- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Qytetarët e angazhuar nisin iniciativën për të rimarrë hapësirën e uzurpuar civile
Qytetarët e angazhuar nisin iniciativën për të rimarrë hapësirën e uzurpuar civile
Qytetarë të angazhuar, aktorë të shoqërisë civile, së bashku me gazetarë, aktorë dhe akademikë u bënë sot bashkë për të hedhur themelet e një iniciative të re shoqërore.
Konferenca Kombëtare “Ri-marrim hapësirën e uzurpuar civile”, e organizuar nga IDM Albania bëri bashkë këta aktorë, për të diskutuar mbi problemet që ka shoqëria sot dhe se si mund të punohet për të përmirësuar këtë situatë.
Diskutimi u shtri në dy shtylla kryesore, në identifikimin e mënyrave se si ka ndodhur kufizimi i hapësirës civile dhe si ka ndikuar ajo tek aktivistët, gazetarët dhe artistët dhe së dyti në koordinimin e aksioneve për të fuqizuar kauzat e njëri-tjetrit në funksion të rimarrjes së hapësirës civile.
Diskutimi synoi të problematizonte dhe t’i jepte përgjigje pyetjeve si: “Çfarë është duke ndodhur me hapësirën civile? Pse janë duke na e marrë atë? Pse po largohen të rinjtë? Ku ka gabuar shoëria civile?”
Gazetarë, aktorë dhe pedagogë bënë një vetëreflektim për të kuptuar së pari rolin e tyre në problemet që ka sot vendi, duke bërë një autokritikë se çfarë do të mund të ishte bërë më mirë nga ana e tyre si shoqëri civile.
Moderatori dhe aktori Gentian Zenelaj u shpreh gjatë diskutimit se Shqipëria ka pasur shumë protesta në vitet e fundit, por të gjitha kanë qenë sektoriale.
Me sektoriale ai nënkuptoi se secili grup ka protestuar për problemet e veta. Edhe pse ato janë të lidhura zinxhir me njëra-tjetrës, sipas tij nuk i ka bërë bashkë qytetarët e angazhuar.
“Shoqëria civile nuk duhet të ketë ngjyra, sduhet të jetë as majtas e as djathtas, ajo është si uji, pa ngjyrë. Pikërisht është aty për të ruajtur balancën. E rasti më i qartë për mua, ku shoqëria civile e humbi këtë rol dhe ra në grackën e atyre që përpiqen të na përçajnë është rasti i Teatrit Kombëtar, ku ndërkohë që ne merreshim kush është ballisti dhe kush është partizani, ata na e morrën teatrin”, u shpreh Zenelaj.
Ai tha se ndjen keqardhje që dëgjon se plani kyresor i çdo qytetari sot në republikën e Shqipërisë është të largohet, “e nëse jo kryesori plani B është me patjetër”.
Zenelaj u shpreh se për t’i bërë ballë probleme që ka sot vendi e për “të rimarrë hapësirën civile” së pari duhet të tejkalohen ndasitë mes grupeve të ndryshme të shoqërise civile.
Gazetarja Ola Xama, u shpreh për sa i përket situatës aktuale në vend e problemeve me të cilat përballen gazetarët dhe mediat, se liria e shprehjes sot nuk është e uzurpuar vetëm nga politika por edhe nga ekonomia.
“E kur këto të dyja bëhen bashkë, gazetari e ka shumë herë më të vështirë për të bërë punën e tij, sepse ai sulmohet dhe nuk ka përkrahje”, tha Xama. Ajo ngriti si shqetësim kryesor në aspektin e lirisë së medias, përqëndrimin e pronësisë në duart e pak njerëzve, të cilët kanë interesa politik dhe ekonomik.
“Pjesa tjetër pse është ngushtuar vitet e fundit hapësira civile, unë mendoj që është blerja, pra transaksione ekonomike, biznese dhe interesa, të cilat blejnë zërat qytetarë”, u shpreh Xama.
Pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci, e përqëndroi fjalën e tij në tre pika kryesore sa i përket rimarjes së hapësirës civile. Sipas tij hapësira civile mund të rimerret vetëm kur qytetari të bëhet politik, pra të veprojë. Së dyti, ku të lëshohen etiketat dhe kufinjtë e veprimit dhe të niset “lufta” për të çliruar publiken. Së treti vetëm duke u bërë bashkë të gjithë aktorët dhe duke reaguar njëzëri, është e mundur që të rimerret hapësira civile.
“Ata që na e kanë marrë hapësirën civile, janë gjithë kohës të luftuar nga hapësira civile, mos harroni që ne kemi jetuar në një sistem para 90 që hapësira civile shkonte dhe shkatërronte xhami, duhet kuptuar që jemi komplet një kohë tjetër, dhe unë jam gjithmonë shumë entuziast kur ka skizma që janë të forta, dhe ku ta gjej shoqërionë që është mospërputhëse, është luftarake dhe konfliktuale”, u shpreh Goci.
Studiuesja Blerjana Bino u përqëndrua në fjalën e saj tek liria e medias, roli i gjyqësorit dhe se si është paraqitur Shqipëria në raportet ndërkombëtare sa i përket progresit në fusha si media, drejtësia etj. Ajo u shpreh se situata në këtë drejtim nuk është aspak frymëzuese, dhe prandaj bëri thirrje për bashkim të forcave mes aktorëve të ndryshëm të shoqërisë civile, për të punuar për ndryshimin e kësaj situate.
“Ata janë duke përdorur strategjinë përça dhe sundo, dhe përpiqen të legjetimojnë ata që ne jemi duke bërë, pra gazetarinë cilësore dhe investigative duke përdorur lajme të gatshme e të fabrikuara dhe duke i shpërndarë ato në media”, tha Bino.
Ajo tha që këto jane sfidat që vijnë nga ana e pushtetit, por nga ana tjetër nënvizoi se ka shumë sifda dhe në anën e shoqërisë civile, në mënyrën se si janë duke iu përgjigjur pushtetit.
“Sa solidaritet kemi me njëri tjetrin, sa të vetorganizuar jemi, sa reagime të përbashkëta bëjmë, sa sinergji krijojmë? Dhe unë mendoj se në këto kushte ku ata janë shumë të fuqishëm, e vetmja gjë që mund të bëjmë pavarësisht ndasive, është që duhet të përforcojmë radhët tona, pra të bëhemi bashkë për të krijuar një rezistencë ndaj tyre”, tha Bino.
Nisur nga të gjitha pikat e përmendura në pjesën e parë të diskutimit ku u evidentuan problemet, diskutimi i dytë u përqëndrua tek zgjidhjet e problemit dhe se cilat mund të jenë kauzat parësore mbi të cilat mund të punohet nga aktorët.
Barazia gjinore, hapësira publike, të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara, forcimi i medias, studentët, të drejtat e punëtorëve ishin disa nga pikat kryesore që u ngritën në diskutim.
The post Qytetarët e angazhuar nisin iniciativën për të rimarrë hapësirën e uzurpuar civile appeared first on Citizens.al.