi gruan, dhe nuk është çudi që ka një masë të madhe mos raportimi të rasteve,” thekson Edlira Xhafa.
Sipas raportit të Qendrës së Aleancës për Zhvillim Gjinor (2019) të anketuarit deklarojnë se priren të zgjidhin vetë rastet e ngacmimit seksual në punë (58% e grave dhe 38% e meshkujve), në vend që ta raportojnë.
Kostot dhe kohëzgjatja e proceseve gjyqësore demotivojnë denoncimin
Magdalena Theodhori punonte në një kompani private në Tiranë, në departamentin e shitjeve dhe është shkarkuar nga puna vetëm sepse mori një javë leje të zakonshme vjetore, ndërkohë që punëdhënësi i kërkonte të mos ta merrte për shkak të fluksit të punës.
“Nëse do të gjeja një avokat të zotin dhe të kisha mundësi do të hapja çështje gjyqësore ndaj tij”, tregon Magdalena.
Edison Hoxha nga CLR konfirmon se proceseve gjyqësore i drejtohet një numër i vogël punonjësish ne raport me numrin total. Ai analizon se ky hezitim vjen nga mosbesimi në sistemin e drejtësisë, kostoja dhe kohëzgjatja e proceseve gjyqësore.
“Pas vetingut ka një vonesë në katër deri në pesë vite të procesit gjyqësor deri në Gjykatën e Apelit ku vendimi merr formë të prerë, nga 1,5 deri ne 2 që donte mesatarisht me parë”, pohon Hoxha.
Edison Hoxha
Hoxha shton se shqetësuese mbetet ekzekutimi i vendimeve gjyqësore te kompanitë private të vogla dhe të mesme të cilat përdorim manovra për të shmangur ekzekutimet e vendimeve.
“Problem mbetet ekzekutimi i vendimeve gjyqësore sa i përket ekzekutimit tek institucionet buxhetore ku hasen vonesa te mëdha qe kalojnë edhe ne disa vite pas lindjes se te drejtës”, shton ai.
Studiuesja Edlira Xhafa shpjegon se kodi i punës e ka të përcaktuar se konfliktet e punës kalojnë përmes gjykatave të punës që në Shqipëri nuk u ndërtuan kurrë.
“Ne e dimë c ‘ndodh me gjykatat shqiptare, përveç ngarkesës me raste që është e pafundme, ti shtosh dhe çështjet e punës që qartazi te ne nuk kanë asnjë lloj prioriteti sepse është treguar me fakte nga mënyra sesi u shkri Ministria e Punës, nga mënyra sesi Inspektorati i Punës nuk dëgjohet…” analizon ajo.
Edlira Xhafa
Sipas Xhafës ndërsa Shqipëria është duke aplikuar pafundësisht për tu anëtarësuar në BE dhe i kërkohet të përmbush standarde të caktuara të drejtat e punëtorëve nuk janë në plan fare të strukturave shtetërore,
“Edhe në raste flagrante si ai i minatorëve të Bulqizës, nuk kemi pasur një prononcim publik të institucioneve”, përmbyll ajo.
* Kompania Teleperformance nuk ju përgjigj telefonatave dhe kërkesave për reagim nga Citizens Channel, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
The post Shkelja e të drejtave në punë vjen me pak ndëshkime dhe hezitim për të denoncuar appeared first on Citizens.al.