- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Raporti i DASH konfirmon se ligji për investimet strategjike është klientelist
Raporti i DASH konfirmon se ligji për investimet strategjike është klientelist
Departamenti Amerikan i Shtetit e konsideron klientelist ligjin për Investimet Strategjike. Sipas raportit të DASH për Klimën e Investimeve, ky ligj u përdor për të favorizuar biznese në lidhje të forta me mazhorancën, ndërsa e vendos theksin tek mungesa e konkurencës dhe e kompanive të huaja.
“Pjesa e parëndësishme e investitorëve të huaj që kanë përfituar nga statusi i investitorëve strategjikë ka nxitur perceptimin tek investitorët e huaj se nga ligji kanë përfituar kryesisht kompanitë vendase me lidhje të forta me mazhorancën qeverisëse” – thuhet në raport.
Raporti analizon zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe nënivzon se ndër problemet kryesore mbetet korrupsioni, konkurrenca e pandershme që pengohet nga koncesionet PPP, si dhe mungesa e fuqisë punëtore.
Duke u ndalur tek ligji për Investimet Strategjike, raporti thekson se ai u hartua nga Partia Socialiste në vitin 2015 me qëllimin kryesor për të thithur investitorë të huaj dhe seriozë, por rezultoi të thithte vetëm kompani afër qeverisë, “edhe pse afati u shty disa herë”, përmend raporti.
“Shumë pak investitorë të huaj kanë përfituar nga statusi “Investitor Strategjik” dhe pothuajse të gjitha projektet u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit”, thotë raporti.
Më tej citohet se investitorët e huaj janë shprehur se u janë vonuar përgjigjet nga AIDA.
Afati i ligjit skadoi në dhjetor 2023 dhe parlamenti zgjati mandatin e tij deri në dhjetor 2024, vendim që u prit me kritika.
“Shumica prej rreth 60 projekteve të miratuara fokusohen në sektorin e turizmit dhe dominohen nga investitorët vendas”, konfirmon raporti.
Citizens ka hulumtuar mbi sipërfaqen që kanë përfituar kompanitë në bregdet dhe se si ky ligj ka favorizuar kompanitë e afërta me pushtetin. Rezultoi se qeveria shqiptare i ka dhënë 5.8 milionë metër katror tokë investitorëve strategjikë në të gjithë vendin.
Janë dhënë 17 projekte në bregdet, përmes këtij ligji dhe po ashtu Citizens analizoi se si këto projekte po ndikojnë negativisht në mjedis. Kompanitë fituese vendosin emra që në pamje të parë sugjerojnë një projekt miqësor me mjedisin, sikurse është “Green Coast”, por në të vërtetë ndërtimet sipas ekspertëve rezultojnë të mos jenë aspak miqësore, përkundrazi po gërryejnë mjedisin dhe po e betonziojnë atë.
Opozita ka këkruar hetimin e investitorëve strategjik, por kjo nuk është bërë deri më tani. Korrupsioni është kryefjalë e raporit të DASH po ashtu.
“Korrupsioni vazhdon të minojë shtetin e së drejtës, të rrezikojë zhvillimin ekonomik” thuhet në raport.
Mungesa e fuqisë punëtore nënvizohet si një problem që ngec zhvillimin ekonomik të vendit, ku përmendet migrimi i mjekëve dhe i ekspertëve të IT.
“Dhoma Amerikane e Tregtisë thekson se gjetja e stafit të kualifikuar mbetet shqetësimi kryesor, ndërkohë që ka një shqetësim në rritje për mungesën e fuqisë punëtore”, thotë raporti.
DASH nënvizon se vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm mjekësh dhe infermierësh kanë emigruar në Bashkimin Evropian, veçanërisht në Gjermani.
“Ka pasur edhe emigrim të konsiderueshëm në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për frymë në rajon me vetëm 1.9 mjekë për 1000 banorë në vitin 2020”, përcjell raporti.
The post Raporti i DASH konfirmon se ligji për investimet strategjike është klientelist appeared first on Citizens.al.