- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Qytetarët denoncojnë helmimin masiv të kafshëve të rrugës në Gjirokastër
Qytetarët denoncojnë helmimin masiv të kafshëve të rrugës në Gjirokastër
Disa qytetarë kanë denoncuar në rrjetet sociale videot e helmimit të kafshëve të rrugës në Gjirokastër. Për ti shpëtuar nga helmimi, Emin Kokalari dhe disa aktivistë të tjerë kanë dhënë ndihmën e parë duke i dhënë ujë të oksigjenuar qenve të rrugës, por kanë arritur të shpëtojnë vetëm shtatë kafshë.
“Janë helmuar 27 – 30 qen brenda 20 ditëve të fundit dhe rreth 17 mace”, – tregon për Citizens Channel Emin Kokalari.
Ai shpjegon se ka disa vite që po ndodhin helmime masive të kafshëve përpara sezonit turistik. Kokolari kujton se para tre viteve ndodhën helmime masive shumë herë më të mëdha se këto të fundit.
“Disa biznese ankohen për çështjen e numrit të lartë të qenve të rrugës dhe institucionet marrin përsipër eliminimin e tyre me këto metoda”, – vijon ai.
Kokalari thekson se shumë qytetarë kanë parë përfaqësues të bashkisë të kryejnë këto helmime por nuk disponojnë asgjë filmike për ta vërtetuar, por janë konstatuar dhe raste ku policia ka qenë prezentë aty dhe nuk është marrë asnjë masë.
“Materialet filmike nuk jepen për arsye presioni”, – thotë Kokalari.
Në përfundim Kokalari thekson se ndër vite ai dhe aktivistë të tjerë po mundohen të hapin një qendër strehimi për kafshët, por Bashkia Gjirokastër nuk i ka ndihmuar me një hapësirë.
“Jemi takuar me bashkinë dhe nuk na japin mundësinë e një ambienti dhe ambiente ka sepse këtu ka shumë magazina pa funksion në pronësi të shtetit”,- përfundon ai.
Citizens Channel kontaktoi kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi i cili përgënjeshtroi situatën e raportuar.
“Nuk është e vërtetë, është baltë e hedhur si pjesë politike, para ose pas fushate”,- pohoi Golemi.
Ai tregon se para dy javësh ka nisur procedura për kastrimin e qenve dhe javës tjetër del fituesi. Sipas Golemit në raste të tilla bashkia e ka çuar në organet ligj zbatuese këtë krim që personat që kanë kryer veprime të tilla të mbajnë përgjegjësi ligjore.
The post Qytetarët denoncojnë helmimin masiv të kafshëve të rrugës në Gjirokastër appeared first on Citizens.al.