Qeveria hesht ndaj 5000 studentëve që kërkuan bonus për përballimin e krizës ekonomike

Studentët nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga qeveria për 5 mijë firmat që dorëzuan në Kuvend.

Lëvizja për Universitetin dërgoi një peticion përmes të cilit kërkonin një bonus prej 10 mijë lekësh të reja, në mënyrë që të përballojnë krizën ekonomike.

Edhe pas përfundimit të afatit zyrtar të dorëzimit të peticionit, ende nuk ka përgjigje nga qeveria”, thuhet në reagimin e Lëvizjes për Universitetin. LPU shprehet se mungesa e përgjigjes është e qëllimshme. 

Në të shkuarën, studentët ishin kërcënim për legjitimitetin e qeverisë. Sot pushteti mbahet në këmbë nga marrëdhënie të pastra force. Ndaj deri kur të përballet me një forcë po aq kërcënuese, nuk do denjojë të përgjigjet”, thuhet në reagim duke shtuar se fillimi i vitit tjetër akademik duhet t’i gjejë në protesta.

“Studentët po përballojnë krizën me vështirësi”

Gerladina Mançka, studente e infermierisë dhe aktiviste e Lëvizjes për Universitetin, tha për Citizens Channel se studentët në kohë krize po paguajnë gjithmonë e më shumë. 

Në këtë kohë që po kalojmë, çmimet rriten dita-ditës dhe studentët paguajnë çdo ditë edhe më shumë”, tha Mançka.

Ajo shton se bonusi i studentit nuk është “zgjidhja e të gjitha halleve tona, por është ndihmese e mirë për momentin për të përmbushur disa nevoja që një student sot të mundet të përballojë disi krizën duke mos iu dashur të lërë studimet dhe të punojë”.

Bruna Sollaku aktiviste e LPU-së shprehet se lëvizja e sheh shumë të rëndësishëm bonusin pasi studentët jane kategoria që flitet dhe ndimohen më pak.

Ne mendojmë që ai bonus do i ndihmonte sadopak studentët për të perballuar disa shpenzime bazike siç janë qiraja ,ushqimet ,kostot e jetesës”, tha Sollaku për Citizens Channel.

Studentja shprehet se me rritjen e çmimeve jetesa e tyre është vështirësuar.

Studentët që më parë bënin nga në punë tani do detyrohen të bëjnë dhe dy punë për të jetuar pasi nuk i përballojnë dot kostot”, thotë Sollaku.

Çmimet e qirave janë shtrenjutar gjatë 2021-2022, ku sot në Tiranë një apartament 1+1 kushton nga 300-500 euro. 

Çmimi mesatar i një metri katror në kryeqytet në fund të 6-mujorit të parë 2021 arriti në 1102 euro/metër katror, sipas indeksit të “Keydata Albania”.

Ndërkohë inflacioni ka kapur shifrat më të larta në 20 vitet e fundit. Në muajin prill inflacioni arriti në 6.7%. Kategoria më e prekur nga rritja e çmimeve është “Ushqimet dhe pije joalkoolike” dhe “Transporti”. 

Rritja e çmimeve u shoqërua dhe me protesta nga qytetarët, të cilët janë të pakënqur me masat e marra deri më tani nga qeveria. 

Sollaku shprehet se ky bonus që ata kërkojnë nga qeveria mund të përdoret edhe për tarifat. 

Mirëpo qeveria nuk u ka kthyer asnjë përgjigje studentëve, prandaj ata paralajmërojnë protesta për vitin e ardhshëm akademik.

Nuk dënjuan të na kthenin një pergjigje qofte dhe negative  Mesa duket zeri i 5000 studenteëve nuk ëshë i vlefshem për ta. Siç e kemi paralajmeruar fillimi i vitit te ardhshem akademik do na gjeje me protesta”, përmbyll Sollaku.