Reagime: Organizatat e medias bëjnë thirrje për ndaljen e dhunës policore ndaj gazetarëve

Rrjeti “Gazetarët e Sigurt” (Safe Journalists) ka bërë thirrje për ndalimin e dhunës së policisë ndaj gazetarëve. Reagim ky si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia ndaj operatorit të televizionit Fax News, Ledio Guni të mërkurën e 19 janarit.

Operatori Guni ishte duke transmetuar drejtpërdrejt ngjarjet që po ndodhnin në lagjen “5 Maji” , ku banorët po bënin rezistencë ndaj shembjes së banesave, në kohën kur ai u pikas nga policia dhe u tërhoq me forcë. Ai mori plagë edhe në krah, ndërsa u drejtua për kujdes mjekësor.

Rrjeti i “Gazetarëve të Sigurt” u shpreh se policia bashkiake nuk ka reaguar ende për këtë cështje, ndërsa është një rast I përsëritur sjellja e tillë me median gjatë raportimeve drejtpërdrejt.

“Ky nuk është pengimi i parë nga policia dhe ata janë kritikuar edhe më parë për mënyrën se si i trajtojnë gazetarët gjatë raportimit live nga terreni. Gjithashtu, kjo nuk është hera e parë që sulmohet gazetari Guni. Në tetor të vitit 2021 ai u sulmua fizikisht dhe u godit nga një karrige teksa filmonte konfrontimin në shkollën “Çajupi”. Pavarësisht se Guni u deklarua si gazetar, sulmi vazhdoi”,-shprehet Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.

“Sulmi aktual ndaj stafit të medias që raporton për veprimet e Bashkisë në zonën e “5 Majit” është shumë shqetësues, veçanërisht kur lidhet me transparencën e kufizuar të Bashkisë së Tiranës ndaj mediave në përgjithësi dhe kritikat e mëparshme nga organizata të ndryshme”.

Përfaqësuesja e Rrjetit të “Gazetarëve të Sigurt” citon Rrjeti shprehet se:“Sulmi aktual ndaj stafit të medias që raporton për veprimet e Bashkisë në zonën e “5 Majit” është shumë shqetësues, veçanërisht kur lidhet me transparencën e kufizuar të Bashkisë së Tiranës ndaj mediave në përgjithësi dhe kritikat e mëparshme nga organizata të ndryshme”.

Reagime të “Unionit të Gazetarëve” dhe “Reporterëve pa Kufij” 

Më herët “Unioni i Gazetarëve” imazhet e publikuara ku operatori largohet me forcë nga vendi i ngjarjes i ka konsideruar të patolerueshme dhe tronditëse ndërsa ka kërkuar venin para përgjegjësisë ligjore të punonjësve të policisë.

“UGSH dënon me forcë këtë episod. Kërkojmë menjëherë vënien para përgjegjësisë ligjore të personave me uniformën e policisë bashkiake që janë autorë të dhunës së ushtruar mbi operatorin e televizionit. Në mënyrë të menjëhershme të gjithë përgjegjësit e kësaj dhune policore të vihen para përgjegjësisë”,-thuhet në komunikimin e Unionit.

“Reporterët pa Kufij” (Reporters Withour Borders) përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” ka dënuar këtë veprim të policisë, duke e konsideruar kufizim të lirisë së medias.

“Edhe pse u identifikua si kameraman, Ledio Guni u detyrua dhunshëm dhe arbitrarisht nga 3 policë të largohej nga protesta që po mbulonte për Fax News në Tiranë. “Reporterët pa Kufij” dënon këtë kufizim për lirinë e medias, i cili nuk mund të tolerohet,”-thuhet në postimin e Reporterëve pa Kufij.

#Albania: Despite being identified as a cameraman, Ledio Guni was violently & arbitrarily forced by 3 policemen to leave the protest he was covering for Fax news in #Tirana today. @RSF_inter condemns this restriction to #pressfreedom which cannot be tolerated. #policeviolence pic.twitter.com/YIQzCr26Zf

— RSF in English (@RSF_en) January 19, 2022

Shënim:

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), mbledh më shumë se 8,200 anëtarë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe gazetarë nga Shqipëria, dhe vepron në rastet e shkeljeve e të drejtave të gazetarëve, kur rrezikohet siguria e tyre dhe kufizimi i lirive të medias.

“Reporterët pa Kufij” (Reporters wothout Borders) E themeluar nga katër gazetarë në qytetin jugor francez Montpellier në vitin 1985, RSF është tani një nga organizatat kryesore në botë në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së informacionit.