- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Raporti: Zgjedhjet në universitet, 43% e studentëve nuk njohën kandidatët
Raporti: Zgjedhjet në universitet, 43% e studentëve nuk njohën kandidatët
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme nga studentët ndër vite, përfshirja dhe pjesëmarrja e tyre në vendimmarrjen e universiteteve në Shqipëri mbetet e ulët. Një raport i Qëndresës Qytetare thotë se këtë e dëshmuan edhe zgjedhjet e reja universitare, që u mbajtën më 21 qershor 2024.
Këto zgjedhje u monitoruan edhe nga 24 të rinj të Qëndresës Qytetare, që sipas tyre u mbajtën mes parregullsish dhe mungesës së konkurrencës.
Në Universitetin e Tiranës në 50% të fakulteteve pati vetëm një kandidat, duke mos ofruar alternativa.
Qëndresa Qytetare publikoi sot raportin, ku hedh dritë mbi mungesën e përfaqësimit të studentëve në zgjedhje.
Sipas raportit, 20.1% e studentëve nuk janë të informuar për zgjedhjet në universitete për shkak të mungesës së informimit nga organet e universitetit. Kjo mungesë informacioni është veçanërisht problematike, duke pasur parasysh se rrjetet sociale dhe studentët e tjerë janë burimet kryesore të informacionit për zgjedhjet. Kjo thekson rolin e rëndësishëm të komunikimit jozyrtar në përhapjen e informacionit.
Një tjetër shqetësim i ngritur në raport është mungesa e theksuar e informacionit që studentët kanë për hierarkinë universitare dhe njohjen e organit vendimmarrës. Sipas të dhënave, 67.2% e studentëve identifikojnë rektorin si organin më të lartë vendimmarrës në universitet, çka tregon një mungesë të qartë të njohjes së strukturave të tjera vendimmarrëse.
Një tjetër gjetje shqetësuese është se 65% e studentëve nuk besojnë se zgjedhjet në universitete do të sjellin ndryshim në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) në Republikën e Shqipërisë. Ky besim i ulët ka ndikuar në mungesën e iniciativës së studentëve për t’u përfshirë në organet vendimmarrëse, duke lënë hapësira për konkurrencë të ulët në universitete.
“Në Universitetin Politeknik të Tiranës, kandidatët për rektor dhe dekan nuk kanë organizuar takime zyrtare informuese me studentët për të shpalosur platformat e tyre zgjedhore”, zbulon raporti.
Ndërkohë, në Universitetin e Tiranës, nuk u hapën aplikime për përfshirjen e studentëve në organet zgjedhore, duke mos sjellë alternativa të reja studentore dhe duke ulur frymën e përfshirjes së tyre.
Raporti gjithashtu vë në pah vlerësimet e ulëta për punën e përfaqësuesve të studentëve në Senatin Akademik.
Këta përfaqësues janë vlerësuar më dobët krahasuar me rektorin dhe dekanin, me 47.5% të vlerësimeve shumë të ulëta dhe një përqindje më të ulët të vlerësimeve të larta. Nga ana tjetër, dekani i fakultetit është vlerësuar si organi me punën më të mirë nga studentët.
Këto gjetje tregojnë se ka ende shumë për të bërë për të përmirësuar përfshirjen dhe pjesëmarrjen e studentëve në vendimmarrjen e universiteteve shqiptare.
Qëndresa nënvizon se organet universitare dhe autoritetet përkatëse duhet të marrin masa për të përmirësuar transparencën, informimin dhe përfshirjen aktive të studentëve në proceset vendimmarrëse.
“Vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të arrihet një sistem arsimor më demokratik dhe i drejtë”, thuhet në raport.
The post Raporti: Zgjedhjet në universitet, 43% e studentëve nuk njohën kandidatët appeared first on Citizens.al.