• Buletini informativ i Citizens.al
  • Posts
  • Raporti i KE për Shqipërinë tregon mangësi ligjore për të drejtat e njeriut, të dhënat personale dhe lirinë e medias

Raporti i KE për Shqipërinë tregon mangësi ligjore për të drejtat e njeriut, të dhënat personale dhe lirinë e medias

“Kuadri ligjor dhe institucional i Shqipërisë është pjesërisht i përafruar me atë të BE-së dhe standardet evropiane për të drejtat themelore”.

Ky pohim vjen nga Raporti i Parë Screening i Komisionit Evropian për Shqipërinë, i cili kryen një kontroll analitik të përshtatjes së ligjit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë.

Raporti analizon gjashtë kapituj, duke përfshirë këtu funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në administratën publike, prokurimet publike, gjyqësorin, të drejtat e njeriut si edhe kontrollin financiar.

Raporti thekson se sa i përket të drejtës për tu martuar dhe për të krijuar familje, kuadri ligjor është në një linjë me standardet evropiane, mirëpo ka shumë për të bërë sidomos për mos lejimin e martesave në moshë të mitur.

“Ky fenomen vazhdon ende, veçanërisht në mesin e komuniteteve rome dhe egjiptiane dhe duhet të çrrënjoset në mënyrë efektive, dhe kryesisht nxitet nga varfëria e pabarazisë gjinore dhe përjashtimi social”, -theksohet në raport.

Sipas raportit, ligjet për mbrojtjen e adoleshentëve nga martesat janë joefektive dhe nuk zbatohen.

Mbrojtja e të dhënave personale

Raporti thekson se Shqipëria nuk ka një kuadër ligjor në të njëjtën linjë me atë të BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ndërgjegjësimi për të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale si një e drejtë themelore është ende në nivel të ulët tek institucionet publike si dhe tek publiku i gjerë”,-thuhet në raport.

Raporti përmend edhe rrjedhjen e të dhënave në vitin 2021 si rast që tregon se vendi ynë duhet të marrë masa për ta parandaluar një situatë të tillë.

“Dy rrjedhje të rëndësishme të të dhënave që ndodhën në vitin 2021 u pasuan nga shkelje të mëtejshme të bazave të të dhënave publike në vitin 2022. Shqipëria duhet të marrë masa të forta në ligj dhe praktikë për të parandaluar dukuri të tilla”.

Liria e shprehjes dhe pluralizmi në media

Sipas raportit, Shqipëria ka një nivel përgatitjeje mesatare sa i përket fushës së lirisë së shprehjes, ndërsa edhe kuadri ligjor dhe institucional i vendit tonë është pjesërisht i përafruar me atë të BE-së.

“Janë marrë disa hapa në lidhje me masat për garantimin e ushtrimit të lirë të profesionit të gazetarit. Megjithatë, do të nevojitet një ndjekje e vëmendshme në mënyrë që masat mbrojtëse formale të zbatohen në mënyrë efektive dhe të ndikojnë rutinën e përditshme të gazetarëve”.

Raporti thekson se Shqipëria duhet të forcojë transparencën dhe të vendosë kufizime për pronësinë e medias dhe shtrirjen e audiencës.

“Shqipëria duhet të forcojë rregullat për transparencën e financimit dhe pronësisë së medias, duke përfshirë interesat e pronarëve në sektorin mediatik dhe jo mediatik. Legjislacioni duhet të përfshijë mekanizma të fuqishëm zbatues, nga institucionet e pavarura për hapjen e hetimeve për shkelje të mundshme të rregullave të pronësisë, në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, si dhe në lidhje me interesat e pronarëve të fshehur, përqendrimin e mundshëm, sjelljen e koordinuar, konkurrencën e pandershme dhe favoret e mundshme që lidhen me shmangien e të drejtave të autorit dhe përfitimit nga reklamat shtetërore dhe fondet shtetërore”.

Ndërsa theksohet se shpifja mbetet një vepër penale dhe duhet të trajtohet në dritën e standardeve evropiane dhe shembujve të praktikave më të mira.

Për Autoritetin e Mediave Audiovizive raporti thotë se ligji duhet të garantojë autonominë e këtij institucioni.

“ Autoriteti rregullator audio-vizual AMA është plotësisht funksional, por pavarësia e organit është vënë në pikëpyetje për shkak të formulës zgjedhore dypartiake dhe lidhjeve të drejtpërdrejta politike të disa prej anëtarëve të bordit të saj”.

