- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Shkel barazinë e akademikëve”, Artan Fuga kritikon ndryshimet në ligjin për Akademinë e Shkencave
“Shkel barazinë e akademikëve”, Artan Fuga kritikon ndryshimet në ligjin për Akademinë e Shkencave
Akademiku Artan Fuga ka parashtruar sot në mbledhjen e Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik kritikat e tij lidhur me ndryshimet ligjore në Akademinë e Shkencave.
Projektligji, i cili synon të ndryshime në ligjin aktual të vitit 2019 “Për Akademinë e Shkencave” u propozua nga deputetët Ismet Beqiraj dhe Petro Koçi, ndërsa është duke u diskutuar në Komisionin për Edukim.
Sipas Artan Fugës, Akademia e Shkencave vërtitet rreth tre funksioneve që nuk janë ato që duhet.
“E para, do të marrë rolin e një agjencie tutele mbi Institutet e Albanologjisë. E dyta, ka marrë pak rolin e një instituti kërkimesh pa pasur mjetet edhe njerëzit për të përballuar fusha heteroklite kërkimesh që fillojnë nga sizmologjia, nga teknologjia, gjuhësia, historia dhe me thënë të drejtën nuk njoh në botë ndonjë institut të kërkimeve shkencore të jetë ndërtuar në ketë mënyrë, ku mos të ketë një koherencë fushe. Së treti, ka marrë kuptimin e një agjencie që bën aktivitete shkencore ndihmëse, siç mund ti bënte një laborator. Që nuk janë absolutisht të pavlefshme, por janë ndihmëse”,-u shpreh akademiku Fuga para komisionit.
Ai paraqiti vërejtjet e tij lidhur me ndryshimet që synojnë t’i japin kreut të Akademisë të drejtën të rizgjidhet për më shumë se një mandat.
Projektligji parashikon shfuqizimin e togfjalëshit “por jo radhazi” në nenin 3 të ligjit aktual, i cili kufizon mandatin e kreut të institucionit.
Ky ndryshim është akuzuar si i porositur nga kryetari aktual Skënder Gjinushi, që synon të rizgjidhet sërish në krye të Akademisë së Shkencave.
‘Ky propozim dëshiron të na japë një riformulim të ri sipas së cilit kryetari, zëvendës/kryetari, sekretari shkencor, drejtuesit e seksioneve, pra gjithë ekipi drejtues në bllok të kenë mundësi të rizgjidhen në funksion për dy mandate. Aktualisht është për dy mandate, jo në vazhdimësi. Që do të thotë, dy mandate, katër kaluan edhe 8 bëjnë 12. Edhe sikur të mos jetë kështu por praktika ka treguar që kështu është interpretuar, aktualisht që të kemi mundësinë e rimarrjes së mandateve”, – u shpreh Fuga.
Kufizim moshe për akademikët, por jo për kryetarin e akademisë
Mes të tjerash në propozimin ligjor përcaktohet edhe ndërprerja e mandatit të anëtarit të kryesisë nëse ai mbush 75 vjeç. Fuga u shpreh se krijohen kundërthënie të brendshme duke krijuar pabarazi mes akademikëve.
“Mendoni se mund të ndërtojmë një statut juridik ku i njëjti person juridik edhe të ketë detyrim edhe mos të ketë detyrimin? Shkelet barazia e akademikëve para ligjit. Me mbushjen e moshës 75 vjeç anëtarëve të akademisë i hiqen të drejtat dhe detyrimet me përjashtim të atij që është kryetar i Akademisë së Shkencave”,-u shpreh Fuga.
Akademiku Fuga u shpreh se propozimi ligjor nga deputetët është një gabim metodologjik.
“Nëse do të ndodhë kjo ne do të kemi një ligj kundërthënës që do ta kthejë akademinë edhe më tepër në një institucion i cili do të lëvizë midis kundërthënieve logjike, midis gjërave që janë edhe po edhe jo”,-argumentoi Fuga.
Ndërsa nuk hezitoi të shprehte faktin se relacionin shoqërues i projektligjit, në vend që të sqaronte propozimin kishte shumë kundërthënie.
“Çfarë objektivi mendohet të arrihet, duke bërë që jo vetëm kryetari, por të pestë anëtarët e kryesisë mund të qëndrojnë në të njëjtat poste dhe mund të postulojnë për të njëjtat poste për tetë vjet radhazi, duke e ndryshuar ligjin. Nuk ka asgjë. Çfarë objektivash kërkohen të arrihen kur propozohet që kryetari të vazhdojë të qëndrojë në detyrë edhe pas moshës 75 vjeç? Përderisa nuk ka objektiva, nuk mund të ketë dhe argumente që të justifikojnë ndryshimet ligjore për ti arritur ato objektiva. Përkundrazi, ka propozime për ndryshime ligjore pa objektivat që duhen arritur. Mua më duket se kërkesa proceduriale, jo vetëm që nuk është respektuar, por është kthyer mbrapsht”,-argumentoi Fuga.
Fuga përfundoi se “është një projekt-amendamen, i cili nuk ka asnjë gjurmë që të ketë ardhur si propozim i akademikëve”.
“Arrnimet në ligjin për Akademinë e Shkencave”
Projektligji u propozua në janar të vitit 2023, ndërsa po shqyrtohet në Komisionin e Medias dhe Edukimit. Ky ndryshim në ligjin për Akademinë e Shkencave vjen i treti në më pak se katër vjet. Ndërsa, reformimi i Akademisë erdhi si shprehje e hapur nga qeveria në vitin 2018 duke e konsideruar si një institucion të kohës së komunizmit.
Një vit më vonë, me ligjin e ri të akademisë në krye u zgjodh Skënder Gjinushi, i cili i kaloi drejtimin e Partisë Social Demokrate Tom Doshit, deputetit që u përjashtua nga Partia Socialiste në vitin 2015 dhe u shpall “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018.
The post “Shkel barazinë e akademikëve”, Artan Fuga kritikon ndryshimet në ligjin për Akademinë e Shkencave appeared first on Citizens.al.