Raporti: Në 2022 u shkurtuan fondet për kujdesin shëndetësor

Fondet e dedikuara për kujdesin shëndetësor pësuan ulje përgjatë vitit 2022, sipas një analize të realizuar nga shoqata “Together for Life”.

Në një tryezë të përbashkët me përfaqësues të institucioneve publike sikurse Ministria e Drejtësisë, Kuvendi, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, u diskutuan gjetjet e raportit sa i përket shpenzimeve të sektorit të kujdesit shëndetësor dhe mbrojtjes sociale përgjatë vitit 2022.

‘Devijancat më larta të planit buxhetor krahasuar me alokimet fillestare rezultojnë me pakësimin në masën 1.4 miliardë lekë në programin buxhetor “Shërbimet të Shëndetit Publik” dhe pakësim në masën 1.2 miliardë lekë në programin buxhetor “Shërbime të Kujdesit Parësor”,-thuhet në raprot.

Ndërsa program buxhetor “Përkujdesi Social” është shtuar me 2.8 miliardë lekë, për shkak edhe të fokusit të qeverisë për të mbështetur shtresat sociale në nevojë me dy paketat e rezistencës sociale për të zbutur efektet ekonomike si pasojë e luftës Rusi-Ukrainë.

Raporti vë në dukje se buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale rezulton në renie në vitin 2022 krahasuar me dy vite me herët në përqindje ndaj prodhimit të brendshëm bruto.

“…rënie kjo pjesërisht e shpjegueshme prej faktit që në vitet 2020-2021 buxheti për sektorin e shëndetësisë pësoi rritje më të madhe se normalisht për të financuar shpenzimet e lidhura me menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga virusi i SARS COV-2 (COVID-19)”,-thuhet në raport.

Po ashtu vihet re një trend në rënie i shpenzimeve për kujdesin parësor, ndërsa ka një rritje të shpenzimeve për shëndetin publik dhe atë dytësore.

“Sa i përket shpenzimeve të lidhura me mbrojtjen sociale, konstatohet që ruhet një trend normal përgjatë kësaj kohe, me mesatarisht 38.1% të buxhetit total të MSHMS”,-nënvizon raporti.

Nëse do të krahasohet me rajonin, vihet re se shpenzimet në sektorin e shëndetësisë në raport me shpenzimet e përgjithshme publike janë më të ulëtat krahasuar me rajonin.

“…me mesatarisht 9.8% përgjatë periudhës 2015-2020, ndërkohë që kryeson listën e vendeve të rajonit me shpenzimet më të larta për shëndetësinë Bosnje-Hercegovina dhe Republika e Maqedonisë së Veriut”.

“Piramida e shëndetësisë është një piramidë e madhe dhe nëse lëviz diçka, të gjithë zërat duhet të s’postohen dhe buxhetet ndryshojnë. Planifikimi i saktë nuk mund të ekzistojë. Për më tepër, pandemia dhe kushtet e tjera që ka kaluar vendi ynë, e kanë bërë më të paqëndrueshëm planifikimin e saktë. Është e vështirë për ne si KLSH që në planifikimin tonë vjetor të bëjmë një analizë risku dhe jo çdo institucion qendror mund të auditohet çdo vit”,- u shpreh në tryezë Kozma Kondakciu, drejtues i Departamentit të Auditimit dhe teknologjisë së Informacionit në KLSH.

Sektori i shëndetësisë sipas përgjegjëses së sektorit pranë Ministrisë së Drejtësisë Argita Alikaj është një ndër sektorët me rrisk.

“Sektori i shëndetësisë është një ndër sektorët që është parashikuar si sektor me rrisk edhe në strategjinë që ne kemi hartuar për vitin 20223-2030 dhe në listë ne aktiviteteve të parashikuar janë edhe ato që evidentojnë dhe adresojnë problematikat e ndeshura. Ne i kemi problematikat e evidentuara dhe I transmetojmë te drejtoritë përkatëse në terren”,-tha mes të tjera Argita Alikaj.

Sipas deputetit Petrit Vasili përderisa fondet e investimeve në shëndetësi janë më të ulëta dhe është bërë regres krahasuar me vendet e tjera, do të thotë se fondet shpërdorohen. Ndërsa vuri në dukje mbingarkesës e disa spitaleve si QSUT, rritjen e kostove për të marrë kujdes shëndetësor në Tiranë apo detyrimin e pacientëve për t’ju drejtuar sistemit shëndetësor privat.

Sipas raportit në programin “Shërbime të kujdesit shëndetësor parësor” sa i përket personave që përfitojnë check-up, kanë përfituar 454,828 pacientë, pra 20,182 pacientë më pak edhe pse pagesa ndaj koncensionarit është bërë për 475 mijë përfitues.

Ndërsa për programin “shërbime të kujdesit shëndetësor dytësor” kanë marrë shërbim spitalor 277,881 pacientë nga 330.000 të planifikuar. Sipas raportit ajo çka vihet re në këtë program është edhe fakti se në monitorimin e performancës së produkteve të këtij programi është planifikuar edhe shërbimi për pacientë me sindromën Down dhe për çiftet që përfitojnë nga paketa e fertilitetit dhe në vijimësi të 2022-it është vënë re heqja e tyre.

Sa i përket programit “Shërbime të shëndetit publik”, janë vaksinuar 534,536 persona me vaksinën anti-covid nga 2 milion të planifikuar në buxhetin fillestar të 2022-it, duke shpenzuar 1.4 miliardë nga 2.7 miliardë të planifikuar në buxhetin fillestar të 2022-it.

“Vihet re një dyfishim i Kostos për njësi të vaksinës nga 1350 lekë sipas planifikimit fillestar në 2720 lekë referuar realizimit faktik. Mungojnë arsyet konkrete që të justifikojnë koston totale të vaksinimit, i cili referuar kosto për njësi të planifikimit fillestar duhet të kishte kushtuar shumë më pak”,-thuhet në raport.

Raporti nxori në pah se shëndetësia në Shqipëri vijon të mbetet e fundit në rajon sa i përket shpenzimeve publike në raport me shpenzimeve e përgjithshme publike, gjë e cila vijon të mbetet në fuqi dhe për vitin 2022.

“Politikat shëndetësore dhe ato të mbrojtjes sociale mbeten të nën financuara, duke bërë që shpenzimet publike të sektorit të realizohen të pa prioritarizuara, pa vëmendjen e nevojshme të qeverisë në llogaridhënie mbi përdorimin e tyre duke rriskuar kështu dhe keqpërdorimin e fondeve buxhetore”.