Po ashtu, raporti prek edhe krijimin e Agjencisë së Medias dhe Informacionit, sipas së cilit krijimi i kësaj agjencie “centralizon të gjitha marrëdhëniet me publikun të qeverisë dhe komplikon aksesin në media për informacion të drejtpërdrejtë dhe transparent nga institucionet qeveritare”.

Në raport bëhet thirrje për të marrë masa për të mbrojtur sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias kundrejt kërcënimeve, sulmeve dhe një hetim të rasteve të ndodhura në të kaluarën. Ndërsa vihen në dukje kushtet e vështira të punës të punonjësve të mediave.

“Punonjësit e medias kanë kushte të këqija pune dhe kushte të pasigurta kontraktuale, të cilat i bëjnë ata të cenueshëm ndaj vetëcensurës dhe më pak elastik ndaj dezinformimit. Qeveria duhet të mbështesë një organ të pavarur vetërregullues për sektorin e medias online, si dhe edukimin dhe trajnimin cilësor të gazetarisë. Organet e pavarura vetërregulluese duhet të mbështesin zbatimin e të drejtave të punës së gazetarëve”.

Barazia gjinore dhe të drejtat e grave

Sipas raportit të Komisionit Evropian kuadri ligjo dhe institucional është pjesërisht i harmonizuar me standardet e BE-së.

Raporti thekson nevojën e të dhënave të përditësuar për indeksin e barazisë gjinore dhe për dhunën ndaj grave.

“Shqipëria ka prodhuar për herë të fundit një indeks të barazisë gjinore në vitin 2020. Të kesh një indeks të përditësuar të barazisë gjinore është i rëndësishëm për politikëbërjen e bazuar në prova në këtë sektor. E njëjta gjë vlen edhe për anketat periodike për dhunën ndaj grave të prodhuara nga INSTAT, e cila nuk ka prodhuar asnjë përditësim që nga viti 2018. Shqipëria duhet të sigurojë mbledhjen sistematike dhe të përditësuar të të dhënave të ndara”.

Sipas Komisionit Evropian, Mekanizmit të Barazisë Gjinore i mungojnë burimet adekuate financiare dhe njerëzore të cilat mund të ndikojnë negativisht në zbatimin e strategjisë kombëtare 2021-2030.

“Duhet të sigurohet ndjekja sistematike nga forcat e rendit dhe gjyqësori. Në vitin 2021 janë regjistruar 1265 raste në gjykata që kanë çuar në 1147 dënime. Strehëzat mbeten kryesisht të varura nga financimi i donatorëve për funksionimin e tyre”.

Të drejtat e personave me aftësi të kufizuar

Sipas raportit ka shumë hapësira ligjore që duhen plotësuar sa i takon të drejtave të personave me aftësi të kufizuar.

“Zbatimi i planit kombëtar të veprimit për personat me aftësi të kufizuara duhet të sigurojë buxhet shtesë të nevojshëm, duke filluar me veprime konkrete për të mbyllur hendekun aktual të financimit të vlerësuar në rreth 40%. Zbatimi i reformës së sistemit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar mbi bazën e një modeli ‘bio-psikosocial’ është një hap pozitiv”.

Raporti thekson se të rriturit dhe fëmijët me aftësi të kufizuara vazhdojnë të vendosen në qendrat rezidenciale të kujdesit, në kundërshtim me të drejtat e tyre.

Ndërsa ‘kalimi në kujdesin e bazuar në komunitet dhe sigurimi i jetesës së pavarur të personave me aftësi të kufizuara duhet të jetë prioritet. Pavarësisht rritjes së numrit të asistentëve, fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk u garantohet gjithmonë aksesi në arsim cilësor” .

Të drejtat e komunitetit LGBTI

Diskriminimi kundrejt komunitetit LGBTI është ende prezent në Shqipëri, thekson raporti. Sidomos në aksesin në shëndetësi, në arsim, drejtësi, punësim dhe të drejtën e strehimit.

“Sulmet fizike dhe gjuha e urrejtjes mbeten të zakonshme, veçanërisht në mediat sociale. Pranimi publik i personave LGBTIQ mbetet i ulët, veçanërisht në zonat rurale. Politikanët duhet të përmbahen nga përdorimi i gjuhës diskriminuese. Pavarësisht se ka një mandat të qartë për të punuar në diskriminimin që prek komunitetin LGBTIQ, shumë pak raste të diskriminimit të personave LGBTIQ janë konfirmuar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi – me vetëm dy raste në vitin 2021″.