- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Raporti i OSBE: Fushata e orientuar drejt liderëve dhe shitblerjes së votës, dënohet shkelja e privatësisë
Raporti i OSBE: Fushata e orientuar drejt liderëve dhe shitblerjes së votës, dënohet shkelja e privatësisë
Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR ka bërë të ditur në një konferencë për shtyp rezultatet e para të vëzhgimit të zgjedhjeve të 25 prillit.
Misioni, i cili ka mbërritur në Shqipëri pesë javë para zgjedhjeve, ka ndjekur nga afër fushatën zgjedhore sikurse ka vëzhguar edhe procesin e votimit të dielën e 25 prillit.
Sipas Azay Guliyev, koordinator special dhe drejtuesi afatshkurtër i misionit vëzhgues në Shqipëri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve operoi në mënyrë transparente dhe ka gëzuar besimin e të gjithë aktorëve, ndërsa përmbushi pjesën më të madhe të detyrimeve.
“Sa i përket organizimit të zgjedhjeve ne patëm kënaqësinë të shihnim se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve arriti pas të gjithave të përmbushte pjesën më të madhe të detyrimeve të tij, të cilat lidhen me futjen e teknologjive të reja të votimit. ,-u shpreh Azay Guliyev.
Zgjedhjet e mbajtura në kohë pandemie ishin një sfidë sipas vëzhgimit të Misionit, e megjithatë pjesëmarrja ishte e konsiderueshme. Ndërsa u vu re në shumë qendra votimi mos mbajtja e distancës fizike dhe rregullave anti-covid.
“Shitblerje votash dhe fushatë liderësh”
Referuar fushatës zgjedhorë të të gjithë përfaqësuesve politikë sipas Misionit të OSBE-ODIHR ajo ishte e përqendruar më shumë lideri sesa te programi politik.
“Sa i përket fushatës të gjitha subjektet zgjedhore mundën të bënin fushatë në mënyrë të lirë pavarësisht kufizimeve të vendosura për shkak të Covid-19. Megjithatë kjo fushatë nuk pati dinamikën që duhet të kishte pasi mesazhet u fokusuan kryesisht te liderët e partive dhe jo te platformat e fokusuara te çështjet e vërteta”.
Nuk u lanë pa përmendur edhe pretendimet për shitblerje votash të adresuara gjatë retorikës së fushatës zgjedhore duke nënkuptuar ekzistencën edhe në këto zgjedhje të këtij fenomeni.
“Përveç kësaj pretendimet për shitblerje votash ishin dominuese gjatë fushatës duke treguar se ky mbetet ende një problem i përhapur gjerësisht”.
Problematikë e vërejtur gjatë fushatës zgjedhore nga Misioni i OSBE-ODIHR ishte përdorimi i administratës publike në fushatë, gjë e cila sipas tyre ishte në favor të partisë në pushtet.
“Pavarësisht kuadrit solid ligjor që ndalon përdorimin e burimeve të administratës publike dhe që minimizon avantazhet e partisë në pushtet, ministrat vazhduan që të bënin fushatë gjatë angazhimeve të tyre zyrtare. Kjo rezultoi në një lloj publiciteti që I solli partisë qeverisëse një avantazh të madh, ofrimin e stimujve dhe një presion të pretenduar mbi nëpunësit civilë I cili mbetet një problem”,- tha koordinatori special Azay Guliyev.
Pilotimi i votës elektronike – efikas dhe i domosdoshëm
Sipas vëzhgimit të përfaqësuesve të OSBE-ODIHR teknologjia e re e përdorur në sistemin e votimit dhe të numërimit rezultoi kryesisht eficient, pavarësisht disa sfidave.
“Marrëveshja e fundit politike e arritur vitin e kaluar solli për herë të parë në Shqipëri, teknologjitë e reja të votimit në këtë proces. Kjo çoi në votimin dhe numërimin elektronik në 32 qendra votimit në Tiranë. Patëm kënaqësinë të shihnim që votimi dhe numërimi elektronik i votave rezultoi kryesisht efecient. Nëse votimi dhe numërimi elektronik përdoren më shumë, është e rëndësishme që ato të rrisin besimin e publikut”.
Përpos votimit dhe numërimit elektronik, edhe procesi i identifikimit elektronik është konsideruar i rëndësishëm, pasi sipas tyre ka shmangur votimin familjar.
“Bashkëbiseduesit tanë e kanë vlerësuar sistemin e ri të zgjedhësve dhe e kanë perceptuar atë si një hap të nevojshëm për të ulur rrezikun e votimit familjar të votimit të dyfishtë apo të vjedhjes së identifikimit të zgjedhësve. Jemi informuar edhe për listat e zgjedhësve, pavarësisht disa problemeve të vogla, pavarësisht shqetësimeve në të kaluarën, në fakt këtë radhë nuk u raportuan pakënaqësi”.
Ndërsa reforma zgjedhore sipas përfaqësuesve të OSBE-ODIHR ka adresuar një sërë rekomandimesh të tyre dhe të komisionit të Venecias, akoma ka një sërë rekomandimesh të tjera për tu adresuar.
Liria e medias dhe incidentet para zgjedhjeve
Shkurtimisht u cek edhe mjedisi mediatik në Shqipëri. Sipas Misionit në Shqipëri ka një numër të lartë të mediave, e megjithatë ajo çka vihet re është se pavarësia editoriale ndikohet nga interesat e pronarëve të mediave.
Një vëmendje ka marrë çështja e “patronazhistëve”.
“Gjatë fushatës doli një database që përmbante informacione personale dhe kontakte të afërsisht 900 mijë shtetasve shqiptarë. Përmbante gjithashtu preferencat e tyre potenciale të votimit dhe ky informacion rrodhi në sektorin publik. Ne na u shprehën se kjo mund të konsiderohet si një shkelje e rëndë e privatësisë për interesa të partive”.
Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR ka dënuar vrasjen e një qytetari në Elbasan dhe plagosjen e disa të tjerëve, teksa pret që këto çështje të investigohen.
“Në fund më lejoni të dënoj me termat më të fortë incidentet e dhunshme që I paraprinë votimit të së dielës dhe që për fat të keq çuan në vrasjen e një personi dhe në plagosjen e disa të tjerëve në Elbasan. Për fat të keq ishin këto incidente që shkaktuan vuajte njerëzore, pro që zbehën gjithashtu edhe përpjekjet e shumë të tjerëve që punuan pa u lodhur për ta përmirësuar sistemin. Këto incidente duhet të investigohen, duhet të hetohen si duhet. Nxitja e dhunës nuk duhet të tolerohet dhe do të dënohet“,-përfundoi Azay Guliyev, koordinator special dhe drejtuesi afatshkurtër i misionit vëzhgues në Shqipëri.
Misioni i OSBE-ODIHR do të jetë në Shqipëri deri në muajin Maj, kur do të komunikojë edhe raportin përfundimtar të vëzhgimit të zgjedhejve të 25 prillit.