- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Reagime: Institucionet dhe organizatat kërkojnë hetim të plotë të sulmit ndaj Top Channel
Reagime: Institucionet dhe organizatat kërkojnë hetim të plotë të sulmit ndaj Top Channel
60 vjeçari Pal Kola, roje e sigurisë së godinës së Top Channel mbeti i vrarë nga një sulm me armë zjarri në orët e para të mëngjesit nga persona ende të pa identifikuar.
Sipas Policisë së Shtetit, personat kanë qëlluar me plumba drejt godinës së televizionit kombëtar përmes një makine të tipit “range rover”, e cila më pas është gjetur e djegur në autostradën Durrës-Kavajë.
Policia njoftoi se po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Televizioni Top Channel, përmes një deklarate publike e konsideroi një sulm terrorist me qëllimin për të dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë.
“Ky akt terrorist është i papreçedent ndaj një media kombëtare, e lidhet vetëm me misionin e saj të fjalës së lirë. Top Channel, aksionerët e tij e familjarët, drejtuesit, gazetarët e autorët, nuk kanë e nuk ka qënë kurrë objektiv i ndonjë sulmi individual që prej themelimit të tij, gjithçka në këtë akt terrorist, lidhet dhe ka të bëjë vetëm me misionin e Top Channel”, –thuhet në deklaratën e televizionit Top Channel.
Organizatat e medias reagojnë për sulmin ndaj televizionit Top Channel
Ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 27 marsit është regjistruar edhe pranë Platformës së Këshillit të Evropës për Siguri të Gazetarëve.
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias bëri thirrje për një hetim të plotë, të pavarur dhe profesional për sulmin.
“Jemi të shokuar kur mësuam se ka ndodhur një sulm me armë zjarri në ambientet e Top Channel në Shqipëri, ku humbi jetën një roje sigurie në objekt. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes dhe u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë hetime të pavarura dhe profesionale”,-thuhet në njoftimin e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias.
Shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë e dënuan sulmin dhe kërkuan nga organet ligj zbatuese hetime sa më të shpejta dhe transparente për ngjarjen.
Rrjeti Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri shprehu ngushëllime për familjen e Pal Kolës dhe u solidarizuar me komunitetin e Top Channel.
“Ne bëjmë thirrje për veprime të shpejta për të hetuar këtë sulm dhe për të nxjerrë autorët para drejtësisë. Nevojitet një përgjigje e koordinuar dhe efektive nga të gjitha institucionet përkatëse ligj zbatuese, si dhe solidaritet i fortë me Top Channel dhe të gjithë komunitetin e tyre mediatik”,- u shpreh Blerjana Bino, kërkuese e rrjetit të gazetarëve të Sigurt.
Ndërsa vuri në dukje se “do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën, duke mbrojtur sigurinë dhe sigurinë e gazetarëve dhe profesionistëve të medias dhe duke u kërkuar autoriteteve të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar drejtësinë dhe për të parandaluar sulmet e ardhshme”.
Dejtuesit shtetërorë inkurajojnë zbardhjen e shpejtë të ngjarjes
“Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola”, -deklaroi presidenti Bajram Begaj, ndërsa inkurajoi organet ligjzbatuese të zbardhin ngjarjen sa më shpejt.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolli e konsideroi ngjarje të rëndë dhe kërkoi veprim të menjëhershëm e profesional nga agjencitë ligjzbatuese.
Kryeministri Edi Rama në reagimin e tij në platformën “Twitter” shprehu ngushëllime ndaj rojes së sigurisë dhe krejt bashkësisë së Top Channel.
Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues!
— Edi Rama (@ediramaal) March 27, 2023
Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi theksoi se Policia e Shtetit është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur ngarjen e rëndë.
Delegacioni i BE-së në Shqipëri shprehu ngushëllime për familjen e të ndjerit dhe kërkoi hetim të shpejtë dhe nxjerrje të përgjegjësve para drejtësisë.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri iu bashkua thirrjeve të zyrtarëve të lartë të shtetit për hetim të shpejtë dhe të plotë, ndërsa dënuan sulmin kriminal.
The post Reagime: Institucionet dhe organizatat kërkojnë hetim të plotë të sulmit ndaj Top Channel appeared first on Citizens.al.