Raporti: Infermierët e rinj, eksportojmë po aq sa diplomojmë

Në vitin 2016 vetëm 67 infermierë ishin pajisur me dokumentacion për t’u larguar ndërsa në 2021, 1073 infermierë janë pajisur me një dokumentacion të tillë, thekson raporti i përpiluar nga Stiven Shala.

Qëndresa Qytetare zhvilloi një anketë me 165 studentë nga vite të ndryshme studimi, si dhe të diplomuar në Universitetin e Shkodrës dhe të Vlorës.

52% e të anketuarve ishin të kënaqur me cilësinë e studimeve që po ndjekin si dhe vetëm 5% e studentëve shprehin pakënaqësi.

“Studentët shprehen pozitivë për cilësinë e studimeve, është absurde, kjo vjen si pasojë e faktit që ata nuk duan t’ia dinë për studimet, i intereson thjesht diploma për të ik jashtë”, – shprehet Stiven Shala për Citizens Channel.

Të pyetur për të ardhmen e tyre si infermierë në Shqipëri, vetëm 14.5% e të anketuarve e shikonin të ardhmen në Shqipëri.

“Një infermierë kur ikën në Gjermani i nënshtrohet një kursi të ri, zakonisht tre deri në gjashtë muaj, sikur e fillon studimin nga fillimi”, – shton eksperti Shala.

Në lidhje me arsyet e largimit, 35 % e studentëve pohojnë se një nga motivet që i shtyn të zhvendosën janë financat. Pas financave, 25.5% e studentëve vlerësojnë cilësinë më të lartë të jetesës në vendin ku do të emigrojnë, e 23.6% vlerësojnë kushtet më të mira të punës.

“Tregohet trendi që universitetet punojnë për të furnizuar tregun e huaj dhe jo tregun shqiptar, se ne po na largohen aq sa diplomohen”, – përfundon Shala.

Shqipëria ka sot 23.866 infermierë të licencuar. Mosha mesatare e infermierëve në Shqipëri është 43 vjeç. Ndërsa mosha mesatare e mjekëve specialistë është 50 vjeç.

Eksodi i infermierëve nuk është ndaluar as në pandemi, duke vendosur në krizë sistemin shëndetësor për përballimin e Covid-19.

Blerina Duka, drejtoreshë e  Urdhërit të Infermierëve të Shqipërisë, (UISH) konfirmoj se  vetëm gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2020 UISH ka shpërndarë gjithsej 618 vërtetime të lëshuara për punë jashtë vendit, ku për infermierët janë shpërndarë afërsisht 313 vertetime.

“Ështe evidente, eksodi i infermierëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian është bërë masiv që nga viti 2018 e në vazhdim, ku nuk janë larguar vetëm të sapodiplomuarit por edhe profesionistët me experiencë disa vjecare” , – përmbyll ajo.