Raportimi gazetaresk përballë të tashmes dhe të ardhmes

Autor: Rigon Harxhi* | Citizens Channel

E ardhmja e gazetarisë shqiptare duket se është e zymtë. Ekspertët e medias dhe komunikimit e shohin të ardhmen e medias shqiptare të errët dhe me disa sfida ndoshta të pakapërcyeshme që do të sjellin një terren të ri, me media por pa informacion.

“Po vazhdoi kështu do t’i ngjasi edhe televizioneve si i ndodhi gazetave në letër, falimentimi, edhe portaleve sikurse televizionit, rënia e audiencave. Po vazhdoi kështu, ne do të jemi një shoqëri me media ndofta, por pa informacion”- shprehet akademiku Artan Fuga.

Sfidat e gazetarëve të rinj

Gazetarët shqiptarë e shohin teknologjinë si një ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballen në punën e tyre.

Në një pyetësor të realizuar me 50 gazetarë në funksion të këtij publikimi, teknologjia shihet si sfida kryesore që do të ndikojë punën e gazetarëve.

86% e gazetarëve të pyetur mendojnë se teknologjia ka ndikuar në cilësinë e raportimit krahas shkaqeve të tjera si ndërhyrjet politike apo ndikimi i modelit të biznesit, bazuar mbi klikimet dhe reklamat.

Infografikë: Përmbledhje e gjetjeve të sondazhit realizuar me 50 gazetarë

Ardit Hoxha prej pesë vitesh angazhohet si gazetar në media të ndryshme. Ai shprehet se siguria në punë, pajisja me një kontratë, por edhe çështjet financiare kryesisht tek gazetarët e rinj, mbeten probleme të mëdha.

“Përveç këtyre problemeve që unë i shikoj si pasoja të zhvillimit kaotik të mediave shqiptare në këto 30 vite, ka edhe probleme më të vogla që janë edhe për kolegët tanë në vende me demokraci të konsoliduar dhe treg mediatik shumë herë më të zhvilluar”- tha ndër të tjera Hoxha.

Sipas një studimi të Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës (2019) mediat, e në veçanti mediat online, kanë një numër të vogël gazetarësh me kontratë të përhershme dhe përqindjen më të lartë të atyre që punojnë me honorare apo praktika pune.

Prandaj, puna e papaguar është një tjetër sfidë me të cilën po përballen gazetarët shqiptarë. Referuar këtij studimi me 249 gazetarë, gjysma prej tyre janë përgjigjur se punojnë mbi 40 orë në javë, çka përbën një shkelje të ligjit, pasi neni 83 i Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë thekson qartë se “Kohëzgjatja normale e javës së punës është jo më shumë se 40 orë”.

Ekspertët e medias dhe komunikimit por edhe vetë gazetarët shprehen se në ditët e sotme profesioni është zhvlerësuar shumë, e kjo ka sjellë edhe pasiguri në punë.

Vetëm 4% e gazetarëve të pyetur në sondazhin e realizuar për këtë artikull e shohin punën e tyre aktuale si shumë të sigurt.

Albana Aliaj, një reportere e re nga qyteti i Durrësit, rrëfen se është kërcënuar disa herë për të mos thënë  të vërtetën. Aliaj shton se ky profesion nuk është i vlerësuar, pavarësisht se ruan ekuilibrat e demokracisë.

Ndërsa sipas akademikut Artan Fuga, i gjithë sektori është në krizë: “Politizimi i informacionit, zëvendësimi i informacionit të pavarur nga propaganda e zyrave të marrëdhënieve publike, mbizotërimi i ekraneve dhe portaleve nga politika më banale e ditës, gazetaria deklarative si forma më e ulët e gazetarisë, e cila është mbizotëruese, janë parametra të kësaj krize”.

Sipas tij, mjedisi aktual mediatik dhe gazetaria cilësore në Shqipëri është në një nivel shumë më të ulët se ajo e viteve 2000 ndërsa e viteve 2000 më e ulët se ajo e viteve ‘90.

A është teknologjia një “shpëtim” për të ardhmen e gazetarit?

Mobile Journalism (MoJo), është një teknikë gazetareske që përdor telefonin celular për krijimin, montimin dhe publikimin e produksioneve. Futja në përdorim e pajisjeve teknologjike që mundësojnë lidhje të shpejta direkte, kronika dhe ngjarje të përpunuara nga vetë gazetarët duket se ka hapur një epokë të re të të bërit gazetari dhe pasqyrimit të ngjarjeve tek publiku.

Krahas lehtësisë që kanë sjellë këto pajisje, në Shqipëri duket se tregu nuk është mjaftueshëm i përgatitur për zhvillime të tilla teknologjike.

48% e gazetarëve të pyetur shprehen se ata nuk janë trajnuar për teknikat e reja të raportimit me mjetet e “Mobile Journalism”.

Kjo formë e re e raportimit të lajmit përmes pajisjeve telefonike, i ka dhënë një zë edhe qytetarëve që të kthehen në prodhues të përmbajtjeve duke zbehur ndonjëherë rolin e gazetarëve.

Osman Stafa prej pesë vitesh ushtron profesionin e gazetarit, ai të ardhmen e medias dhe gazetarisë në Shqipëri e sheh me plotë sfida ndërsa thotë se: Gazetaria do të ekzistojë, gazetarët po ashtu. Do duhet gjithmonë dikush që të filtrojë informacionin, do duhet dikush që te dalë tek ajo dritarja e vogël e TV për të shpjeguar pesë pyetjet bazë.”

Megjithëkëtë, politika, modelet e biznesit të medias, grupet e polarizuara të interesit, duket janë faktorë të rëndësishëm që “drejtojnë” linjën editoriale të mediave në vendin tonë. Kjo shihet si shqetësim nga vetë gazetarët, që shprehen aspak optimistë kur pyeten nëse politika do të ndikojë në punën e tyre në të ardhmen.

Në një vlerësim nga 1 (pak) deri në 5 (shumë) 38% e gazetarëve të pyetur janë përgjigjur me 4 ( 36% me 3, dhe 26% me 5) , pyetjes: A mendoni se politika do të ndikojë në punën e tyre në të ardhmen.

Ndërkohë, gazetari i ri, Ardit Hoxha, kur pyetet si e sheh të ardhmen e gazetarëve në vend shprehet: Kjo është pyetje shumë e vështirë pasi dua të jem optimist edhe pse ky i fundit nuk është dhe aq i lehtë për t’u gjetur”.

Pavarësia e gazetarëve, censura, vetë censura, lajmet e rreme, kronikat e gatshme nga zyrat e shtypit, ritmi i prodhimit të lajmit janë vetëm disa nga sfidat kryesore që gazetarët kanë theksuar. Në të tilla kushte të medias në Shqipëri, me më pak profesionalizëm të  produkteve mediatike dhe cenim të punës së gazetarëve shtohet nevoja për vetërregullim të medias si dhe mbrojtjen e fuqizimin gazetarëve shqiptarë në mënyrë që e ardhmja të mos e gjejë median shqiptare në kolaps dhe pa informacion.

*  Rigon Harxhi është një nga studentët pjesëmarrës në ciklin e moduleve online dhe trajnimeve të nismës “Empower Journalists”, organizuar nga Citizens Channel.