- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Rregullorja e re e KLP-së pritet me kritika nga gazetarët: “Cënon lirinë e medias”
Rregullorja e re e KLP-së pritet me kritika nga gazetarët: “Cënon lirinë e medias”
Përmes një komunikimi në një grup WhatsApp-i, Këshilli i Lartë i Prokurorisë u transmetoi gazetarëve të martën, miratimin e një rregulloreje të re që ka të bëjë me komunikimin në media.
Rregullorja është pritur menjëherë me kritika nga gazetarët dhe profesionistët e fushës.
Në njoftimin për shtyp të KLP-së, thuhet se kjo rregullore tenton të normalizojë marrëdhëniet e bashkëpunimit mes medias dhe prokurorëve.
Rregullorja e KLP-se, derguar gazetareve permes grupit te WhatsApp-it
Mirëpo, për ekspertët e sigurisë së gazetarëve dhe lirisë së fjalës, kjo rregullore u pamundëson gazetarëve të informojnë publikun.
Flutura Kusari, këshilltare ligjore pranë Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias e cilësoi rregulloren si mjet censurues.
Përmes një reagimi në Facebook ajo u shpreh se rregullorja është bërë pa konsultim të mirëfilltë me mediat dhe gazëtarët. Kusari deklaroi se kjo rregullore ndalon kontaktin fizik apo me telefon mes gazetarit dhe Koordinatorit për të Drejtën e Informimit .
Ajo e sheh problematike edhe kërkesën e rregullores për akreditimin e gazetarëve.
Blerjana Bino nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists Albania) shprehet se KLP parashikon akreditim vetëm për gazetarët e kameramanët që punojnë në kompani mediatike por jo për gazetarët që janë në profession të lirë.
“Kjo është shqetësuese dhe institucionet duhet të përgatiten për të ndërtuar marrëdhënie me të gjithë individët apo organizatat që punojnë me mediat“, tha për Citizens Channel Bino.
Në dhejtor të vitit të kaluar, Kontrolli i Lartë i Prokurorisë dërgoi po ashtu një formular për akreditimin e gazetarëve, i cili u prit me kritika dhe u cilësua si censurues.
Blerjana Bino, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt
“Rregullorja kërcënon gazetarët”
Rregullorja e re e KLP-së kërcënon gazetarët se nëse i gjejnë “shkelje qartësisht të dallueshme të objektivitetit dhe profesionalizmit, si dhe për shkelje të Kushtetutës, ligjit, dhe të parimeve të kësaj rregulloreje” mund t’i heqin akreditimin.
Bino deklaron se ky është aspekti më shqetësues i rregullores. “Gjithë çështja këtu është kush do të vendosë për objektivitetin e raportimit të gazetarëve?“, tha ajo.
Po ashtu Bino shton se rregullorja ka shumë aspekte jo të qarta, të cilat janë evazive dhe të përgjithshme.
Gazetarët nuk kanë të drejta të tjera nga kjo rregullore, përpos asaj që i ofron ligji “Për të drejtën e informimit”.
Gazetari Isa Myzyraj përmes një reagimi në rrejtet sociale është shprehur se KLP “duhet të tërhiqet urgjentisht nga e ashtuquajtura rregullore për media, të publikuar sot e të pakonsultuar në themel me Gazetarët dhe Mediat”.
Blerjana Bino u shpreh se ia kanë dërguar rastin Rjetit të Gazetarëve të Sigurt për Ballkanin Perëndimor. “Jemi duke përgatitur një reagim me letër të hapur për Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, tha ajo për Citizens Channel.
The post Rregullorja e re e KLP-së pritet me kritika nga gazetarët: “Cënon lirinë e medias” appeared first on Citizens.al.