- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Protestuan kundër ujësjellësit, katër banorë të Mezhgoranit procedohen penalisht
Protestuan kundër ujësjellësit, katër banorë të Mezhgoranit procedohen penalisht
Mëngjesin e të martës, katër banorë të fshatit Mezhgoran u shoqëruan në Komisariat pasi tentuan të ndalojnë punimet për ndërtimin e ujësjellësit, për të cilin po protestojnë prej muajsh.
Punonjësit e firmës, të shoqëruar nga forcat e policisë, tentuan të sjellin makineritë, por u pritën nga rezistenca e dhjetëra banorëve të zonës që kundërshtojnë projektin, duke e cilësuar atë si jo-transparent dhe në shërbim të interesave private.
Sipas policisë, katër banorët e shoqëruar në komisariat akuzohen për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transporti”.
Banorët i vendosën në dispozicion policisë tre dokumente që vërtetojë se projekti nuk ka një leje për të kryer punimet, por ato nuk u morën në konsideratë.
Projekti që ka nisur prej muajit shkurt të vitit 2023, pritet të çojë ujin nga Mezhgorani në fshatin Peshtan, që ndodhet përballë dhe sipas banorëve është në shërbim të një resorti turistik që po ndërtohet atje.
Ujësjellësi i Mezhgoranit pa leje për përdorim të burimeve ujore
Agjencia Rajonale e Mjedisit, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Këshilli i Basenit Ujor Vjosë, kanë deklaruar për banorët se projekti nuk ka një leje apo autorizim për përdorim të burimeve ujore e as për furnizim me ujë të pijshëm për bashkinë Tepelenë.
Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM) u përgjigj se Bashkia Tepelenë është pajisur me vendim për të zhvilluar projektin e ndërtimit të ujësjellësit, por ky vendimi nuk është leje përfundimtare për zbatimin e këtij projekti.
Institucioni theksoi se bashkia Tepelenë nuk e ka njoftuar për fillimin e punimeve për projektin, ç’ka e bën të pavlefshëm ligjërisht zhvillimin e projektit. Po ashtu Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis është jashtë afateve ligjore.
“Nëse veprimtaria apo projekti, që i është nënshtruar procesit të VNM-së, nuk fillon zbatimin në terren brenda 2 vjetëve nga data e miratimit të deklaratës apo vendimi për VNM-në, atëherë këto dokumente konsiderohen të pavlefshme dhe procesi i VNM-së fillon nga e para”, thuhet në përgjigjen e ARM.
“Bashkia Tepelenë kërkon para për informacion publik”
Banorët e Mezhgoranit përmes avokatit të tyre i adresuan bashkisë Tepelenë një sërë pyetjesh për të marrë informacion për projektin e ujësjellësit. Kërkesë për informacion adresoi edhe Citizens Channel, mirëpo në të dy rastet bashkia Tepelenë kërkoi një pagesë të majme për venien në dispozicion të informacionit.
Këtë praktikë bashkia Tepelenë duket se e ndjek edhe me banorë të tjerë, që kërkojnë informacion publik. Rasti i mëposhtëm, është një prej tyre, ku bashkia Tepelenë kërkon 25.000 lekë, ndaj zonjës për të vendosur në dispozicion informacionin.
Në përgjigjen e bashkisë, ku përcaktohet pagesa nuk nënvizohet në asnjë pikë një rregullore ku bazohet kjo tarifë, apo një ligj.
Sipas nenit 3 të ligjit për të drejtën për informim, çdo person gëzon te drejtën për informacion publik. Edhe në rast se vendoset një rregullore për tarifat e shërbimit, në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë tarifat e referencës së Komisionerit që është pak a shumë 5 lekë për faqe.
Prej disa muajsh banorët janë ngritur në protesta, pasi kundërshtojnë ndërtimin e ujësjellësit që merr ujin e Mezhgoranit për ta çuar në fshatin Peshtan, ku po ndërtohet një resort turistik privat.
Kontrata për projektin e ujësjellësit është lidhur që në vitin 2021, por nuk është zbatuar për shkak të rezistencës së banorëve. Sipas projektit, kohëzgjatja e punimeve do të ishte 4 muaj.
Por tanimë, sipas tabelës së vendosur në hyrje të fshatit projekti do të zgjasë 12 muaj që prej nisjes së punimeve.
Të përfshirë në projekt janë 3 kompani. JV “G.P.G Company” shpk dhe “2T” shpk për kryerjen e punimeve dhe “Invictus “sh.p.k për mbikëqyrjen e punimeve.
The post Protestuan kundër ujësjellësit, katër banorë të Mezhgoranit procedohen penalisht appeared first on Citizens.al.