- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Raporti: Mediat online në shtim, por nuk kanë gazetarë në terren
Raporti: Mediat online në shtim, por nuk kanë gazetarë në terren
Ndërsa numri i mediave online është rritur ndjeshëm, shumica e tyre i marrin lajmet të gatshme pasi nuk kanë gazetarë në terren. Vetëm një numër i vogël mediash bëjnë transparencë me pronësinë dhe prodhojnë lajme origjinale. Mediat online përbëjnë pjesën më të madhe të peizazhit mediatik, duke zënë 53.49% të totalit të mediave në Shqipëri.
Sipas një raporti monitorues të Këshillit Shqiptar të Medias për hartëzimin e mediave online në vend, ka një qasje në rritje për mediat e specializuara apo të tematizuara në fusha të caktuara sikurse në kulturë, sport apo ekonomi.
“Kategoritë e tjera si Media Lokale Online, Media e Shkruar dhe Online, Media e OJQ-ve dhe Agreguesi i Mediave Online përfaqësojnë secila rreth 3-9% të peizazhit mediatik. Kategori të tilla si Media Publike, Radio dhe Media Online, TV Ndërkombëtare dhe Media Online, dhe Media Online, pjesë e një grupi mediatik secila përbëjnë më pak se 2.5% të totalit të mediave”,-thuhet në raportin monitorues.
Ky monitorim është kryer për periudhën nëntor 2023 deri në qershor 2024 dhe ka si qëllim të vëzhgojë situatën e medias online, sikurse llojin e mediave, pronësinë, regjistrimin e tyre dhe kushtet e punës në redaksitë online.
Janë rreth 700 deri në 900 portale online që funksionojnë, mirëpo është e vështirë të gjesh një studim që mund të mbështesë këtë pretendim, thekson raporti.
Sa i përkon transparencës në mediat online, sipas raportit ka boshllëqe në bërjen publike të pronësisë së tyre apo personelit, si dhe autorësinë në artikujt e publikuar.
”Ndërsa informacioni i kontaktit dhe adresat fizike janë mesatarisht të disponueshme, ekziston nevoja për praktika të përmirësuara të transparencës në të gjitha llojet e mediave. Anëtarësimi në organet vetërregulluese si AME mund të ndikojë pozitivisht në transparencë, duke theksuar rëndësinë e kornizave rregullatore në promovimin e llogaridhënies dhe besimit në media“,- thuhet në raport.
Sipas raportit, mediat që janë në llojin e organizatave joqeveritare priren të jenë shumë më transparente në lidhje me kontaktet, pronësinë dhe detajet e stafit, “duke reflektuar përkushtimin e tyre ndaj llogaridhënies dhe besueshmërisë”.
Ndërsa sa i takon angazhimit të ndjekësve në materialet e shpërndara nga mediat online vihet re se ata janë zgjatim i televizioneve që kanë angazhimin më të lartë nga audienca.
Sipas raportit, kjo mund të vijë për shkak të njohjes dhe konsolidimit të markave.
Raportimi nga terreni
Sipas raportit shumica e mediave online nuk kanë gazetarë në terren.
“Ata mbështeten në burime dytësore. Ky trend tregon një boshllëk të mundshëm në raportimin origjinal dhe gazetarinë investigative”,-thekson raporti.
Situatë kjo e ndryshme për organizatat mediatike online si dhe ato print.
“Ata kanë më shumë gjasa të dërgojnë gazetarë, duke demonstruar një angazhim më të fortë për mbledhjen e lajmeve origjinale dhe sigurimin e informacionit të dorës së parë”.
Në mediat online, sipas raportit, vihet re se ka një mungesë të hiperlinqeve që ndihmojnë në transparencën e lajmeve dhe lejimin e lexuesve për të verifikuar informacionin.
“Kjo mospërputhje tregon nevojën për praktika më të mira etike në gazetarinë dixhitale.”
Kjo mungese sjell edhe problemin e të drejtës së autorit.
“…shpesh përfshin përdorimin e paautorizuar të përmbajtjes pa njohjen e duhur të burimit origjinal. Gjithashtu, rritja e përdorimit të hiperlidhjeve dhe citimeve të duhura është thelbësore për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies në peizazhin mediatik”.
Në këtë drejtim, sipas raportit organizatat mediatike i respektojnë më shumë këto praktika etike.
“…duke përdorur si citate ashtu edhe hiperlidhje në mënyrë të vazhdueshme. Kjo sugjeron një angazhim të fortë ndaj transparencës dhe njohjes së burimeve origjinale”.
The post Raporti: Mediat online në shtim, por nuk kanë gazetarë në terren appeared first on Citizens.al.